>
LETERSISHQIP
Jorgo Telo

Çikriku I Jetës

Nëpër xanxa ëndërrimesh e zhgënjimesh…
Vargje për veten me rastin e 68 vjetorit të lindjes ime: 6 janar 1945)

I.
Dy vargmale qiellin përpijnë.
I
mendimtarë, kryelartë!
Në mes tyre një luginë,
Porsi një gjerdan i artë
Zagori, o vatërlindje,
djep që ndez mall të pashuar
Zagori, o truallrritje,
më dhe jetë për të jetuar.

Eh, të parën qarje foshnje
një mëngjes në palcë dimri.
Nuk e ndjeu fare nëna.
Pu – pu, ku s’i shkoi mendja!...
Pamëshirshëm thellë në shpirt
me vrik tmerri seç i hyri.
Që t’i jepte jetës jetë,
nënëgjorës ç’ia kish ënda!

Priste t’ ndiente qarje foshnje
një sinjal të parë të jetës
Nëna veshëve s’u besonte;
nuk po jepte sinjal qarja.
Një shtëllungë e ngrirë bore
u shkëput e ra prej strehës.
Eh, më kish të parën lindje.
Çfar’ durimi pat mamaja!

Ç’ters…! - Litari i çikrikut!
Sa të shumta i kish nyjet:
Përbri tij: heu, sa stërkëmbthe
turrur ndaj jetës normale.
Zëra korbash edhe ujqërish
si piskamë nëpër pyje,
Zemra e saj e frikësuar –
thuajse përhumbur fare…

Klithmën prit e prit, por hiç…

Mos po lindja i pagojë?
"Uf, o fat, ç’fat i gremisur!"
– rënkoi thellë nënëshkreta.
Dhe shtrëngonte dhëmbët fort,
strukur brenda në rrënojë...!
Priste jetë dhe jo mort.

Në rrënojë qe shndërruar
pas dy djegiesh krejt shtëpia.
Djegur krejt me laçkë e plaçkë.
Çdogjë zhdukur e shkrumbuar.
Nuk u gjend një qoshk i mbrojtur,
ku t’më lindte nënëmavria
Papo zgjodhi magjirionë;
prej rrënimit kish shpëtuar.

E veçant’dat’ e ditëlindjes
ajo ditë e shenjtëruar.
Diç pësoi në agim,
kur do dilja unë në dritë…
Gjashtë janarin, kush s’e di!
Dit’ e "Ujit të Bekuar".
Hedh në ujë kryqin e artë,
të përcjellë mbarësitë…

…Mbi kryq mbetej e paepur
një dëshir’ e fillestares:
Një merak që rrekej tepër,
ta shikonte veten nënë.
Sa iu desh asaj të gjorës
forc’ e brendshme sedërqare;
Veçse frymë t’i jepte foshnjës,
se pa frymë kishte rënë...

Eh, si vjen fati në jetë!
Çoç më solli me mëdyshje.
Sikur tepër i trallisur -
fat i grisur i dyzuar…
Dimri egër desh më fshiu,
porse Kryqi veproi ndryshe
Me vonesë nëpër shkresa…
me vonesë emri m’u shkrua.

Shumë vonë mora vesh:
pikërisht më 6 janar
Atë ditë të shënuar,
shenjt i "Ujit t’Perendishëm"
Lindur qe Gjergj Kastrioti,
vet’ Heroi Kombëtar.
Këtë emër më dha nuni,
si emër i madhërishëm.

Porse s’dihej as nga unë
as nga ndokush pranë meje;
Do ta mbaja me nder emrin
përgjatë ecjes nëpër vite?
Më trazuan nëpër mote
një pas një fasha "rrufeje"
Se e nëmura sëmundje
kohë pas kohe më skërmitej…

II
Ne i thoshnim fëmijëri
dhe asaj fëmijërie,
Kur as miell misri s’gjeje,
le të doje diç më tepër.
Ishim brez mjaft i duruar,
boll që s’vdisnim prej urie.
Ne stomakun e kalitëm,
duke ngrënë qull e thekër.

Si më erdhe, fëmijëri,
e pudrosur me hi lufte!
Dhimbshurisht e nisa ecjen,
mjerisht si në buzëgreminë
Në një dorë ca fletra qepë
e në tjetrën krodha buke
Vetëm rrallë e për mall – gjeje dy lugë shëllirë.

Ndopak miell e shumë lakra
…mbanin jetën tonë në këmbë.
E ngjasonim varfanjakë,
tëpkën si vegjetarianë…
T’kërcënuar kemi qenë,
si zogj t’ vegjël pendërënë
Ne e dinim ç’lodhje hiqnin,
oh.fatkeq☺ët... prindërit tanë.

Të veçant’ ushqim për shpirtin
kishim ëndrrat, iluzionet
Për të mbajtur gjallë trupin
veç thekrishten si mastiç.
Dhjamë derri kullufinim;
në trup shtonim "aluvionet"
E sëmurnim çdo qelizë,
pa e ditur t’keqen…hiç.

Veç rripaqet edhe shollët
siguronin këmbët tona
Diçka vishnim, porse s’dinim,
paskish dhe këmish’ me jakë.
Ne mbulonim krejt çapokët
me ca gjasme pantallona.
Kurse andret përmbi andre
askërkush s’ì kish të paktë.

E kush pyeste për ne,
kur gërr - gërr gërricnin zorrët.
Çoku gjenim një kinino.
Kapërcenim me të ethet.
Shtynim dhimbshëm vitet, muajt,
shtynim ditët edhe orët.
Më kot rendnim një pas një,
hap dollape e sepete.

Në të fatit udhëkryq ndenjur
ne aty i kishim "sinorët",
Kur dollape e sepete
po dremitnin fare bosh;
Nga ta zinin prindërit tanë,
ku t’ përplaseshin të gjorët?, .
Neve veç të këndshmet ëndrra
na tërhiqnin më tej osh…

Sa të çiltra buzëqeshje
na bulonin përgjat gjumit;
Kushedi se nga ç’soj ëndrra
lindnin, përlindnin ato!
E harronim ne keqveshjen,
e harronim pranë lumit.
Per atje një palë mbathje
do t’i gjenim… domosdo.
Se çfarë qenkish politika,
si dhe ku ta dinim ne?
Gjithkund shihnim ca fytyra
e një emër na u ngul fort.
Lart përmbi dërrasë të zezë…
një pas një ngjitur atje
Krejt "Byroja Politike"…
si skifterë përmbi kokë…

Edhe zgjuar dhe në gjumë,
gjithandej shihnim portretet.
Sa zeriozë që qëndronin!
Buzqeshnim ne… Po pse…?
Si burim për ëndrrat tona
përrallat kishim dhe bejtet.
Nëpër libra shihnim shtretër,
porse vet’ flinim përdhe.

Për luftë klasash, fantaksira…
një ide s’e kishim fare.
As konceptin më të thjeshtë,
pse dhe kur, nga kush u shpik.
Veç me skamjen qemë mësuar,
me ç’shikonim n’abetare…
Për ne bota qe e madhe,
aq sa na shikonin sytë...