>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Në Një Mbrëmje Vallëzimi Në Shkollë

Mbrëmja organizohej në prag të Vitit të Ri. Nga mesi i mbrëmjes, një vajzë e vitit të parë u gjend pranë tijë e i propozoi. " Mund të vallëzojmë"? Ai s’ishte ngritur asnjëherë në vallëzim atë mbrëmje, se nuk ndjejhej mirë, bile nuk donte as të vinte, por nuk ua prishte dot shokëve...Pa i folur vajzës u ngrit. Ajo kërcente bukur, sikur vallëzonte me krah në ngjasim fluture. Vallëzonin e heshtnin. Sytë nuk shihnin tek sytë, veç ndjenin afërsinë e dy trupave në një prani të heshtur.

Ashtu siç ishin, kokëulur, nisën të flisnin …Kur sytë akoma nuk shihnin tek sytë, duhej fjala të thoshte ato që thuhen zakonisht në mbrëmje të tilla: " Nga je?...Jeni interesante... Si e keni emrin?... Sa zë të ëmbël që kini?... Shkolla ç’thotë?... Ohu, petagogët ashtu e kanë …Ju pëlqen letërsia? Unë lexoj shumë poezi…Mua më pëlqejnë romanet"…Gati këto biseda bëhen mes vallëzuesëve, sidomos në vallëzimet e lehta, ku i lihet vend edhe fjalës … Pastaj muzika mbaron. Ata përshëndeten dhe ndahen. Ndodh që djali e shoqëron vajzën deri tek vendi i saj, për t’u treguar i sjellshëm, por më të shumtat e rasteve, djemtë bëjnë ndonjë lëvizje çapkënçe, sa ndahen nga vajza e me hapa të gjata zënë vendin e tyre …

Kur zuri vend Luani mendoi: " Sa budalla u tregova? Thashë budallalliqe me thasë... Po dhe ajo ç’më tha? E ç’mund të thoshte ajo kur unë i flisja për hënën e për pyjet?!...Hiç! Mora vesh që është nga Sh... dhe kaq...E, më tha emrin Doriana Duro. Unë s’mbaj mend ia thash e emrin tim? Më mirë të mos flisnim fare..."

Edhe Doriana mendonte, aty përballë: " Po unë ç’bëra ashtu?! Sa budallaqe që u tregova?! Mirë që vajta e ngrita në vallëzim, por mu zgjidh edhe gjuha...Thashë ndonjë fjalë të mençur? Kot fola si e jëma e Zeqos në majë të thanës fola...Ai më pyeste e unë i përgjigjesha...kështu e kanë djemtë të pyesin...por edhe unë e pyeta sa... E pyeta dhe s’mbaj mend se ç’i thashë?... Për emrin kot e pyeta... Ehuu, të gjitha kot i bëj unë..."

Kështu mendonin të dy, sa mbaruan vallëzimin. Veç sytë heshtnin siç kishin heshtur...Ata nuk kishin se ç’të tregonin...