>
LETERSISHQIP

Nata S'ka Dëshmitarë

Nga koha kur ora e murit tingëllon 12 herë
E deri te kënga e parë e gjelave
E… sa “Kali i Trojës”me tradhtinë “në bark”
Përbirohet nëpër flokët e zeza të natës

Nga kënga e parë e gjelave
E deri te kënga e dytë e tyre
Iha…sa kotecin mund ta vizitojnë hajnat e pulave

Sa guraleci do kërsasë në xhama
E sa dritarja do t’i hapë e mbyllë kanatat
Nga syzezat flokëshprishura…

Nga kënga e dytë e gjelave
E deri te kënga e tretë kur zë fill agimi
Iha…sa gjurma do të mbulohet…

Nata s’ka dëshmitarë…