>
LETERSISHQIP
Vahit Nasufi

Kënga Polifonike Kërçovare

Nuk e di se sa do të pajtoheni me fjalët e mia, kur them, se në jetën e njeriut bën pjesë edhe muzika, pa marrë parasyshë se kujt zhanri i takonë ajo. Po të kujtojmë të kaluarën, gjeneratave pak më të vjetra, sigurisht do të ju bie ndërmend, se atëherë më shumë dëgjoheshin këngë burimore shqipe, më pak dëgjoheshin meloditë zbavitëse dhe shumë më pak muzika e huaj. Normalisht se është e drejtë individuale, që secili të dëgjojë dhe këndojë sipas dëshirës, por, kursesi nuk duhet lënë pas dore, këngën e bukur popullore shqipe.

Kënga polifonike kërçovare

Kërçova me sipërfaqen e saj etnografike është një qytet i vogël, por, me shumë tradita. Kjo trevë, siç është e njohur për kah trimëria, mikëpritja dhe bujarija, është e njohur edhe për kah tradita e kurbetit. Kjo komunë, shumicën e djemve të saj shqiptarë, i ka pasur kurbetçarë, qysh në shekullin e kaluar, që në atë kohë si destinacion ishte Romania, (Vllajaka), dhe më vonë duke filluar prej viteve gjashtëdhjeta, u shpërndanë pothuajse në krejt botën, si në; Gjermani, Austri, Zvicër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj. Kërçova e soçme, (Uskana e lashtë), aq më shumë është e njohur me traditën e saj për interpretimin e këngës polifonike! Kënga polifonike kërçovare, është një këngë burimore vendase shumë e vjetër, e cila shumë pak është studiuar nga muzikologët! Kjo këngë trizërshe, është e veçantë nga tradita e interpretimit, e cila është një traditë shumë e lashtë, që nga periudha ilire, me kryeqytet Uskanën. Të kënduarit e këngës polifonike apo diafonike, është tabloid më vete, ngase këndohet në grup prej tre vetësh, nga prijsi i këngës, i dyti është bartësi i zërit të parë, dhe i treti poashtu bartës, dhe me dridhjet e jashtëzakonshme të zërit në fund të çdo strofe, krijonë shumë emocione te dëgjuesit. Gjithashtu kënga polifonike kërçovare, dallohet nga trevat tjera, me këndimin e saj arkaik, e cila këndohet pa u përcjellë me vegla muzikore, ndodh që ndonjëherë sipas kërkesave të dëgjusëve, të përcillet me instrumenta frymorë, siç janë kavallat, por, këndimi origjinal i saj është pa përcjelljen e tyre. Kënga e vjetër kërçovare, për kah mënyra e interpretimit, ndoshta pak u përngjanë këngëve polifonike të Shqipërisë jugore, por, jo edhe aq shumë. Karakteristike është se këngëtarët e trevave tjera, e kanë vështirë për t`i kënduar këto këngë, që këndohen nëpër odat e burrave, sidomos nëpër dasma, apo raste tjera gëzimi.. Gjatë interpretimit të këtyre këngëve, mund të dëgjojmë këngë të cikleve të ndryshëm, si ato; patriotike, trimrie, tradhtije, tragjike, dashurije, etj.

Vlen të theksohet se këngët kërçovare të grave, gjithashtu janë shumë të vjetra dhe tradicionale. Këto këngë, këndohen më pak pa përcjelljen e instrumentave muzikorë, më së shumti këndohen me shoqërimin e dahireve, (defave) që teksti i tyrre formohet aty për aty, i cili më së shumti ka të bëjë me ardhjen e nuses, dhe kur ajo zbaton traditat e kësaj treve. Këtu është karakteristike se këngët e grave janë shumë më të shkurtëra se këngët polifonike të burrave, dhe interpretueset e këtyre këngëve, nuk donë të thotë që patjetër të jenë këngëtare cilsore, pasi që edhe këta këndohen në grupe, që formohen nga vetë gratë e dasmës. Si kënga e grave, ashtu edhe defi, janë duke u lënë anësh, meqenëse tani dasmat bëhen nëpër lokale, dhe jo si dikurë nëpër oborret e shtëpive, dhe mosinteresimi për këto këngë rritet dita ditës!

Doajeni i këngës kërçovare

Kërçova ka një thesarë shumë të pasur me këngë të vjetra vendase, edhe këngëtarë të njohur që e kanë kënduar, në mënyrën më të mirë të mundshme polifoninë kërçovare, por, që të mos harroj dikë, që nuk do të ishte e pëlqyeshme, do të veçoja vetëm njërin nga këto, që ka qenë dhe ka mbet legjendë e këngës burimore kërçovare, fjala është për ikonën e kësaj kënge, tani i ndjerë Ferat Jonuzi, që të gjithë e kanë njohur me pseudonimin; "Lati Kaleshe", nga fshati Kaleshe komuna e Kërçovës. Lati ishte një këngëtarë i madh, i cili kishte një talent të rrallë dhe një zë melankolik. Lati përveçse ishte këngëtar me cilsi të mëdha, ai ishte një njeri me kulturë, mikpritës dhe shumë besnik. Kam pasë fatin që të isha prezent, nëpër shumë dasma ku ai këndonte, dhe prej së afërmi të dëgjoj shahirin e madh të këngës kërçovare. Ai me bashkëkëngëtarët e vet, Murat Muratin dhe Xhevit Sadikun, që të dy nga fshati Tuhin, (i cili është shumë afër fshatit Kaleshe, që shtrihen në anën veriore të Kërçovës), kanë qenë një grup gati i pandarë, dhe sëbashku kanë kënduar me dekada të tëra. Lati me grupin e vet, ka qenë i ftuar dhe shumë i dëgjuar kudo nëpër dasma, apo aty ku ka qenë e nevojshme kënga. Aty ku do të këndonte ai, vendi i caktuar, gjithmonë ka qenë i paralajmëruar, pasi kishte shumë të interesuar që kijshin dëshirë ta dëgjojnë, dhe posa të ia thoshte këngës, aty mbretëronte një qetësi shumë e madhe. Për të dëgjuar vazhdimisht zërin e tij, disa nga të pranishmit, e inçizojshin me kasetofona, që shumica prej tyre i kanë edhe sot. Pra, nga kjo vërehet se sa e bukur është, dhe sa i madh ka qenë interesimi për tä dëgjuar këngën kërçovare, Kur bëhet fjalë për dasmat e atëhershme, në të cilat ai ka qenë i ftuar, vlen të përmendet se Lati ka qenë ai që, nuk ka refuzuar asnjë, dhe nuk ia ka prishë qejfin askujt, por, me kënaqësi ka pranuar ftesat, dhe ua ka plotësuar dëshirën të gjithve, (kuptohet, kur i është dhënë mundësia), dhe pa asnjë interes të përfitimeve materiale, edhepse në atë kohë, prej njerit në tjetrin fshat, kanë udhtuar më tepër me kuaj.

Edhe sot Kërçova ka adhurues dhe këngëtarë të mirë që e duan dhe e këndojnë këngën kërçovare, por, ata që dallohen dhe që e mbajnë gjallë polifoninë kërçovare janë "Bilbilat e Kërçovës", Vëllezërit Dervishi, që këngën e kanë trashigim nga i ati i tyre Imeri, i cili ka qenë i njohur si këngëtar dhe valltar shumë i mirë. Për vëllezërit; Dervishin dhe Azizin, lirisht mund të themi se janë synonim i këngës polifonike kërçovare, të cilën e këndojnë me një mjeshtri shumë të madhe, që tërhjek vëmendjen e dashamirëve të kësaj kënge. Sot për sot është një mrekulli jashtëzakonisht e madhe për këngën burimore kërçovare, meqenëse vëllezërit Dervishi janë edhe artistë të estradës shqiptare, ata në asnjë moment nuk e kanë lënë anësh këtë këngë, por, me dëshirën më të madhe e këndojnë, si nëpër dasma, manifestime apo tubime të ndryshëm, dhe ç`është më karakteristike, se kjo këngë ze më shumë vende në çdo projekt apo album të ri të bilbilave, që si duket edhe këta do të trashigohen nga djemt e vet, pasi që familja e tyre është një burim i kristaltë, ndoshta dhe i pashtershëm i këngës në përgjithsi. Por, prapëseprapë situata është shumë shqetësuese edhe për këngën kërçovare, ngase shumë pak dëgjohet nga të rinjtë e kësaj ane. Duke filluar prej viteve të nëntëdhjeta, interesimi i gjeneratave që vijnë pas, sa që vjen po zvoglohet. Por, shpresat janë të mëdha, duke ua imponuar pasardhsëve tanë, kjo këngë do të ketë vazhdimisht këngëtarë, që do ta kultivojnë, dhe nuk do ta lënë të harrohet këtë këngë të lashtë dhe shumë të bukur tradicionale.
Kërçovë, 28.04. 2014