Albert Zholi
Molla E Evës
Atë të diel, në plazhin privat të Glifadhës (Athinë) s’kishe ku të hidhje mollën. Njerëzit ngatërroheshin me shoqi-shoqin si pleksja natyrale e gishtërinjve të duarve kur futen midis njëri-tjetrit. Kishin vërshuar për të mposhtur vapën drejt ujit të detit, edhe pse ky i fundit dukej si një xhezve e vënë në zjarr. Avujt e parë shtilleshin në formën e një mjegullnaje dhe lëvizja e qetë planetare dukej sikur nga çasti në çast do të vidhisej bashkë me gjallesat që do të bëheshin pre e nëntokës. Transoqeanikët gjigantë perceptoheshin si barka fëmijësh, ndërkohë që palmat e kishin humbur funksionin e tyre, duke marrë forma të çuditshme nën mbretërinë e avujve.
Çadrat e vendosura si kuadratet ushtarake me helmeta në parakalime s’ta mbushnin aspak mendjen se kryenin funksionin e rehatisë. Një zallamahi njerëzish, ecje në breg të detit, stërkala uji, të goditura topi, përplasje duarsh dhe biseda në celular. Njerëzit dukej se po i gërricte vetja. Të krijohej ideja se këta njerëz nuk po kënaqeshin aspak me vetminë e dëshiruar që prej kaq vitesh, e kishin kthyer në institucion jetësor.
Kthehesha në plazhin e Glifadhës pas gjashtë vjetësh dhe nuk më cyste aspak dëshira për të pikasur transformimet e begatisë. U largova nga motra dhe kunati, duke sjellë ndërmend plazhin e Durrësit, që, edhe pse ishte inferior ndaj luksit dhe madhështisë së plazhit të Glifadhës, ishte superior në ekzistencën njerëzore. Mes kësaj madhështie mungonte zëri njerëzor, ai që i jep jetë tokës. Kur isha në Greqi nuk i isha ndarë këtij plazhi, ndërsa sot, pas 6 vjetësh, ai më dukej i huaj, i panjohur, i largët. Nën forcën e bisedës sime me vetveten kisha mbërritur në breg të detit. Këmbët e mia veçuan një brez midis ujit dhe rërës. Gjysma e shputave ishte mbi ujë, gjysma në rërë. Nxehtësia e rërës përparonte dhe mpakej te gishtërinjtë që rrekeshin nën freskinë e ujit të kripur. Edhe trupi dukej se po lidhte dy botë. Një lloj ekuilibri fizik qëndronte mrekullisht në përputhjen e dy elementëve më interesantë të galaktikës: tokës dhe ujit. Meditimin ma ndërpreu një top i përplasur në këmbët e mia. Një drithërimë përhumbjeje ma përshkoi gjithë trupin. Erdha në vete, duke pikasur pranë këmbëve topin e llastikut. I kaltër, me ca pulla të kuqe, dukej si një fëmijë fajtor, që padashur i janë skuqur faqkat nga turpi. U përkula dhe e mora në dorë. Një grua rreth të tridhjetave po afrohej duke më buzëqeshur. Duhej ta kishte hedhur ajo. Trupi i gjatë dhe i rregullt, beli i hollë, buzët e trasha plot lëng, flokët e zinj të mbledhur mbrapa topuz, gjinjtë e kolmë dhe syzet e errëta të diellit, krijonin tek ajo një siluetë perëndeshe. Ajo grua e krijuar nga dheri, uji dhe pasioni, dukej si e vetmja shenjë jete në atë sallatë vape. Ishte afruar gati një metër kur unë zgjata duart për t’i dhënë topin.
- Nuk më njeh Naim? - pëshpëriti ajo duke shtuar dozën e buzëqeshjes dhe duke nxjerrë në pah rruazën e dhëmbëve. Zëri i saj m’u duk gjysmë i njohur. Kujtesa filloi të pështjellohej dhe dukej se po i binte kambanës së alarmit. E zhbirova përsëri fytyrën e saj në harmoni të përsosur, duke kuptuar se ajo fytyrë engjëllore nuk kishte hyrë kurrë tek unë.
Ndërkaq gruaja hoqi syzet. Shtanga. Sytë e saj, me shkëlqimin e ullinjve majoshë në kulmin e vajit, nuk i kisha harruar kurrë. Ata sy më kishin kushtuar ngasjen. Në blerimin e tyre dinakë ishin pleksur në mënyrë inatçore bukuria dhe shëmtia, tundimi dhe provokimi.
Po. Sytë e saj kishin rremat e pacipësisë. Ata ishin një histori e tërë pafytyrësie. Rrija si i hutuar. Nuk doja t’i flisja, as ta shihja në sy. Doja të largohesha menjëherë.
