>
LETERSISHQIP

Bletët E Gëzimit

Kam dhjetë koshere në shtëpi,
u thotë Gëzimi shokëve të tij.
Mbrëmë për bletën lexuam,
me babin, sa gjëra për të mësuam!

Sot i shoh bletët krejt i habitur,
m’i solli babi në shtëpi, papritur.
Vetë zgjohet bleta çdo mëngjes,
mbrëmjeve, rrethon kosheren si thes!

Bleta ime s’ka nevojë për bari,
shkon e kthehet vetë në shtëpi.
Nëpër fusha e male çdo ditë kullot,
në darkë kthehet e ngarkuar plot!

Krahë e këmbë plot me nektar,
sapo kthehet i them puna e mbarë.
Me padurim mjaltin e saj po e pres,
me kët’ ëndërr zgjohem çdo mëngjes!

I përplas doçkat Gëzimi i vogël,
ai e di mirë se bleta nuk është lodër.
Rreth koshereve ditë për ditë ai rri,
bletën puntore e ka shumë zili!