>
LETERSISHQIP
Kadrush Radogoshi

Atdheu, Ky Sizif I Përjetshëm

Atdheu, ky Sizif i përjetshëm
Ekzistuaka në hartën e gjeografisë së flijimit,
Ku ngritka një gur gjigant nëpër kodrën e së qenmes!

Atdheu Sizif qenka i dënuar
Për ta bartur përpjetë kodrës përjetësisht
Atë gur të madh mallkimi
Të rëndë plumb nga plumbi i Trepçës!

Atdheu qenka Ati Ynë i Lashtë,
Atdheu qenka Nëna Jonë e Re!
Në sy i shndritka ari nga ari i Trepçës
Në mollëza i shndritka argjendi nga argjendi i Trepçës
Në ballë i xixëlluakan kristalet nga kristalet e Trepçës
Unike në Planetin Tokë!

Në zemrën e Dardanisë së lashtë sa kjo botë
Shtriheshka Atdheu Sizif, që ngritka një gurë
Më të rëndë se dhimbja e më të madh se pikëllimi
Drejtë majës së kodrës prej nga mund të preket
Trupi i virgjër i lirisë.

Po sa arritka pranë majës së kodrës,
Ndodhka të vrasë rrufeja,
Atdheu me nëntë plagë
Nuk e lejuaka rrokullisjen e gurit të jetës
Në humnerë!

Në Atdheun Sizif lisat folkan shqip sa herë i rrahka tufani,
Gurgullimat e lumenjve qenkan e folura e parë në botë,
Vetëtimat vetëtuakan si sytë e njerëzve të mllefosur,
Ndërsa bubullimat mallkuakan si çdo nënë shqiptare
Për djemtë e vajzat e tradhtuara e të vrara pabesisht,
Eh, aty edhe dhimbja shqip lotuaka!

Edhe fluturat shqip kërcyekan
Edhe yjtë në netët romantike shqip shkëlqyekan
Edhe toka edhe qielli shqipen e vjetër flitkan
Në Atdheun Sizif në zemër të Dardanisë së Lashtë!

Aty njerëzit paskan hapin gjigant të Mic Sokolit
Sa herë kapkan për fyti artilerinë e vdekjes!
Aty njerëzit e paskan shikimin e shqiponjës
Sa herë u ngjallkan të paudhët syplasur!

Në hartën e gjeografisë së flijimit
Nuk lejuaka rrokullisjen e gurit të rëndë të jetës,
Atdheu, ky Sizif i përjetshëm!
Edmonton, Canada, 19 June, 2020