>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Me Trokthin E Lotit Tim Hutaq

Nuk më duhet pasaportë në pragun tënd. Hapat
e mi nuk duan ‘viza’ të mësyjnë sokakun e kalldrëmtë
se kursejnë as biletën e shtrenjtë të udhës ajrore,
loti ka mbërritur më shpejt se unë
në ëndrrën tënde.

E mira nënoke,
kërkoj ndjesë që të prisha gjumin,
me trokthin e lotit tim hutaq,
më lësho një ledhatim fryme,
si atëherë kur më mbaje për dore
rrugicës së vjetër, të paqtë,
ku Kisha pozonte vetveten në qiell,
ku Konstandini digjej me abetare në diell...

Myzyrin e dëgjoj në përthyerjen e këngës
violina e tij mbars mijëra fyej
më sjell pranë refrenin që ngas
për të lehurat e qenit langua
që shurroi murrin e Kalasë,
veshur me kostumin e huaj...

E ndjej tiganin që digjet në vaj
petullat për lindjen e nipit të vogël
e shoh që e ngre furkën pastaj
për të përzënë maçokun e komshijes,
kanatat përgjysëm ka të ngjarë
i shoh mes vetë plasaritjes
që mbeti mbi gëlqeren e tharë
nga vitet e ikjes.

Dhe muzgun e ndjej që sillet vërdallë
kumuriat që lagin akrepat e sahatit
plakat e mëhallës që nxitojnë shtizat
për të hedhur diçka në lakun e ditës
nga romuzet e shtrenjta të Selman Bizës.

Me krahët lëshuar zbret flladi i Krastës
trazon minifundet e xhiros së fundit
dita i uron mirëseardhjen natës
pishat dremitjen e shkundin,
është stina e fraqët.
Maçoku i komshijes lëpin bishtin
poshtë Skampës ku hidhen kockat
minjtë e kanalit lëvizin lirshëm
vrapin e ndalin tek shatërvani
paguajnë faturën e ujit të pijshëm.

Pastaj ndalem pak mes sheshit
Gensher e ka, është emër i huaj
takoj Rrapin e Bezistanit, ia vë veshin,
shekujsh madhështor, hijerëndë
më shtrydh pastaj nga thellësia e gjethit
historinë e Mozaikut nën rrënjë.

Dhe i vërvitem edhe vetë gjumit
me thonj të gjatë e të mprehtë
nuk më mjafton as uji i Shkumbinit
që të laj këtë siklet, këtë dert.