>
LETERSISHQIP

Natë

Nata nuk asht gojë,
as sy nuk asht,
shikimet që shpërvjelin mangët e andrrave me m’i kujtue.
Nata asht andërr e palindun,
nji fetus që mbartet nga nji bark i madh, hyjnor,
i përjetshëm, i vdekshëm n’dukje por i pavdekshëm n’formë.
Nata asht engjelli i zi i parajsës që na ruen.
Na kanë rrejt,
Parajsa nuk asht dritë,
as engjejt nuk janë të bardhë e me krahë,
as qielli që na nderet përmbi krye
Nuk asht i pafundëm!
T’tana këto, gjithësia e unë bashkë me te,
e kena nji fillim e nji fund
që ngatërrohet brenda syve,
e jeton e vdes n’rrahjet e qërpikëve.
As yje nuk ka nata, jo,
Unë jam drita, ylli i parë dhe i fundit,
shpirti që ngrè velat e dritës
dhe lundron qetësisht drejt….drejt….
pa nji breg t’menduem se ku don me i preh’ velat e dritës,
pa nji breg se ku don me i zbarkue
andrrat apo ngrohtësinë e shpirtit
n’nji grusht mbledhun.
Jam përqafue me natën,
e tana fjalët ia kam lakue n’qafen e saj t’zeshkët,
sensuale e erëdrite, si nji gur që n’nji kohë
me te kam me gjujt naten,
me e rrëzue përdhè, e me i hap sytë dritës.
Deri at’ kohë unë jam Natë...