>
LETERSISHQIP
Sabit Rrustemi

Tek Ajo Parajsë Dashurie

E tëra je tek unë
përmes asaj stine të hershme
atyre drithmave që na mikluan
nëpër të tjera stinë

Sa rrugë shkelëm sa dritare cakërruam
përbiruar kthinave të padukshme të shpirtit
deri tek puthjet që ëndërruam

E tëra je tek unë

Përmidis trupit frymëmarrjen tënde dëgjoj
dhe atë puls zemre tek hapet e mbyllet
me një ritëm dashurie

Eci tutje drejt atij stacioni buzësh
një biletë puthjesh mes gjuhësh kërkojmë
po sytë më thellë depërtojnë

Tek ai plazh shpirti
tek ajo parajsë dashurie ndalen
shtrihen e shkrihen pa reshtur