>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Sinfonia Bregdetare

Thesaret e thjeshta i kemi strukur në kujtesat tona
(leshterikët, fosilet
guackat, gaforret)
siç kemi mësuar të shijojmë puthjet e vona
teksa shkruhen mbi gjurmë asfalti
herioglife shekujsh për brezat
që dashurohen me detin.

Duke ecur i mbajtëm frymën detit
(Ai u ndal
dhe shkroi)
unë të dua në rërë
dhe kënga erdhi nga thellësia
gjithë ndjesia bënte tifo
mes valëve përcillej iso-polifonia.

Si qetësia filloi të ulej mbi qytet
(Ai qeshi
e thirri me zë poetik)
si fjala u zhduk para syve tanë
Bregu u bë një qerpik
dhe ne ramë të flemë
mbi triremë.

Por thesaret e thjeshta i kishim ndër duar
(Kujtimet e dashur
mbetën fosilizuar)
si ne mësojmë për të parë përreth,
këtë këngë bujare që na thërret
e dashur nga deti i kemi këto tipare
është një sinfoni bregdetare.