>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Lumit Buna

Të kishin parë ëndërr njerëzit tek Kafja e Madhe
duke pëshpëritur me xhamat dhe sokakun e pazarit
rrëshqisje i zmadhuar. Nguc e qesh. Si njeriu i asaj ane.
Ia kishe dhuruar krapin njeriut që të godiste valën
ia kishe parë gjirin e lënë jashtë Rozafës
pikonte me dhimbje qumështin e saj të legjendës.
S’erdha tek ty të pi, por të shuaj mallin,
të shoh kofshët si shishe mbi biçikleta,
vetëm ti ma di hallin,
ndaj e drejtova me kujdes për tek ty timonin
të bashkoj fijet e këputura stinëve të largëta
kur të dy ndanim bashkë tollonin.
Tek ty jam krehur e kam larë lotët,
tek ty laheshin edhe fatet e të tjerëve,
mos vallë i ke harruar?
Vetëm ty të lejohej të puthje brigjet
vetëm ti kishe vizë për botën e ndaluar
tek ty deheshin zogjtë e mërguar
tek ty mblidheshin edhe shirrat
po kurë nuk e durove rrebeshin e tërbuar.
Të kujtohet sa më doje,
në atë stinë
dhe gjatë sezoneve të provimeve
më bëje shoqërinë?
Ka mbetur në trupin tënd lakuriq
kapaku i kuq i historisë
prehet në flladin tënd të lehtë
bilbili i Mjedës
dhe të gjithë lulet që u vyshkën në rrjetë
për hir të së vërtetës.
Tashti po të lë të qetë,
me njerëz bujarë e bletë,
por të premtoj se do të vijë prapë,
se malli të dyve na djeg në shpirt
si fluturat në vapë,
që s’kanë shërrim
ndaj s’të them lamtumirë
se do të dënesja me ngashërim.

Shkodër, Ura e Bunës, 24 Prill 2014

PEJË

Mbi shtrat të Lumëbardhit krihen Perëndeshat,
u ndrin nuri si drita e hënës.
Tek blirat e ëmbla natyra fshin djersët,
gushëkuqët me radhë ia përcjellin këngës,
e timbri shpërndahet tutje mureve më dysh
ku toka papritur mbahet nën frymë
sikur zbresin e bëhen palë dhe retë
pas rrethimit tinzar që para syve të mbin
enigma shfaqet e malli brenda Manastirit të tret.

Një ëngjëll përkulet Grykës së Rugovës,
qesh e vallëzon i lirë shtathedhur kah bredhit
përtej rrjedhës së pastër struken plagët e gjëmës
lëngata që ballin ty ta zverdhi.
Në greminë oshëtin një faqore e zbrazur
mbi trup mban një gradacion cirilik
festë e mbyllur brenda Patrikanës së Pejës
vallë për tu habitur nga kush ka frikë?

Është gati kërcurja të kalbet nën dhe,
veç ti të mbetesh siç ke qenë Yllneshë,
disa të quajtën pesë shekuj Ypek,
të tjerë të vunë emra të tjerë yrnekë,
por vetëm në shpirtin tënd mund të gjesh
sa peshon emri yt shqiptar, Pejë...
se kot këtë emër nuk e ke peshqesh
mbi Flamur qepe shqiponjën me të tuat penjë.
Pejë, Prill 2013