>
LETERSISHQIP
Dionis Xhafa

Po Ajo Rrugë

Në hapat që hidhen në udhën e jetës, gjithnjë ekziston një rrugë e parë,
aty lihen shenjat, ata fillestaret, fort vështirë është t’i harrosh më tutje,
e në jetën e gjatë, ndër korridoret që kalohen, në sallat e mbushur me njerëz,
në punë e pa punë, në hullitë e botës, kudo do shkelësh, po në këtë udhë të parë do të kthehesh.

Në rrugën e parë, emocionet e shumta, sigurisht do të rivijnë, ata kujtime, gjethet që bien nën pemë,
të vegjlit që sot ikin në shkollë, si ti dikur, edhe ata një ditë do "ngatërrohen" në shtigje të shumta të rruzullit të madh,
je rritur tashmë, syri sheh ndryshe, por pema është po ajo, njerëzit mundet të jenë po ata,
situatat kanë ndryshuar, secili në fate njerëzore të panjohura, shumë larg nga kjo udhë, e kudo jemi, ne ndryshojmë, lëvizim, jemi afër e larg, kurse ajo, mbetet po ajo rrugë.