>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Ish-Sekretari I Partisë

Me Viktorin kisha mëse një vit që punoja nëpër Llaqitë (tregu i prodhimeve bujqësore) javore në Athinë. Dhe pse ishte dhjetë vjet më i madh se unë më konsideronte shok. Kishte qenë intelektual i aftë dhe i pastër, ndaj dhe nuk kishte bërë karrierë. Servilizmin dhe karakterin e paqëndrueshëm i urrente më shumë se ç’do gjë. Ditëve të hëna, që Llaqia ishte në lagjen ku banonin, Viktori ndjehej në siklet. Sa ne rregullonim në bango frutat e zarzavatet, para nesh do të shfaqej një burrë trupmadh, i rruar e i pastruar si për dasmë, me kollare të shtrenjtë e këmishë të bardhë, sikur të punonte në ministrinë e jashtme të Greqisë.
-Mirëmëngjesi-na thoshte duke prekur me radhë frutat-hajde fruta hajde, kapitalizëm o vëlla, ekonomi tregu, konkurrencë. Ne, në kohën e komunizmit, as në ëndërr nuk i shihnim fruta të tilla. T’ja kemi për nder PD-së që na hapi kufijtë se ndryshe…
Kështu, mëse dy orë, kritikonte Enverin, Partinë, Komunizmin dhe ngrinte në qiell PD-në. As të punonim nuk na linte. Viktori, dikur më pat thëne se e kish pasur koleg-pune. Kështu vazhdonte ç’do të hënë. Kur vinte ai ndjehesha në siklet edhe unë, që s’e njihja më parë. Nuk e dija ku punonte e kur punonte, por duke pare veshjen e tij, mëndja të thoshte se dhe këtu në emigracion kishte ndonjë punë të zgjedhur.
Një të hënë-prilli frymëzimi i tij i kish kapërcyer të gjitha parashikimet. Na mbajti një leksion se si kapitalizmi nxit konkurrencën, fitimin, se intelektualët kanë shumë mundësira për të gjetur vet-veten…
Ishte hera e parë që e shihja se Viktorin nuk po e mbante vendi. Ai qëndronte indiferent deri në nervozizëm, por "leksionisti" vazhdonte të fliste për veturat, telefonat, pishinat, rinia, moda, muzika…
Dhe kur nuk e priste Viktori shpërtheu:
-Zoti Vasil, kapitalizëm do të thotë punë dhe vetëm punë. Me fjalë jetohet vetëm në socializëm.
Pa mbaruar mirë Viktori, z.Vasil ia kishte mbathur. U habita me ikjen e tij.
-Epo më plasi, vetë nuk punon dhe na mban leksione për kapitalizmin. Dëgjo mor vëlla, këtë "lektor" për më se pesë vjet e kishim sekretar partie. Ta dëgjoje kur fliste për Enverin, për Partinë, për Socializmin. Mua më kritikonte në çdo mbledhje për indiferentizëm…
Duke dëgjuar Viktorin më erdhën në mend fjalët e ish presidentit polak Les Valesa: "Demokratët më të këqij janë ish-komunistët, që nuk bënë karrierë në atë sistem".