>
LETERSISHQIP
Briken Zenuni

E Ardhmja E Poezisë Dhe Zhvillimi I Qenies Njerëzore.

Historia na ka treguar se Planeti ynë shpesh është goditur prej meteorëve që vijnë nga hapësira dhe, edhe sot, apo në të ardhmen nëse ndodh kjo gjë, shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për Tokën, njerëzimin e çdo gjallesë në tërësi. Kështu edhe poezia, si një prej gjinive më të vjetra letrare, shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për njerëzimin, në zhvillimin e gjuhës e inteligjencës njerëzore, në kulturë dhe botëkuptimin e asaj që ne e quajmë art.

Ndryshe nga meteorët që vijnë prej thellësisë së universit dhe shkatërrojnë planetin, poezia na ndërgjegjëson, na bën të perceptojmë, na bën të nxjerrim në pah ndienja të çuditshme nga thellësia e trupit, na bën ta duam jetën, njeriun, bimën dhe gjithçka tjetër rreth nesh. Pra, poezia është një formë arti shumë e rëndësishme për ekzistencën tonë.

Imagjinata që tejçon një poezi, ka qenë bazë për krijimin e arteve të tjera, në shpikjen dhe zhvillimin e shumë objekteve apo teknologjive që çuan përpara njerëzimin. Prandaj, ne duhet ta ruajmë me kujdes dhe të kultivojmë mënyrat më të bukura të të shprehurit kur bëjmë poezi.

"Një poezi e bukur mund të na bëjë ta duam jetën, ndërsa një poezi jo e bukur mund të na bëjë ta urrejmë atë".

"Jepi një populli një art të shëmtuar dhe ke për ta degjeneruar atë".

"Kur një popull rrethohet nga një art i degjeneruar është i caktuar për tu kthyer në kafshëri".

"Arti do inteligjencë dhe talent të lindur".

"Arti i vërtetë që të quhet art i vërtetë do kohë të bëhet, shumë kohë".

"Nëse nuk njeh gjuhën nuk ke si të shprehësh atë që ndien në thellësinë e trupit tënd, ky është defekti i parë, ndërsa defekti i dytë vjen si pasojë e të parit, pranimi i redaktorit dhe, kështu poezia është e degjeneruar që në gjenezë".
(Në lidhje me të gjitha këto shprehje por edhe të tjera, do përpiqem që të flas njëherë tjetër.)

Poezia si formë arti gjer në ditët e sotme e ka kryer shumë mirë misionin e saj, por në të njëjtën kohë edhe ka shteruar si mënyrë të shkruari, qoftë në kuptimin e 4 vargëshit klasik, qoftë edhe në vargun e lirë modern. Sot çdokush mund të shkruajë poezi dhe të quhet poet, kjo për faktin e thjeshtë së poezia prej mijëra vjetësh ka dhënë efektin e duhur në zhvillimin inteligjent të njeriut. Besoj se gjatë shekujve kanë ekzistuar poetë të cilët kanë dashur të sjellin forma e stile poezish me një shkallë të lartë vështirësie në të shkruar, por, nuk e kuptoj arsyen përse sot poetët vazhdojnë të krijojnë në një mënyrë të shteruar. Jam i bindur se ka ardhur fundi i krijimit të poezisë për 5, 10-minuta, një ditë apo një javë.

Sot fëmijët janë më inteligjentë dhe plot talent, kjo është një sfidë e madhe për atë që do të hedhë mbi shpatulla pallton e artistit të vërtetë. Nëse mundet që ne të bëjmë një krahasim mes një nxënësi në shkollën 9-vjeçare apo shkollë të mesme që ka shkruar një poezi, dhe një poeti që ka shkruar shumë poezi mund të mos shikojmë asnjë ndryshim, për më tepër poezia e nxënësit mund të jetë shumë herë më e mirë se të gjitha poezitë e tij. Sepse, nuk mjafton të kesh vite që shkruan. Nëse doni ta vërtetoni këtë që sapo thashë, mjafton të lexoni disa poezi nga autorë të ndryshëm, por, pa e ditur se kush i ka shkruar ato.

Pra, mendoj se duhet të krijohen forma, mënyra apo stile të reja, ( jo vetëm në letërsi por edhe në të gjitha format e tjera të artit) që, artisti të rifitojë vendin e tij mbi inteligjencën e njerëzve të thjeshtë që sa vjen dhe zhvillohet. Mendoj se ka ardhur koha e lindjes së një epoke të re në art, nëse nuk duam që edhe nga ana tjetër inteligjenca artificiale e cila prej kohësh po gjen zhvillim, në një farë mënyre të kalojë inteligjencën njerëzore. Kjo mendoj se duhet të ndodhë gjatë shekullit të 21-të. Meqenëse dihet ekzistenca e një bote paralele artistike, atëherë artisti duhet të gjejë lidhje të reja me të, në mënyrë që t'i japë njerëzimit një art të ri dhe ta magjepsë atë, ashtu siç kanë vepruar artistët e mëdhenj ndër shekuj.

Unë në mënyrë modeste kam botuar një libër që titullohet "Qenia" dhe qëllimisht në kapitullin e fundit të librit "Bota ime", kam vendosur një grup poezish me rimë të dyfishtë ose ndryshe "dubël rimë" me strofa të barabarta ose të kombinuara në rrokje, apo, poezi të tjera të cilat kanë një llogjikë ndërtimi, dhe është kjo ajo që mendoj se ka të bëjë me të ardhmen e poezisë dhe zhvillimin e qenies njerëzore.

Nësë duam një të ardhme më të mirë për fëmijët, le të krijojmë forma, mënyra, stile të reja artistike, autentike. Në mënyrë që artistët e rinj të zgjedhin mes formave dhe stileve të reja e të përkrahin ato më të bukurat, njëkohësisht me aftësitë e tyre t'i zhvillojnë edhe më tej ato. Kështu do të lindë një epokë e re në poezi e cila do të ndikojë edhe në artet e tjera të bukura. Kjo, për të vetmen arsye, që ne si qenie humane, ta zhvillojmë edhe më shumë imagjinatën dhe inteligjencën tonë. Dhe, jam i sigurt, që njerëzimi më pas do ta gjejë mënyrën për të ndalur apo devijuar meteorët për të cilët ju fola në fillim, që në një të ardhme do t'i drejtohen Planetit tonë.
"Është poezia ajo që zhvilloi njerëzimin dhe është ajo do ta mbrojë atë".
Artikulli im i parë i botuar në Revista Obelisk të Shtëpisë Botuese “ADA”.