>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Valle

Valle,
katër gërma të pastra shqiptare
m’i ‘mbolle’ plot lavdi.

Mbi këmbë të ngjeshura në opinga,
nga nëna, dhe babai kushedi,
m’u ngjize nga vetë kënga,
në fëmijëri...
... çave porta, bedena dhe hyre brenda,
me eshkën e ndezur në lartësi.

Shtrydhe retë plot furi
mbi ballin nusëror plot sedefe
më bëre për vete
oh, me atë bukuri!

Zemra m’u drodh nën mushkëri,
ti ishe pra, vetvetja, më e rënda,
vetë lëvizja ime e shtrenjtë sa jeta,
vetë gëzimi plot ëndrra...

Ngado ku brodha të mora përditë,
të ruaj, siç ruaj edhe sytë.

Pse këmbët të ‘shkelën’ çuditërisht?!
të kërkoj ndjesë burrërisht!

Por me ajrin kanë bërë paq,
i pari Apollon, apo Dionis,
kur të hodhën ty për merak,
ka pak rëndësi që ta dish,
vallja ime, ti mbive që në bark.

Linde si një fëmijë, që lind mrekullisht,
dhe të bën sa krenar dhe me fat.

Kërkoj ndjesë që të luaj me këmbë,
gjithë trupi im është me ty i dashuruar,
Ti, perlë e mbajtur shekujve rëndë,
të peshoj pupël me duar.

Më fal, siç fal vetë nënëmadhja,
pa ty a ka kuptim e ardhmja?

Por, di mirë, që edhe ‘malet’,
vetë ditën e zgjojnë me valle...