>
LETERSISHQIP
Irma Kurti

Mëkat Të Mbyllësh Sytë

Mëkat të mbyllësh sytë në një ditë si kjo:
dielli i zjarrtë më dërgon me mijëra puthje,
nga dritarja hapur flladi fytyrën ledhaton
si një dorë dashurie e largët, e padukshme.

Asnjë e qarë fëmije nuk e trishton ajrin sot,
kaltërsinë e qiellit asnjë re s’mund ta grisë,
zëri im i zvargur nuk i ngjan një lëngate,
por një tingulli muzikor paksa melankolik.

Një mot të ftohtë dimri me rrufe e bubullima
do të doja t’më shoqëronte në largimin tim.
Është mëkat që të shuhesh në një ditë si kjo,
ku jeta buzëqesh e vibron në çdo thërrmijë.

IRMA KURTI