>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Liri Gjethore

Edhe gjethet nuk qenkan të lira në këtë Botë
kur bien nga pema poshtë në tokë,
në degë të deformuara të një peme
kërcurët zgjaten t’u ndalojnë lirinë
e rënies së tyre.
Dhe gjethet kur u ndakan nga kjo botë
lëshokan mes tyre mijëra lotë…
Unë kam dëshirë
edhe ju mund të dëgjoni rrjedhjen dhe lotët
nga këto gjethe
derisa ata të bien
dhe humbasin ngjyrën.
Humbjen, e citoi gjethja e parë,
në momentin kur nga filizi ishte ndarë,
rënia është ngulje si gozhdë,
se gjethet bien edhe në ditë me diell
vetëm ai që shket nga lart poshtë,
e ndjen trishtimin e tyre në qiell
dhe frymëdhënien nënës-tokë.
E dyta foli gjithë merak,
rënien e gjetheve e quajti merak,
udhëzojini ju lutem gjethet e reja
për rilindjen e tyre të ardhshme
se kur ata bien në shtrat
të ndjehen rehat
të kuptojnë edhe një herë,
edhe rënia e gjethes është vlerë.
Poshtë rënies
shpata e fundosjes së gjelbër,
qëndron gjithnjë e ngritur
i lidh me thellësinë e tokës
i pret me një të gëlltitur.
Tjetra, u përgjigj kur u afrua
vetë familja gjethore kërkoi një rilindje të re,
dhe që atëherë kur ajo u betua
për të qenë e durueshme në jetë e lirë.
pranoi fatin e vet, ra nga lart dhe u shua…