>
LETERSISHQIP
Jorgo Telo

Përballë Teje, Naim!

Or’ e çast, poet, të kam përballë.
Po të shoh të gdhendur në profil.
Dhe më vijnë vargjet radhë – radhë,
Dhe më vjen zëplotë, zëbilbil!

Më vjen me Ty "Bagëti e Bujqësia"
Më sillen ndërmend vargjet e saj.
Më hyn në shpirt krejt Shqipëria.
E vargjet nëpër buzë i bëzaj.

Ato çka the për gjuhën shqipe
Gjithkush i ka gdhëndur në shpirt.
Me veprën tënde majat ngjite.
Çdo fjalë jotja pareshtur shndrit.

Për fikjen tënde vajtoi Çajupi.
Sikur ta dije, si foli mes vargjesh...!
Të mban atdheu si pjesë trupi.
Më madhështor sot na përshfaqesh.

Duket sikur flet e të mbaj në dorë
Sikur mbaj vende edhe shekuj.
Sikur diellin mbaj në kraharor.
Para teje mbetemi dishepuj...

Teksa të shoh kaq pranë vetes,
Nuk ndihem i vetëm kurrsesi.
Idhull i artë për mua mbetesh.
Model atdhetarie – gjithsesi...