- Keni ditë që keni ardhur?- pyeti ajo duke i dhënë fytyrës një ëmbëlsi femërore.
"Oh Zot! Shejtankë të tillë nuk më kanë zënë sytë", - mendova.
- Pak ditë kam. Do të iki shpejt, - iu përgjigja me ton të zbutur. Isha përmbledhur vetvetiu. Fundi i fundit, s’kisha pse të krijoja konflikt në atë ambient. Si djallushkë e lindur, gruaja perceptoi ndryshimin dhe më buzëqeshi më me përzemërsi.
- Je me shërbim? Kam dëgjuar që ke një punë të rëndësishme në Tiranë. E kam thënë gjithnjë që ti ke qenë shqiptari më i hairit. Të kam admiruar gjithnjë për këtë.
Ndërsa fliste, gruaja më hodhi krahun.
- Po. Kisha një punë në ambasadë. Po Dritani ku është? - e pyeta me atë sinqeritetin fëminor që të tjerët ma marrin shumë herë për budallallëk. Ajo ndaloi dhe fytyra i mori një pamje serioze.
- Nuk e ke takuar Dritanin në Tiranë? - pyeti ajo e habitur. - Ju keni qenë miq të mirë.
- Jo, - i thashë me po atë ton fëminor që i drejtova pyetjen.
Ajo, duke u përpjekur të dukej e prekur në shpirt, më tha:
- Uff! Ç’të të them Naim. Ja, është pak e dhimbshme. Ka një diçka që... Dëgjo, dëgjo, - dhe fytyra i mori një mimikë dhimbjeje. - Unë dhe Dritani u ndamë. Kishim probleme. Unë e doja atë njeri, por…
Një lot i zi rrëshqiti nga syri i saj majtë i kallajisur në gjithë formën e tij të bukur. Ajo u përpoq ta zhdukte shenjën e tij.
- Ai u kthye në Shqipëri. Ka gati një vit. Ndërsa unë jam martuar me një grek. Është burrë i qetë dhe i respektueshëm. E bëra për djalin, që të jetonte i qetë, jo për vete. Tani jemi një familje normale se Jani është i pasur.
Ndërkaq i ishim afruar një shezlongu ku shtrihej një burrë mbi të 50-at. I imët, me dy kocka dhe flokë të rrallë të ngritur përpjetë, dukej sikur nga çasti në çast mund ta merrte era.
Sa më pa, burri u çua në këmbë si me komandë. Eva, duke më futur krahun e djathtë, i tha:
- Jani mu, aftos ine e protos files mu stin Alvania (i dashuri im, ky është një mik i shtrenjtë shqiptar). Duke mbështetur kokën në supin tim, i buzëqeshi ëmbëlsisht të shoqit. Ai më zgjati dorën, ma shtrëngoi fort dhe më ftoi të ulesha në një karrige portative që e kishte në krah. Mua s’po më zinte vendi. Zoti Jani m’u duk si një qenush shtëpie, ndërsa Eva si një forcë e zezë magjie. Me mirësjellje i lashë të kuptonte z. Jani se më prisnin dhe se duhej të largohesha. Ai më përshëndeti me të njëjtën përzemërsi. Ndërsa Eva, pasi ishte shkëputur për disa sekonda, u afrua me një kartëvizitë në dorë.
- Merre Naim, shtëpia ime është e hapur për ty. Unë gjithmonë të kam respektuar (dhe sytë provokues i shkreptinin si atë mbrëmje para 6 vjetësh). Ti me sjelljen dhe tipin që ke, meriton më shumë në jetë. Më kupton?
Sytë iu ndezën më shumë se në atë natë vjeshte. Ajo po kalonte në ekstazë.
- Nesër Jani ikën me shërbim në Gjermani. Do të jemi shumë rehat. Për një njeri si ti kam pasur gjithnjë nevojë. Unë mund të të dhuroj shumë.
Unë as që po e dëgjoja më. Me kartëvizitën në dorë u largova duke i thënë një "të shohim".
Motra me kunatin ishin shqetësuar për vonesën time.
- Pse je zverdhur?- më pyeti motra. Unë s’iu përgjigja, por u ula nën hijen e çadrës dhe kërkova një gotë ujë të ftohtë. Pasi e piva me një frymë dhe mbështeta kurrizin te shtylla mbajtëse e çadrës, sikur u qetësova. Shikimi m’u kthye në normalitet. Motër e kunat më shihnin ende të shqetësuar.
- Takova një person që më kujtoi diçka të hidhur, por tani kaloi. Po, kaloi, - u thashë dhe u kapërdiva.
