>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Kryefjala E Ditës Dashuri

Një "Evëtar" i përbashkët na sillet në këtë jetë. 14 Shkurti
nuk na bën diferencë puthjet me ty e dashur,
për besë nuk na bën diferencë,
një duzinë e panumërt puthjesh,
dhe prapë të pangopur si adoleshentë.

Po ti mos m’i braktis shenjat e para,
mos më thuaj se "Shën Valentinët" ikin shpejt
se ndryshe sa një buzë e përtharë si shuk letre
do më duket gjithë ditënata e kësaj feste.

Gjithmonë të kam veçuar këtë ditë në kalendar,
ndoshta vetvetiu është shkruar me të kuqe,
por bashkë në jetë të jetëve kemi një "Evëtar",
vetëm ai duket se na i njeh të dyve huqet.

Çfarë linjash na bashkojnë në këtë ditë buzëtore,
që përshkon epokat për të çelur fate brezash,
kryefjala e ditës dashuri mes puthjes,
me të sotmen, të nesërmen dhe atë që kemi lënë pas,
të koracuar me dihamën e përvuajtjes dhe lutjes
epiteale, përpajna asimetrike, maraz.

E pra, mos më thuaj ikin shpejt ditët e tilla,
mes gurores së kores cerebrale, majis
mbi kasisin tiktakues të kafazit të gjoksit,
pema gjethake e sistemit nervor po shastis
lëre të shkëlqejë e pambrojtur bebja e syrit,
e largët dhe papërsëritshme, e ditës së dashurisë.

Një "Evëtar" i përbashkët na sillet ngado. 14 Shkurti
nuk na bën diferencë as në rrjetet sociale,
një duzinë puthjesh dhe prapë të pangopur, unë e Ti
edhe kur ditë të tilla diku bëhen fatale.