>
LETERSISHQIP
Mihal Gjergji

Dëborë Në Progonat

Një vello bore si magji
Mbuloi tej e tej krahinën
Rënkojnë trarët nën çati
Me kuje era ndez violinën

U zunë rrugët. Gjurmë s’ka
Përçori sheh hutuar shtigjet
Kjo bore e madhe gjysh na ra
Dhe drur’ e shkurre fshehin brigjet?!

Oxhaqet vjellin tym të bardhë
Në vatra çkoqet prush përralli
Çibuqet djeg e mbush me radhë
Brezi që tret kujtime malli:

Kështu dhe Bilbilenjtë i prenë
Takëmet Shkurti ua rrënoi
Në Podgoricë mbi Hodo-Bej-në
Çetnikët-bam e Ai shkoi

Dhe Smail Leskua vjen në këngë
Si Hetem Toto ‘rrënjëdali’
Se ç’ligjërime tha një nënë
Në gji të tij i mori mali

Ky vënd nga tradhtitë u shëmb
Kështu e shkroi dorë e fatit
Flasin ‘profetet’ në kuvënd
Tek rrap i madh i Progonatit

S’shërohen dhimbjet, djegin shumë
Se koha plagë të tjera hapi
Ndaj syri s’mbyllet, s’bën dot gjumë
Dhe copëra këngësh përkund rrapi!