>
LETERSISHQIP
Kadrush Radogoshi

Gjithçka U Rrotulluaka Rreth Boshtit Të Marrëzisë

Në dheun e atit e në të mëmës dhe
Asgjë nuk qenka në vendin e vet
Gjithçka u rrotulluaka rreth boshtit të marrëzisë...

Në kohë pandemie
Epidemi kakofonie e paska kapluar atdheun,
Mëmëdheun e paska kapluar epidemi kakofonie!
Çdo harmoni u vraka në gjenezën e saj
Në nëntëdhjetë e nëntë mënyra.

Edhe heronjve
Edhe dëshmorëve
Edhe martirëve
Ua vjedhkan të sotmen,
Ua vjedhkan të nesërmen!

Përrallat për ujqërit e shndërruar në zagarë
Paska kohë që qenkan harruar,
Por nuk u harruakan përrallat për zagarët e shndërruar në ujqër,
Bartës të virusit më të vjetër në botë,
Virusit të kafshimit natën e të vajtimit ditën
Virusit të shitjes së atdheut si plaçkë tregu.

Rrëmujë në kokat e pafajshme njerëzore,
Stuhi shpifjesh e breshëri gënjeshtrash
Prishkan të mbjellat e dashurisë në shpirtrat e tyre.

Në dheun e mëmës e në të atit dhe
Asgjë nuk qenka në vendin e vet
Gjithçka u rrotulluaka rreth boshtit të marrëzisë...
Edmonton, Canada, 10.5.2020