Ata u çliruan nga ankthi dhe më vështruan me çiltërsi.
***
Ishte dasma e parë që bënim si emigrantë në Greqi. Siç e kemi zakon, nuk harruam orizin e nuses, bukën, mjaltin dhe monedhat metalike, duke dashur ta bënim sa më të pranishëm dherin dhe traditat tona denbabaden. Dasma u zhvillua në një lokal të thjeshtë në lagjen "Peristeri" të Athinës. Me Dritanin kisha qenë shok lagjeje dhe ishim sikur kishim prerë kërthizën. Ishte një vit më i madh se unë dhe ajo që na lidhte bashkë ishte miqësia e sinqertë. Sa e sa herë kishim bredhur të dy në malin e Dajtit, ndërsa unë ëndërroja të na dilte para një ari gjigant dhe t’i shpëtoja jetën. Kisha qenë gjithnjë një tip çapkën, ndërsa Dritani ishte intelektual i lindur. Njeri studios, i dalëpak me shoqëritë dhe mbi të gjitha me femrat. Eva e kishte futur në lak me hiret e saj. Jetonin ballë për ballë me shtëpi dhe ajo femër, që e mbanin si numri një në lagje, e prejardhur nga një familje intelektualësh, e bëri shpejt për vete. Familja e Evës emigroi në Greqi në 1994-n dhe pas saj shkoi edhe Dritani, që kishte rënë kokë e këmbë në dashuri me fqinjën e tij. Pas mbarimit të studimeve në Degën Fizikë me nota të shkëlqyera, Dritanin e kishin mbajtur si pedagog të jashtëm në fakultet, por ai sfidoi të ardhmen e tij. Eva sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe ishte në kulmin e shpërthimit të pranverës së moshës. Me gjithë moshën, i pëlqente të dukej si llasticë dhe të shkelte pamëshirshëm të tjerët. Kisha përshtypjen që ishte edhe pak kurvickë dhe jo vetëm prej emrit të mëkatit biblik. Edhe pse kur ecte mundohej të ulte sytë, e ndieja që ajo i shtinte meshkujt në mëkat. Kur Dritani nisi të më fliste për të, e ndjeva që diçka kishte ndryshuar në karakterin e tij. Ai më kishte rrëfyer se ajo çapkëne i kishte propozuar të dilnin një mbrëmje së bashku dhe nga ai çast ai mendonte ditë e natë për të. Kishte rënë keq në dashuri. Ai më kërkoi mendim, por unë ngrita supet. E dija që në atë çast, kur ai ishte mbuluar nga vala e dashurisë, faktet reale do t’i dukeshin si sajime dhe do të më urrente nëse do t’i kundërvihesha sevdasë së tij.
Evën e kishte ngacmuar një shoku im i kursit. Një periudhë kohe kishin bërë edhe seks, derisa në rrjetën e saj ishte peshkuar Dritani. Me tangërllëqet e saj pa fre, ajo e linte të shpresonte akoma dhe hera-herës i sajonte ndonjë takim, edhe pse dukej që me profesorin do të krijonte një lidhje serioze. Nuk di pse kam heshtur asokohe. Gjithnjë kam menduar që njeriu duhet ta njohë vetë të vërtetën dhe të nxjerrë mësimet, por shumë burra bëhen robër dhe nuk i shpëtojnë dot lakut femër.
Eva më shikonte shpesh në rrugë me Luanin, shokun e kursit, ndërsa në lagje me Dritanin. Nuk i bënte tërr syri. Unë as që ia hidhja sytë, sikur ajo të mos më shfaqej përpara meje me përmasat reale fizike. Si Luanit ashtu edhe Dritanit, Eva u kishte folur keq për mua: Mendjemadh, indiferent, mashkull gdhë që nuk di të respektojë femrat.
Po mua aq më bënte.
Prindërit e Evës u detyruan ta linin Tiranën dhe të emigronin në Athinë. Eva, sigurisht, nuk mund të rrinte pa prindërit, por edhe prindërit pa Evën. Dritani, edhe pse tashmë me një të ardhme të shkëlqyer, u detyrua ta braktiste kryeqytetin për hir të dashurisë. Pak muaj më vonë Tirana u bë e padurueshme. Emigrova edhe unë. Me Dritanin, edhe pse jetonim në një qytet, frekuentoheshim rrallë. Banonim në lagje të ndryshme, ai punonte si ndihmës bojaxhi me orare të zgjatura dhe nuk kishte më dëshirë t’u kthehej atyre bisedave të gjata shkencore që na kishin lidhur aq shumë atëherë. Antipatia ime për Evën i shtonte akoma më shumë dozat e largësisë. Me gjithë frekuentimin e rrallë, përsëri ajo shoqëri për mua kishte mbetur e rëndësishme, ndaj dhe në rastin e ndihmës më pëlqente të isha në skalionin e parë.
