>
LETERSISHQIP
Kadrush Radogoshi

Unë, Fushata Zgjedhore Dhe Letërsia

Nuk i takoj asnjë partie politike, por kjo nuk do të thotë se nuk jam i interesuar për rrjedhat politike në vendin tim për të cilin kam kontribuar e sakrifikuar aq sa kam mundur. Edhe pse jetoj afër 14.000 km. vijë ajrore larg (Edmonton, Alberta, Kanada) fushatën zgjedhore në Kosovë e përcjelli dhe kuptohet e kam kryer obligimin tim duke votuar me kohë.
Duke përcjellë fushatën zgjedhore dhe performancën e kandidatëve për kryeministër dhe ndihmësve të tyre po më kujtohen personazhe të veprave të ndryshme letrare, të cilat në pjesën dërmuese janë sinonim i së keqes apo vrasësve të shpresës së njerëzve për jetë. Përkundër tyre më kujtohen edhe personazhe, të cilat nuk kursehen në sakrificat e tyre për t‘ua ringjallë shpresën për jetë njerëzve. Kategoria e dytë është më e paktë në numër, por me peshë të madhe në rrjedhat historike të njerëzimit.
Duke dëgjuar fjalimet e kandidatëve për kryeministër nga partitë, të cilat kanë qeverisur me Kosovën në këto 20 vjetët e fundit dhe duke parë përcjellësit e tyre kryesorë, mendimi i parë që më vjen në kokë është: nuk ka mbetur definicion i fjalëve, që nuk është deformuar. Fjalët në gojën e tyre e kanë humbur kuptimin e tyre denotativ, ndërsa kuptimi i tyre konotativ është shndërruar në kufomë, duhmën e rëndë të së cilës nuk e hetojnë vetëm ata që e kanë humbur shqisën e të nuhaturit. Këta kandidatë po m’i kujtojnë titujt e veprave të disa shkrimtarëve anglofonë siç janë: "Ferma e kafshëve" ("Animal Farm", George Orwell, 1903-1950), "Kopshti zoologjik njerëzor" ("The Human Zoo", Desmond Morris, 1928- ), "Bisha në mua dhe kafshët tjera" ("The Beast in Me and Other Animals", James Thumber, 1894-1961), "Etërit e thive" ("Pigeon Feathers", John Updike, 1932-2009), "Portreti i artistit si qen i ri" ("Portrait of the Artist as a Young Dog", Dilen Tomas, 1914-1953).
Përkundër kandidatëve tjerë, në fjalimet e Albin Kurtit fjalët e ruajnë me saktësi kuptimin e tyre denotativ, ndërsa kuptimet konotative janë të reja, të freskëta, premtuese e mbi të gjitha të besueshme. Ato m’i kujtojnë shumë personazhe veprash letrare, të cilat janë sinonim i vlerave, të cilat e çojnë përpara një popull të sunduar dhe të keq qeverisur. Ato m’i kujtojnë edhe shumë vepra letrare, jo vetëm të shkrimtarëve anglofonë. Ja disa prej tyre: "Liria" ("Freedom", Martin Luther King Jr., 1929-1968), "Ekzistencializmi dhe humanizmi" dhe "Për lirinë njerëzore" ("Existencialism and Humanism" and "Of Human Freedom", Jean-Paul Sartre, 1905-1980).
Në vend të përfundimit mund të themi se zgjedhja është e lirë, por të mjerët ata që votojnë për statusquonë destruktive, apo e shesin dinjitetin për gjëra bizare. Në këtë kontekst është e natyrshme një pyetje e përherëshme: Jeni me Kalin e Drunjtë në Trojën tonë të sotme apo me Laokoonin e Kasandrën, të cilët e kundërshtojnë atë?