>
LETERSISHQIP
Elida Rusta

S'jam Ma Beatriçe

Strukem përditë në të njëjtën qoshe,
tuj prit zhgënjimin e rradhës.
Fërkoj dy drunj të thatë
me shpresën se ndez zjérm.
S’jam má Beatriçe!
Jam grueja e keqe që e bani burrin filozof.
Eja në funeralin tém Sokrat,
jepma kupën tánde të pelimit,
kupa pezmi po pi përditë.
Kjo botë má burra s’ka!
“Të virtytshmit” ju,
ta shkelni dashninë si armik,
të çoni në ngasje me ju tradhtue veç me ju harrue.
Gratë duan përulshëm por s’janë të askujt,
në projektet e tyne s’ka ndërtime burgjesh.
Kanë haqe burrat Sokrat!
Krejt jua báj hallall
me lirue shpirtin tém,
me dek si krah fluture mbi bár,
sytë me m’ndrrue jetë në planet të ajërt.
Kush jeton për liri
s’ka si me qenë i pajetueshëm.