>
LETERSISHQIP
Jorgo Telo

Tryeza E Rrumbullaktë

Kuvendi ì furçave
Që të ndreqej puna,
T’shkonte çdo gjë saktë,
Frrap na thirrën furçat
Tryez’ të rrumbullaktë.

Rreth e rreth tryezës –
të gjitha barabar.
Një furçë qimezezë
zgjodhën për të parë.

Kush u mblodhën, vallë,
në atë tryezë?
Ca me "kryq" në ballë
dhe ca të hilesë…

Disa fshijnë teshat
e disa këpucët.
Ca tëpkën si fshesa,
ca si liliputët.

Njëra për të rruar
faqet përkëdhel.
Dhe për t’pikturuar –
ca furça – penel.

Për të kruar ca
pllakat, dyshemetë
Ndonjë bishtin naa:
vetëm për tapetë.

Dhe ca gjembiriqër
Edhe qimebuta…
Pra, Kuvendi nisi.
Sikur plasi lufta…

Njëra mburrte veten:
- Unë jam e sojme.
Tjetra me të qeshte:
- Uj, moj, nga na dole!?"

Pa filloi kërleshja.
Keq u pleksën qimet..
U harrua mbledhja.
Plasën kërcëllimet.

U hodh kryetari:
- A do bëjmë ligje?
S’erdhëm për të ndarë
frone e çifligje.

Me ç’po broçkullisni
ka veç katrahurë.
Veten telendisni.
Shtet nuk bëhet kurrë.

Një furçë e padukshme
Kish bërë kërkesë:
Mes furçave të dukshme
të kish dhe ajo pjesë…

Gjithë drejtësia
u fut ne telash.
Mos, vallë, prapësia
pëlciste më pas?

Shpejt e mori "viston"
e padukshmja furçë.
Siç e kishte guston,
në Kuvend u fut.

- Cila je, s’të shohim? –
pyetën në një zë
Tri furça që donin
t’ishin mbi çdo gjë.

Një zë u dëgjua.
Ì ëmbël, ì butë.
Salla u hutua,
Zhurma u këput.

- Se kush qenkam unë.
të gjithë e dini…
Ju më keni pullë
kudo që të jni…

S’flas për procedurë;
Me ju kam replikë.
Kë furços më shumë,
merr frenat pa frikë.

U tundën, u shkundën
gjithë furçëria…
Disa qimet shkulën.
Krisi zallahia.

Ca e kishin qejf.
U shkonte për shtat.
Të tjerat tërë mllef
U mbushën inat…

U ngjit në podium
një furç’ arkeologësh:
- Mos u mbani shum’
si ì mbyturi pas flokësh!"

Këtë zë tam-tam
Unë e njoh me rrënjë.
Të lyen e të lan;
Kë s’do, e bën kërmë…

Kryetari shkundet.
Thekson fjalëpakë:
- Furça e padukshme
emrin e ka LAJKË.
Siç tha parafolsja,
S’i duhet besuar.
Ndryshe na ha mortja;
Ligj pa miratuar…