Eva me Dritanin jetonin prej kohësh bashkë pa bërë ndonjë ceremoni. Ndërsa e takova një ditë Dritanin, i thashë të bënin një dasmë se shpenzimet e darkës ia merrja unë përsipër. Mua më ecnin goxha mirë punët dhe më dukej se duhej të bëja diçka shumë të veçantë për t’i treguar që ai kishte shumë vlera në jetën time. Bashkë me të shoqen e mirëpritën dhe e vlerësuan këtë akt. Mora një orkestër që bridhte nëpër dasmat e shqiptarëve, e përbërë nga sazexhinjtë e Përmetit, që në ato vite të vështira mbijetese për shqiptarët ishin larguar drejt tokës së Orfeut. Orkestra u vendos në cep dhe përbëhej nga një klarinetë, një fizarmonikë, një def dhe një kitarë, aq sa për t’i qarë ato këngët e Jugut.
Dritanit i erdhi vetëm babai, ndërsa nëna nuk kishte mundur të pajisej me vizë. Farefisi i Evës ishte mbledhur në Greqi dhe u vendos në ballë të lokalit dhe rreth tyre 70 familjarë të tjerë, shokë, miq dhe të afërm të çiftit, të gjithë të pispillosur si për festë. Sigurisht, ndriçimin më të madh mes të ftuarve e kishte nusja me dhëndrin. "Janë bashkuar një diell dhe një hënë", - më tha njëri nga orkestrantët. Fustani dhe velloja e bardhë e Evës, ecja e saj si një shtojzovalle, tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve menjëherë sapo ajo përshkoi së bashku me dhëndrin korridorin dhe u vendosën në ballë të tryezës.
Ka një bukuri mahnitëse momenti i dasmës. Një rit që ka mbijetuar me shekujt dhe që është bërë pjesë e njeriut. Gjithë ata të ftuar që gëzojnë për dashurinë e dy të rinjve. Bashkimi ritual mes një femre dhe një mashkulli, ku të dy shijojnë mrekullinë e natyrës dhe shumimit në çastin më të epërm të prehjes fizike. Ky zakon i bukur njerëzor kërkon gjithë respektin human. Dhe në fakt, mirësia e të pranishmëve ngrihej rreth e rreth tryezave, ku të ftuarit shijonin bukën e të martuarve për t’u uruar një jetë të mbushur me gëzim e me trashëgimi. Natyra kishte falur goxha dhunti tek ajo nuse. Gjithnjë e kujdesshme, pispilluqe, e buzëqeshur para meshkujve, të jepte përshtypjen e një engjëlli. Dukej se ishte bërë nuse vetë, sepse dallova fytyrën e qumësht, sytë plot nur, gjokset e nginjur, vithet e hajthme, që të bënin t’i kushtoje se s’bën vëmendje. Kur sfiloi pranë meje për t’u ulur në vendin e saj të rezervuar, e përshëndeta thatë. Atë mahnitjen e madhështisë së saj para meshkujve nuk e duroja dot. Përkthehej: "Edhe sot nuk të pëlqej? Para bukurisë sime janë përulur burra të fisëm që janë mbajtur si njësha, jo ti!". Kjo lloj parade djallëzore nuk më shkonte aspak për shtat. Në momentin që na u kryqëzuan sytë, ajo afroi kokën te Dritani dhe me vështrimin ende tek unë e puthi atë lehtë në faqe. E hoqa vështrimin vrikthi nga ajo dhe u drejtova tek orkestra. Nuk më pëlqeu ajo puthje, dukej artificiale.
- Merrjani një kënge popullore, - u thashë sazexhinjve. Dëshiroja një tjetërsim ambienti me shije shqiptare për të dalë nga ajo gjendje melankolike që më kaploi trupin.
Orkestra filloi të këndonte njëzëri:
Te qafa e malit
Të putha në buzë,
Loti preu faqen
Zemrat u bënë urë.
Ata tinguj ishin të magjishëm. Klarinetisti dukej sikur ata tinguj i nxirrte nga thellësia e shpirtit dhe jo nga një instrument i pajetë. U harrova mbas atyre tingujve dhe fillova të këndoja bashkë me ta. Nisën të na shoqëronin të gjithë. Ai lokal i vogël dukej se do të shembej nën tingujt e orkestrës dhe të korit të të ftuarve:
Kjo urë le të zgjatet
Sa koh’ e kurbetit,
Lotët s’do të thahen
As nga er’ e detit.
