>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Me Sytë Drejt Së Ardhmes

Kish ditë që klientët s’po i afroheshin dyqanit të modes, më të preferuarit në gjithë Athinën. Arsyeja ishte ajo, me trishtimin që i dukej te sytë e me fytyrën e vrarë. Dhimbja e vdekjes së nënës nuk po i tretej. Pronaria po mendonte se në prag të Krishtlindjeve Violeta do të ishte kyçi i fitimit. Ajo zotëronte jo vetëm greqishten dhe dy gjuhë të huaja, deri në bukuri komunikimi, por edhe sjelljen me finesse-tërheqëse për klientët. Gjithë ato cilësi-fitimi ishin në errësirë. Më së fundi pronaria i tha:
-Violeta, sot nuk ke punuar fare. Puna do zot. Dukesh sikur sa je çuar nga shtrati. Dhimbja është dhimbje, por puna është punë. Pa punë nuk ka jetë. Fëmijët e tu nuk do hanë mërzitjen tënde. Shko te dhoma e tualetit dhe rregullohu, sa të vish ti po shërbej unë.
Ajo vrapoi për te dhoma e tualetit. U pa në pasqyrë. Po, pronaria kishte të drejtë. Dyshoi për veten e saj. Pasi u rregullua me kijdes doli. Trishtimin për vdekjen e nënës nisi ta largojë nga vetja. "Po të më largojë nga puna? Mirë e ka pronaria, për fëmijët e mi kush do të mendojë?"
Sa hyri e shtoi edhe më buzëqeshjen. Pronaria i shkeli syrin e kënaqur.
-Dashuria për nënën nuk tregohet vetëm me mërzitje, por më shumë duke zbatuar ato porosi që ajo të ka thenë për jetën. Respekti për nënën do të jetë dashuria për fëmijtë e tu. Sytë e tu duhet të shohin vetëm drejt së ardhmes!…