>
LETERSISHQIP

Në Mendjen Tande…

Në mendjen tande,
Ti i var litartët e diellit shpinds teme,
e unë eci, shpindkrrusun, me pajtonin “Diell”
lidhun mas vedit.
Patkojt e ditës m’gozhdohen kambëve,
zhurmoj, sa shumë zhurmoj,
e kalëroj rrugëve që shkrrumen e treten
mbas trokut tem të trembun.
Ky qiell i mbërthyem n’xherxhefët e kohës,
qendiset nga ofshamat e netëve
mbytun krahnorëve t’pritjes.
Por ti, në mendjen tande,
m’ke lidh mbas vedit Dritën,
frymën që ushqen vaktet e mungueme engjëjve sythyem,
i bindun se troku jem zhurmus,
ka me e shprish hijen e mungesës n’prani t’mrekullt,
sepse në mendjen tande, mjafton me pas Dritën.
Jam thellësia e andrrave tueja,
mungesa që ti e përkund me duert e vogla t’nji malli t’madh,
aq t’madh sa përmbyt qiellin n’vajin e tij.
Nuk ka ma realitete që ngarkohen n’shpindë,
as litarë diejsh që fishkullojnë kohët,
e i gjakosin me heshtje,
kam vetëm nji diell ktu përmbi shpind,
që nuk di cilit qiell me ia ndez?