Klarinetisti u ngrit në këmbë. Ai ulej dhe ngrihej me klarinetën në dorë sa dukej se ishte bërë njësh me të. Ndërkohë nisi të lotonte. Atmosfera u ndez më shumë. Njerëzit, jashtë çdo organizimi, kërcenin sup më sup. Kështu vazhdoi dasma deri në të gdhirë. U largova i fundit nga lokali, pasi likuidova pagesën me pronarin. Kishte qenë një moment i veçantë.
Pas dasmës me Dritanin takohesha më rrallë. Puna e rëndë kishte nisur t’i nxirrte kërkesa të tjera. Pas disa muajsh çiftit i erdhi në jetë një djalë.
Pikërisht kur djali mbushi muajin, Dritani u rrëzua nga ballkoni i një ndërtese trekatëshe ndërsa lyente. Kur Eva më lajmëroi atë pasdite për katastrofën, nuk mund ta besoja. Kishte thyer të dyja duart dhe i ishin prerë gishtat e dorës së djathtë. Një katastrofë për atë burrë të ri, që sapo kishte krijuar familjen e tij. Shtrimi në spital ishte një problematikë më vete. Dritani nuk kishte sigurime shoqërore dhe pjesën dërrmuese të shpenzimeve të spitalit e mbuloi vetë, me kursimet e pakta që kishte vënë mënjanë gjatë tre viteve punë. Dritani ndenji rreth një muaj e gjysmë në spital dhe unë çdo natë gdhihesha pranë tij. Në këtë periudhë miqësia jonë u bë si atëherë në Tiranë. Edhe Eva filloi të ishte më e përzemërt me mua, megjithëse unë qëndroja në llogoret e indiferencës. Pas daljes nga spitali, ekonomia e Dritanit ishte shkatërruar. Sipas mjekëve, ai nuk mund të punonte në ndërtim ose në zanate me lodhje fizike. Kjo gjë e shkatërroi Evën. I ati i saj kishte tre muaj që kishte vdekur dhe barra ekonomike ra në duart e së ëmës. Ndaj të shoqit filloi të shfaqte shenja indiferentizmi dhe nënvlerësimi. Kjo solli sërish largesën time. Nuk i duroja dot ankesat për të shoqin në sy tim dhe sikletin e paaftësisë së tij. Nuk di se sa kisha pa shkuar, kur një mbrëmje, rreth orës 19.00, zhurmoi celulari. Në ekran dallova telefonin e shtëpisë së Dritanit. I telefonova menjëherë.
- Alo, Naim, Eva jam. Hajde pak në shtëpi se kam një problem.
U shqetësova jashtë mase. Mendova se mos Dritani kishte pasur ndonjë komplikacion dhe renda. Pas 20 minutash u gjenda në prag të shtëpisë së tij. I rashë ziles.
- Kush është?- dëgjova Evën në citofon.
- Naimi jam, - thashë me nxitim. U dëgjua sinjali elektrik i hapjes së derës. Kur u ngjita, te dera e hyrjes së apartamentit të tyre me qira qëndronte e ambalazhuar një sobë elektrike. E mora me mend pse më thirri Eva. Dritani nuk mund ta fuste brenda atë pajisje elektrike. Pa arritur të trokisja gruaja e re më hapi derën. I zgjata dorën me një fill buzëqeshjeje në buzë. Ajo ma shtrëngoi gjatë dhe më afroi afër vetes duke më puthur si mik të vjetër. U befasova paksa nga ky afinitet. Sakaq te dera u shfaq Dhionisi i vogël, të cilit nuk kisha harruar t’i merrja një pako biskota. Isha në pritje të daljes së Dritanit dhe nënës së Evës, por më kot. Gruaja, siç duket, e kuptoi shqetësimin tim dhe më tha:
- Prandaj të thirra, nëna me Dritanin nuk janë sot. Ata kanë ikur në Tiranë për punën e ca dokumenteve të shtëpisë. Vetëm nuk mund ta fusja brenda sobën.
U stepa. Mund ta kishin futur punëtorët që e transportuan. Si djall që ishte, gruaja e bleu menjëherë mendimin tim dhe shtoi shpejt e shpejt:
- Më saktë, nuk kishte kush të ma montonte. Kush rri tri-katër ditë pa sobë.
