>
LETERSISHQIP

A Do Mundem?

Me buzëqeshjen, mësova të gënjej bukur
Të shkëlqej si diell, kur brenda mbaj stuhi
Ëndrrash fluturoj dhe krahëkëputur
E qiellin ta ndez flakë me magji

Të maskoj aq bukur trishtimin e syve
Lotët që djegin hithër t’i kapërdij ndër vete
Pastaj hënë e plotë, mbretëroj mes yjeve
Si varkë e pamposhtur lundroj ndër dete

Të maskoj mjeshtërisht buzën që dridhet
Kur trishtimi ma ka mposhtur keqas shpirtin
Të rend pas diellit kur në perëndim përvidhet
T’ju them s’më vjen keq për vitet që ikin

T’i them gjithë botës që jam kaq e lumtur
Edhe kur shpirti më dhemb e ndër sy kam lot
Të vazhdoj lundrimin me busull të humbur
Por të gënjej veten, a do mundem dot…..!