>
LETERSISHQIP
Vahit Nasufi

Këngë Për Fatime Sokolin

Në shenjë nderimi dhe kujtimi, me rastin e 30 -të vjetorit të vdekjes së saj
Sa herë dëgjoj tingujt e çiftelisë,
Që përcjellin këngët e trimërisë,
Kur vijnë nga veriu i Shqipërisë,
M`kujtohet çika e Dragobisë.

Ajo çikë nga Tropoja,
Zë të ëmbël nxirrte nga goja,
Më të ëmbël se mjalta n`hoja,
M`kënaqej shpirti kur e dëgjoja.

Me at zë t`bukur këndoi dhe foli,
Këngëtarja jonë Fatime Sokoli,
Me dy tela t`çiftelisë,
I dha jehonë mbarë shqiptarisë.

Më 18 qershor 1948 -të,
Fatime Sokoli erdhi n`jetë,
Lindi në një familje bujare,
Me vlera t`mëdha kombëtare.

Fëmirinë e kishte t`lumtur,
Ishte simpatike, shumë e bukur,
Që nga mosha e vegjëlisë -
Filloi t`i bie çiftelisë!

Por, mjerisht dadës Fatime -
I vdes e ëma mbetet jetime,
Sumë të re la t`bijën e vet,
Dijen dhe këngën ia la amanet!...

N`vendlindje kreu shkollën fillore,
E shkëlqyeshme dhe shembullore,
N`Tiranë mësimet vazhdoi,
N`shkollë t`mesme muzikën regjistroi.

Shkollën e mesme kur e ka mbarua,
N`Dragobi, mësuese është emërua,
Prej nxënsve t`vet që i mësoi -
Shumë talentë t`artit ajo zbuloi.

Krahas punës si arsimtare,
Ajo, këngën s`e ndali fare,
Në vazhdimsi e kultivonte,
Sa herë që duhej, aq herë këndonte!

Kur doli n`skenë kjo këngëtare,
Ishte e re dymbëdhjetëvjeçare,
Kësaj çike nga Dragobija,
N`dorë hije i kishte çiftelija.

Këndonte këngë folklorike,
Me përmbajtje patriotike,
I këndoi Kosovës, mbarë shqiptarisë,
Për dëshmorët e lirisë...

Është shpërblyer me shumë çmime,
Me mirënjohje dhe dekorime,
Me plot meritë është emëruar;
Me titullin e lartë, "Artiste e Merituar"...

Por, smundja e veshkave e kaploi,
T`shtrihet në shtrat e detyroi,
Për të bërë dializë,
Shkoi në një spital të Romanisë.

Por, as atje nuk gjet shërim.
U këthye n`Tiranë për mjekim,
Por, përpjekja e mjekëve shkoi kot,
Fatime Sokoli s`shërohet dot!

Kur humbi shpresën për mbijetesë,
N`shtëpinë time tha - dua të vdesë,
Më 8 qershor 1987 -të, për gjithmonë,
Mbylli sytë këngëtarja jonë!

Shuhet një yll i këngës shqipe,
Që këndoi afër tridhjetë vite,
Telat e çiftelisë s`tinglluan më kurrë,
Që atëherë, ajo rrinë e varur n`mur!

Derisa ne të jetojmë,
Fatime Sokolin nuk e harrojmë,
Sa herë këngët t`ia dëgjojmë,
Aq herë me mall, do ta kujtojmë.
Kërçovë, më 08 qershor 2017