>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Je Martuar Me Prindërit E Saj

Në pallatin ku banoja, në një lagje të Athinës, komshinj kishim Erionin dhe Valbonën nga Tirana, . Ata kishin edhe një vajzë të bukur me emrin Kristina, që e kishte pagëzuar nëna e Valbonës. Kishim hyrje-dalje të zakonshme dhe e ndihmonim sa te mundënim njëri-tjetrin. Erioni kishte mbaruar shkollën e lartë për ekonomi por punonte si bojaxhi. Ndjehej shumë i lidhur me punën e me familjen. Shikoja se në shtëpinë e tyre hynte, orar e pa orar, një çift i moshuar. Më vonë mora vesh se ishin prindërit e Valbonës, pra vjehërri e vjehërra e Erionit, që banonin diku afër nesh. Edhe kur më kishin gjetur në shtëpinë e dhëndërrit, ata përshëndesin zyrtarisht dhe vazhdonin bisedën me Valbonën sikur të ishin në një dhomë tjetër. Edhe shëtitje, Valbona, delte më shumë me prindërit se me Erionin. E fusnin në mes dhe babai nuk ia hiqte kurrë dorën nga qafa. Ata ç’do muhabet e lidhnin vetëm me Boonën. Vetëm Boona, Boona, vajzë tjetër nuk kishte mbi dhè. Një pasdite Erioni më kërkoi që ta ndihmoja për një rregullim të vogël në koridorin e shtëpisë. Brenda gjeta, si gjithmonë, prindërit e Bonës. Mbasi u përshëndeta me ta "zyrtarisht" filluam nga puna. Mbas gjysmë ore, ata ikën duke puthur fort vajzën Bona. Shyqyr, na ranë veshët rehat-thashë me vete. Nuk kaluan as dhjetë minuta kur ra zilja e telefonit. Bona, që ishte në koridor, u sul te receptori sikur do zinte hajdutin.
-Alo, u ma ti je, e parandjeja- dhe psherëtiu. Nëna nga ana tjetër e telefonit diç po i tregonte dhe Bona i përgjigjesh me "ëhë e cuk". Biseda vazhdoi mbi gjysmë orë, ku në veshët tanë erdhën mbi 200 ëhë, 150 cuk e 100 ëhë. Kurrë nuk kisha dëgjuar biseda të tilla në telefon. Po nervozohesha edhe pse isha në shtëpinë e botës. Ajo la telefonin. Erioni tundi kokën me dëshpërim. E kuptova sikletin e tij, aq më tepër nga mënyra e komunikimit të Valbonës. Sa rifilluam punën, përsëri zëri i telefonit. Bona ishte në banjë. Receptorin e ngriti Erioni.
-Alo, po, po një minutë. Bona babai në telefon-foli Erioni me zë të zvarur.
-Uh, Erion, sillma telefonin këtu se po lahem.
Filloi përsëri biseda, por ishte disi e mbyllur në banjë dhe nuk na shqetësonte si më pare. Erionit nuk i vinte rradha fare për të folur me atë telefon, që e paguante më shumë se qeraja e banesës. Edhe nëna e tij, që kishte ardhur para dy muajsh nga Tirana, me të shoqin fliste me kartë nga gabina. "Jo mor bir, aty në gabinë e di sa do paguaj" i thoshte të birit. Edhe përqafimet djalit nuk ia jepte në sy të nuses, bnile tregohej më e dashur e më e respektuar me Valbonën. Por nëna e Erionit ishte larg. Ajo ndenji vetëm dy javë si mike. Prindërit e Bonës ishin gjithëmonë aty-pranë, të pandarë as nga shtëpia, as nga telefonatat. Kur mbaruam punën, telefoni nuk qe mbyllur akoma. Bona në banjë nxirrte ato inicialet "ëhë"+ "hë"+cuq" e të tjera…
Duke dalë i thashë Erionit me shaka: "Erion, ti s’je martuar me Bonën…". Ai qeshi hidhur. Nuk thonë kot : "Sa më pranë njerëzve të gruas aq më shumë do të vuash".