Hoqa xhaketën dhe iu përvesha punës. Pasi e futa brenda stufën, fillova montimin. Puna vazhdoi mbi një orë. Gjatë kësaj kohe Eva po tundte në krevat të birin. Përsëritja e herëpashershme e emrit Dhionis, Dhionis, sikur më ngacmonte nervat. Sesi më tingëllonte ai emër i huaj, kur ne kemi emrat tanë aq të bukur. Kur Dhionisin e kishte zënë gjumi, ajo u fut në kuzhinë:
- Hë Naim, u lodhe? Të më falësh, por nuk kisha rrugë tjetër. Unë ty të kam këtu. Ktheva vështrimin nga ajo. Nuk u besova syve. Ajo kishte mbathur një këmishë nate transparente, ku shquheshin breçkat fine dhe sytienat e zeza, të plota. Flokët i kishte anuar në të mëngjër dhe rrinte aq normalisht sa më cimbisi në kraharor. Kur shikimet tona u kryqëzuan, ajo buzëqeshi në mënyrë kaq ndjellëse, sa brenda qenies sime u trondit sistemi i jetës. Dy qenie filluan të kaploheshin brenda meje. Një piskamë epshi dhe dëshire për të hyrë në shpellën e seksit të saj dhe një vetëkontroll natyral për nder të sinqeritetit miqësor. Nga njëra anë, tundimi i pashpirt drejt rrugës së mëkatit përballë një krijese të bukur dhe të brishtë, nga ana tjetër serioziteti burrëror i besnikërisë, që në këto momente të fisnikëron mbi çdo gjë. Pas atij dyluftimi të brendshëm, aq tragjik, brenda meje u vendos paqja. Po, asgjë nuk do të ndodhte. Epshet mashkullore u strukën, u fshehën si iriqë duke i lënë vendin miqësisë.
Si djall që ishte, gruaja e deshifronte më mirë se unë dyluftimin tim.
- Do të gatuaj një tavë dheu me fërgesë. Nuk e ke idenë sa të shijshme e bëj, - tha gruaja.
- Jo, Eva. Unë do të iki.
- Mos e diskuto një gjë të tillë. Sonte do të hash bukë me mua se nuk hahet buka vetëm. Pastaj u lodhe!
- Jo, nuk u lodha, përkundrazi.
- Lëre kokëfortësinë dhe mendjemadhësinë.
Nga minibari gruaja nxori një shishe vere dhe pasi hoqi tapën e derdhi në dy gota. Ndërkohë unë provoja sobën. E hapa dhe e mbylla disa herë derisa u binda se funksiononte normalisht.
- E ke në rregull, - i thashë Evës dhe mora gotën e verës.
- Gëzuar dhe ta gëzoni sobën. E vura verën paksa në buzë. Në këtë moment ajo ishte ngjitur me trupin tim. Parfumi i saj të ftonte drejt ngasjes. Befas më hodhi duart në qafë. Shtanga. Frymëmarrja e saj kryhej brenda buzëve të mia. Nuk durova dot më. Ia kapa të dyja duart, ia hoqa nga qafa dhe e shtyva tutje. Ajo desh u rrëzua. Hapi sytë e frikësuar. Nuk e kishte pritur këtë lloj reagimi. Sytë dhe fytyra iu egërsuan në çast. Bukuria dhe feminiliteti i perënduan nga fytyra. Ngjasonte me një luaneshë të plagosur, e cila kurrsesi nuk mund të pranonte humbjen, duke pasur parasysh dhuntitë e saj. U zvarrit duke përtypur buzët dhe gotën e zbrazur të verës e vendosi mbi sobë. Sytë e saj të tmerrshëm shpërthyen në një urrejtje të paimagjinueshme. Duke shtrënguar dhëmbët nga sfida, zhveshi këmishën dhe me një shkathtësi prej buçeje i hodhi poshtë këmbëve sytienat. Ai trup lastar si një shelg i bardhë liqenesh të tundonte. Një metër larg meje ishte engjëlli dhe djalli, njeriu dhe shtaza, qejfi dhe mëkati. Mbylla sytë për një çast dhe shtrëngova dhëmbët. Para syve m’u shfaq Dritani, pa atë energjinë e dikurshme, pa forcën fizike dhe ëndrrat e marra. Kishte kohë që shpirti i tij nuk qeshte si dikur. Ajo ishte afruar sërish aq afër, sa frymëmarrjet tona dëgjoheshin qartë. Ajo frymënxirrte epsh dhe dëshirë shtazore seksi, unë ndieja urrejtje për atë grua mjerane.
