>
LETERSISHQIP

Kanarina

Në ballkonin e shtëpisë, në një kafaz shumë të bukur mbaja një kanarinë akoma më të bukur. Mbi gjithë bukuritë kanarina kishte zërin. Kur e dëgjoja më dukej vetja se isha në një pyll me gjithë bukuritë e pyllit dhe aty afër ndjeja edhe freskinë e një katarakti ujëshumë. Kur këndonte kanarina unë lija çdo punë.
Një ditë, kur po pastroja kafazin, pa dashur, hapa derën dhe kanarina fluturoi. Unë ngela si i hutuar. Shikoja andej nga iku kanarina. U mbështeta te pravazi i ballkonit me sytë nga m’u zhduk kanarina. Nuk di sa zgjati shikimi im në hapësirën e pafund të qiellit.
Atë natë nuk fjeta gjumë. Shihja ëndrra vetëm me kanarinën dhe zgjohesha çdo gjysmë ore. Të nesërmen nuk shkova as në shkollë. Prindërit u shqetësuan, pa ditur se shqetësimi im i madh kishte lidhje me kanarinën. Të nesërmen mbeta përsëri në pravazin e ballkonit. Kur dielli ishte në zenith, në një shtyllë tensioni, përballë ballkonit, vjen e qëndron kanarina. Në dy këmbët i kisha lidhur nga një copë fjiongo të bardhë. Më shikonte kanarina ime.
-Eja, eja, kanarina ime!
Sa dëgjoi zërin tim ajo nisi të këndojë. Pastaj fluturoi në hapësirën e pafund të qiellit. Një ditë kanarina qëndroi mbi kafaz. Nuk këndoi po rinte vajtueshëm. E kuptova se kafazi i sillte trishtim. E hoqa kafazin nga ballkoni. Prej asaj dite kanarina vinte, ulej te pravazi i ballkonit dhe këndonte aq ëmbël sa unë e ndjeja në shpirt. Këndonte shumë herë më bukur se sa kur ishte brenda në kafaz. Pastaj fluturonte në qiellin pa anë. Liria e zogut-kanarinë vlente më shumë se kafazi im i bukur…