>
LETERSISHQIP
Sabrie Selimaj

Jap E Mar Përtyp Fjalën

Rreth e qark i rashë botës,
Dhe i vura gishtin kokës,
Thash me vete, dreq o punë
Po vërshon mendja si lumë

Sytë përherë, janë mëkatarë
Përse jo, dhe lakmitarë
Tërë dynjanë duan për vete
S`pyesin fare, për hëndeqe,

Hënë e diell më japin shpresë,
Si në darkë, dhe në mëngjes,
Hap pas hapi, dëshirat ndjekur
Ndonjëherë shumë përpjekur,

Rreth e qark të panjohurës,
S`mbahet bota n`pëllëmbë t`dorës,
Ujtë e detit s`mund ta përpishë,
Mendja e lehtë të telendisë

Gjethe peme, përtokë rrëzuar
Si në ikje, si n`të ndaluar...
Më mirë vënë gishtin kokës
Mos të bëhesh gazi i botës,

Jap e marë e përtyp fjalën
Mos të helmojë mehallën,
Gjuha është mjaltë e zëherë.
Pa mendohu mirë njëherë!