- Mos do të më shtysh prapë dhe do të më thuash se sonte nuk do të flesh me mua? Mblodhi buzët duke shtrënguar dhëmbët. Fytyra i ndërronte çehre çdo sekondë. Herë i nxihej, herë i zverdhej, herë i merrte ngjyrë gri, herë ngjyrë të kuqe. Dukej si ylber, ku çdo ngjyrë imponohej nga instinkti. Në këto momente nuk kishte mbetur asgjë nga Eva normale. Nën këtë ngjyrim të gjithëndryshueshëm të fytyrës ajo hoqi edhe të mbathurat. M’u duk si një prostitutë që përpiqet me çdo mënyrë të afrojë një klient të çfarëdoshëm, vetëm e vetëm që të fitojë paratë e punës. Një shpërfytyrim i pazakontë i natyrës femërore.
- Eva, unë nuk mund të bëj asgjë me ty. Më dëgjon?
Ajo m’i nguli sytë dhe po më ndiqte.
- Unë nuk mund të shkoj me një grua që s’e ndiej, me një grua që kam krijuar miqësi dhe më vonë dashuri vëllazërore. Unë Dritanin e kam shok, vëlla. Nuk mund ta ha në besë. Më duket sikur po shkoj me motrën time.
- Ha, ha, ha, - u zgërdhi ajo. - Kam vite të tërë që e vuaj nënvleftësimin tënd. Por unë jam e bindur që ti më dëshiron. Kur dëshiron dikë më shumë se jeta jote i hedh tutje të gjitha lidhjet. Kush pyet për miqësi para një femre si unë. Unë dëshiroj të jem tani, në këtë çast, brenda shtizës tënde. Kam nevojë për një mashkull si ty. Sot ti do të flesh me mua. Do të bësh dashuri gjithë natën me mua. Dhe e di? Herën e parë do ta bëjmë këtu, mbi sobë. Seks mbi sobë... Ndoshta vetëm ne të dy në mbarë botën do ta provojmë për herë të parë. Ajo kërceu mbi metalin e ftohtë dhe hapi këmbët duke zhytur gishtat e mi në organin e saj që kullonte qejf.
Unë tërhoqa gishtat, i fshiva në këmishë dhe e shkunda nga supet. U bëra gati ta shtyja më fort se herën e parë. Ajo reagoi si ujkonja ndaj rrëmbyesve të këlyshëve.
- Nëse më shtyn do të bërtas. Do të bërtas sa të dëgjojë gjithë lagjja. Dhe ti e di shumë mirë se ç’të pret në Greqi kur përdhunon një grua. Do ta marrin vesh të gjithë dhe do të kalbesh në burg.
- Bërtit sa të duash moj bushtër e dreqit, unë nuk mund ta kryej këtë akt. Për mua është më shumë se një krim.
- Tani po e kuptoj.
Gruas së inatosur i lodroi një nënqeshje ironie në fytyrë. Një nënqeshje e përdalë, e jargavitur, pa ndjesi njerëzore.
- Ke të drejtë. Ti ndoshta je i sëmurë dhe nuk bëhesh dot mashkull, je impotent.
Për një moment u hutova. Taktika e saj më la pa fjalë. Kurrsesi ajo grua nuk mund të luante me karakterin dhe forcën time mashkullore.
- Ah, po është kështu puna më fal! S’mund të bisedohet me një mashkull që nuk është i aftë të përmbushë kriteret e tij gjinore. Më fal, po ndoshta ke dhe sëmundje, - tha dhe nënqeshi sërishmi, po aq në mënyrë të poshtër, sa nuk m’u durua:
- Jo, Evë e dashur! Unë jam mashkull dhe do të të çaja më dysh, - i thashë dhe e ngrita zërin.
Ajo u step.
- Nuk mendoj se do ta merrje veten kaq shpejt. Fuqia ime mashkullore nuk është e thënë të të japë kënaqësi ty.
- Si?
Ishte strukur pas sobës.
- Po, unë kam vend ku ta tregoj këtë fuqi.
Duke përfituar nga hutimi i saj u turra te dera dhe fluturova jashtë, duke e mbyllur derën me forcë pas meje. Nga ai veprim i rrufeshëm, ajo s’pati kohë për reagim. Në ecje e sipër këmbët e mia shkelën mbi veshurinat e saj që në atë ambient ishin më origjinale se fjalët. I kapërceva shkallët tre e nga tre dhe nuk e di se si nuk u rrëzova.
Për fat këmbët më çuan larg atij vendi, larg asaj femre. Brenda vetes ndieja neveri. Më vinte të villja dhe e urreva qenien femër me gjithë forcën e shpirtit tim.
