>
LETERSISHQIP

Ç’Je Ti Për Mua?

Po lodhem ta di, vallë ç’je ti për mua,
Je ëngjëlli që krahët më jep të fluturoj?
A djalli, që netëve të errëta më ngre prita
A deti plot tallaz ku dua të notoj?

Her` më përkëdhel me afshin e valëve,
Her` më përplas, shkëmbinjve me gjëmim,
Herë më bën të dehem dhe pse gota zbrazur,
Ti melhem i shpirtit, nga ti s’kam shpëtim!

Grindemi në mbrëmje, themi s’ka më nesër,
Por dita çuditërisht, sërish fillon me ty.
Tinëz më pret rrugën, mëngjesit buzëqeshur,
Ku shkoi inati mbrëmshëm, që s’vura gjumë në sy?

Vrullshëm më mbyll gojën, me puthje të zjarrta,
S’i bëj ballë tundimit, dorëzohem, të fal...
Ma ke pushtu zemrën, fole ke bër` brenda,
Her` më ngrin acar, her` me djeg vullkan!...