>
LETERSISHQIP
Ismail Kadare

Koha E Popujve

Kur superkafshët dridhnin botën,
Njeriu në gjunjë nuk u ul
Ka pasur vite të mamuthëve
Po kohë të tyre s’pati kurrë.

Me brirë të tmerrshëm e klithma kobi
Mbi tokë ata vunë ligjin bishë
Megjithatë ish kohë e njerëzve
Dhe ky planet i njerëzve ish.

Nga superpesha u vinte vdekja,
Ngecnin përbindshat në batak.
Kështu do ngecin supershtetet
Në llum të globit pak nga pak.

Dhe kur në të ardhmen do zbulojnë
Eshtrat e tyre nëpër botë,
Ashtu si eshtrat mamuthore,
Që zoologët gjejnë sot.

Kur të zbulojnë konstruktet, dhëmbët,
Atë burokraci-hata,
Ç heronj, do thonë, kanë qenë
Popujt që rrojten tok me ta.

Ata q’u ngritën përballë tyre
Që u qëndruan trimërisht,
Ish kohë e tyre ajo, do thonë,
Dhe ky planet i tyre ish.
1976