>
LETERSISHQIP
Dionis Xhafa

Akuarium

Në vitrinën e një dyqani me shumë ngjyra, ishte vënë një akuarium
dhe pranë tij, afër shumë, një fëmijë lozte e shihte peshqit e vegjël,
me ngazëllim të tepruar dhe me sytë të mbushur me gëzim të papërshkruar,
e ndihej në qiell vogëlushi, teksa vëzhgonte atë mrekulli, atë parajsë për të, harmoni në shpirt.

Në festë të vogëlushit luhej drama, e peshqve që lundrojnë në ujë, por përplasen ndër xhama të mbyllur,
e ecin majtas – djathtas, zënë në kllapi, në lirinë e vet të cunguar, në të "bukurin" ‘lumë’,
e fëmija qesh e mrekullohet, si përplaset peshku ndër xhama blu, si driton ushqimi i bardhë për gjallesat,
e qesh pa fund, qeshu fëmijë, sa ke liri e shputa e madhe s’të është bërë, sa mrekulli percepton mungesë lirie, robërim të gjallë, bukuri e rrejshme me peshë të rëndë, që mban emrin: "Akuarium".