>
LETERSISHQIP
Manjola Brahaj

Jam Femën

Bijë e Zotit dhe gjanave që dita,
shtrigë pushtuese e ditëve tua.
Jam Lilita.

E etun për me pa e me ditë
pse ngat teje erdha.
Jam Eva

E mallkueme për me qenë e bukur,
e kët’ bukuri vet mos me e shiju.
Jam Helena,
për t’cilën ke luftu.

T’mallkoj farën e veten e vras,
veç për me qenë puthja te buza.
Shkatërroj andrrën tande se jam Medea.
T’ngrij e t’baj kallkan se jam Meduza.

I jap kuptim pritjes,
kaloj përjetësinë.
Jam Penelopa,
i vetmi vorr ku ti ke shpinë.

Çohem pasi jam ba statujë kripe,
di me ecë për tehut t’dhimbjes.
Jam femen i jepem veç vetëtimës.

Krejt zjarmitë e rruzullit i ndez,
e di me vdekë veç për nji shikim.
Jam ajo që ke me dashtë me dëshpërim.
Shpirt e kurm mbulue me andrra
e Vërteta e jetës tande.
Jam Kasandra.

Jam femën,
për mu u përulen edhe perënditë.
Jam ajo që ka me t’dashtë
e kurrë s’ka me t’përkitë.

Jam krijesë e pambërrime duersh t’akullta.
Kam krejt ernat e parajsta n’gojë.
Kam krejt tundimet toksore n’kurm,
m’ke nji natë t’jetës tande t’shkurtë
e m’sheh me drojë,
për me m’lypë mendej me ngulm.
Jam sirenë e fundit t’gjakut.
Prej synit kam me t’ikë
e n’fat me t’u ngulë,
me t’ardhë hakut.

Jam femën.
N’ditën tande jam drita,
n’shpina tande jam zjermi,
n’shtratin e shpirtin tand dashnia,
n’natën tande vetmia,
n’trishtimin tand arsyeja,
n’luftën tande kauza,
n’artin tand muza,
n’stinën tande jam ngjyra,
n’ty e n’krejt jetën tande,
Pasqyra.