>
LETERSISHQIP
Sadete Zhitia

Dikur E Dija, Po Tani

Dikur e dija se do të jesh duke më pritur
te një hije thane a në një fushë mali,
me fytyrën e qeshur e sytë e ndritur
patjetër do të thoshe: Sa më ka marrë malli!
Dikur faqeve të shkruara gjeja emrin tënd
me fjalët e bukura thurur kurorë,
që tingëllonin më ëmbël se një këngë,
në zemër e ndieja tek binte dielli mbi borë.
Dikur... do të vije doemos në takim
për një gjysmë ore a për pak çaste,
edhe sikur dielli të qe në perëndim
në mbrëmje vonë a pas mesnate.
Sot... rrëshqasin vitet si një natë pa hënë,
kënga vjen e zbehtë, pa tingull, pa fjalë.
Në ç’mëkat, vallë, paskemi rënë?
Ka një portë për të hyrë a ka një shteg për të dalë?