>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Bazilika E Elbasanit

Gurgullon
në kristale uji të shenjtë,
mozaikun paleokristian
Rrapi i Bezistanit gudulis
bulbëzat e shpirtrave të tretur.

Nime engjëjt
rruzare të pasthirmave
shkulin gonxhet
mbi fllade puthjesh.

Kapronj të etur, zogj të gëzuar,
nën kupën e Ujit të Bekuar
strukur shekuj në zemër të rrënjës
ku gurgullon dihama e qashtër,
pikturat murale
hedhin vallen e pastër.

E ti shtojzovalle
shëtit syrin ulli nga Ulliri i Qejfit,
mbushur me flladin e mallit të Krastës
me këna romako-bizantine.
Refrenit të largët
flatrat shpupurisin stinët
mbi gurë të blatuar nga kohërat
deri në Kullën e Sahatit
çelin legjendat, mitet, baladat
në qëndismat e arta nga vashat,
këndojnë kumuriat.

Tetëmbedhjetë ngjyra
deri poshtë në shpirt të dheut,
ngjyer në mushtin që vetë natyra
derdh lëngun rrush i mjaltuar
me gurë qelqi t’u gdhend fytyra
Elbasan qytet i praruar.