>
LETERSISHQIP
Elida Rusta

Po Duhemi Bukur

M’u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit
Ne po duhemi bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S’kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde të butë..
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
Piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t’kam shkrue prej pyjeve,
me sytë si t’drenushës
kur duen me e plagos
t’jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t’mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t’mshefuna
e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t’humbun,
ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s’kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala për ikjen e zogjve të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t’dhimbjes,
me "oh" e "ahe" si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohem me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t’mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë…