>
LETERSISHQIP

Pritja Ime Rri Kaq E Blertë!

Kam pritur ngjyrat e stinëve, si uji kur fryhet në lumenj
e agimi çeli buzëve të mia, fusha fshiu çepallat e natës
me lotët e syve të luleve,
brigjet morën formën e mollëzave të mia,
sikur degëza kur shkrihet nën flakë, shikoj fërfëllimat
e dallgë bari tund pikëllimi i erës. Në korin e pyjeve
me kurriz kah qielli, lisa të gjatë, zvetënuar nga pritja,
hingëllijnë si kuaj të tredhur,
si një bas rri mbështetur mbi bastunin e kohës.
Pse largësia ka gjithmonë sytë e mosnënshtrimit, por pse
nuk dëgjoj një të rrahur zemre? Pse gjethet si kumbonare
kishash të lëna, lëshojnë të dridhura të herëpashershme.
Orfeu qenka bërë zog! Mallkim i rëndë për lirën dhe mua.
Hëna në agun e çelur si buzët e mia, ngarkuar me një deng
shkarpash ikë në pjesën e paardhur të kohës,
ti kreh flokët e gjatë, fshehur pas ofshamës sime.
Kreh dhe nuk harron që gjoksi po më pëlcet për diellin
e plasur mes të dy nesh.