>
LETERSISHQIP
Kadrush Radogoshi

Të Deum Dardanicus Laudamus

Liria jote, Dardani, paska nevojë të merr frymë pa leje
Paska nevojë ta heq nga goja e hunda
Atë dorë të vrazhdë të instinktit shpellor
Me aq shumë virus lakuriqësh,
Me aq shumë duhmë hienash!

Liria jote, Dardani,
Paska nevojë ta mbush zemrën me oksigjen
Me oksigjen paska nevojë trurin ta mbushë!

Lirinë e paskan vjedhur nga koncepti "liri"!
Koncepti paska mbetur shportë e zbrazur që mund të mbushet
Me dërdëllitma hienash për lirinë e xhunglës e barazinë hienore,
Për të drejtat e padrejta, për gëzimin e vrarë nga hidhërimi,
Për të gjitha fjalët, që ua kanë ngrënë kuptimin, ua kanë gëlltitur rrokjet,
Ua kanë vrarë barbarisht zanoret, ua kanë shurdhuar shtazërisht bashkëtingëlloret.

Poezia qenka bërë himn
Për t’ia kthyer lirinë lirisë,
Për t’ia kthyer dashurinë dashurisë,
Për t’ia kthyer kuptimin fjalëve e kumbimin tingujve
Për të jehuar në veshët e atdheut himni shekullor "TE DEUM LAUDAMUS" i Niketë Dardanit.

Poezia paska zbuluar jehonën e një himni të vjetër dardan
Jehonën e një himni të ri dardan e paska zbuluar poezia
Edhe Niketë Dardani nga përjetësia qenka nisur për rrugë
Për ta shkruar himnin e ri me titull
"TË DEUM DARDANICUS LAUDAMUS"