>
LETERSISHQIP
Delinda Muçollari

Luftë E Ëmbël

Ne dalim të humbur nga çdo luftë:

as unë, as ti!

Ti kujton se fronin tënd e humb

nëse bën dashuri!



Ndaj çdo natë përplasim spektrat tanë

dhe ushtritë i dërgojmë në flijim,

po sa herë që avitemi pranë

të bëjmë paqe s'dimë.



Të kam thënë që s'jam si të tjerat

e s'druhem nga zhgënjimi,

por më shumë seç më lodhin betejat

më tremb kapitullimi!



Ti fitoret e lehta s'i pëlqen

S’te ngjallin kërshëri

ndaj përgjigjen ndaj meje s'e gjen

luftë a dashuri?