>
LETERSISHQIP

Nuk Mundem

Dua sot të shkruaj, duart nuk binden,
Nuk e di ç’ka shpirti, nuk më del as vargu,
Ç’ta bëj trishtimin, ku ta çoj dhimbjen,
Një arrati shtrigë, më përqesh së largu..

Nuk i hap dot sytë, loti më rëndon,
Bota po vërshon, si ortek mbi mua;
Ky trup kaq i brishtë, vuan e rënkon,
Vuaj, urrej, dua…po nuk di çfarë dua…

Nuk e di ku shkoj, udhën e kam humbur,
Trupi më dhemb, shpirti po më djeg,
Nëpër shkretëtira, etja më ka mundur,
Askush nuk me sheh, askush nuk më pret !

Shpirti im plaguar, udhësh helmuar,
Ti varg i trishtuar, të lutem më fal
Dil ku je futur, ku s’të kam kërkuar,
Eja më bëj udhë, nuk dua të ndal!...