***
Jetoja një botë tjetër. Kudo më ndiqte hija e Dritanit. Me të ishim ngrysur duke përkthyer Rolling Stonsat, kishim shkëmbyer
pantallonat xhins dhe kishim ëndërruar të ishim miq të përjetshëm. Përse vallë njohja me seksin e ëmbël do të na ndryshonte udhën e jetës. Përse fati ynë kishte ndryshuar kaq dhimbshëm dhe përse atij djaloshi aq të zgjuar i ishte shndërruar udha e jetës në një ferr real? Pse i kishte rënë për fat një nepërkë. A janë të gjitha femrat kështu? Aty të japin ëmbëlsinë, aty hidhërimin; aty të falin bukurinë, aty të marrin mendjen; aty të japin gëzimin, aty të derdhin helmin; aty të pushtojnë ndjenjën, aty të mallkojnë me zemër; aty të ngrenë përmendore dhe po aty të ngjallin krupën.
Truri im ziente, bluante, tkurrej, bymehej, vetëm nën ligjin femër. Gjithë ato ditë edhe të dashurën time nuk e mora në telefon, lëre më ta takoja. Më dukej se edhe ajo kishte diçka si Eva. Ky mendim më sfiliste, më priste gjunjët. Nuk e di se sa ditë kaluan në këtë gjendje, kur një mbrëmje, para pallatit tim, u përballa me Dritanin. U afrova ta takoja, por që në momentin që vështrimet tona u kryqëzuan ai mblodhi vetullat dhe morsoi nofullat. Acaronte një dimër zemërak.
Kur iu afrova në largësinë e të dhënit të dorës, ai papritur shfryu:
- Ptuh!
Një bëllgamë e madhe pështyme mbuloi fytyrën time.
-I poshtër!
Një pëllëmbë e fortë zemërimi u përplas në faqen time të majtë. Sytë më lëshuan xixa. Për një moment m’u errën sytë.
- Fëlliqësirë! Dhe një shkelm u përplas në gjurin tim të djathtë. Dhembjen e tmerrshme e struka brenda vetes, duke shtrënguar fort dhëmbët. Një poshtërim i tillë nuk më kishte ndodhur kurrë. Vetja më dukej si një leckë e hedhur atje tej, te koshat e mbeturinave. I vetmi qetësim shpirtëror në ato momente ishte mungesa e kalimtarëve.
- Ti do vrarë, - shqiptoi ai për herë të fundit duke u fshehur në natën e zezë.
Nuk mora mundimin as t’i flisja, as ta sqaroja, as t’i kundërpërgjigjesha.
Atë pasdite nuk dola nga shtëpia. Fika celularin dhe u shtriva në shtrat. Deri të nesërmen në mëngjes ndenja pa fjetur, duke parë vetëm televizor. Nuk e besoja që Eva mund të arrinte deri këtu. Nuk e besoja që një femër mund të gënjente deri në atë farë feje. "Si janë transformuar njerëzit?" - pyesja veten. Të nesërmen u nisa në punë me humor të prishur. Rrugës ecja i shkujdesur, pa parë as majtas, as djathtas. Sa vura në gjendje pune celularin, dëgjova zilen. E hapa pa vënë re kush ishte telefonuesi.
- Urdhëro!
- Si je gdhirë sot, mirë?- dëgjova një zë femre që për momentin nuk e njoha.
- Mirë, - i thashë sa për t’u përgjigjur.
- S’besoj. Nuk mund të flihet mirë kur merr një të pështyrë, një pëllëmbë dhe një shkelm. Ë?!
Nuk do të ishte më bukur të kishe bërë seks me një femër që të dalldis kur e zhdëp me shkopin mashkullor?
Nuk mund ta dëgjoja më atë zë. Zëri i saj në telefon më dukej si sokëllima e një bushtre që i përdredh bishtin çdo qeni që i shfaqet përpara. Nga inati, në vend që ta fikja celularin e përplasa atë fort në tokë. Copat e tij të thyera u përhapën në mënyrë rrethore. Njerëzit që po kalonin ngritën supet. Shfryva një "uf" si balenat që dalin mbi sipërfaqen e detit. Një grua plakë u afrua dhe me një zë të ëmbël më tha:
- Me siguri diçka e keqe të ka ndodhur (në greqisht). Mblidhe veten. Jeta është mbushur me hipokrizi, pabesi dhe shejtanllëk - dhe u largua duke tundur kokën.
***
Atë pasdite shtatori isha ulur para Galerisë së Arteve. Në atë lokal preferoja gjithnjë tavolinën e fundit, aty ku me një të zgjatur të dorës mund të prekje statujat e ndryshme, midis të cilave edhe ato të rilindësve të vendosura enkas për bashkëbisedime brezash. Sapo kisha dalë nga një promovim libri dhe mbresat e diskutimeve u përzien me mendimet e mia. Romani i një shkrimtareje të re, me një analizë interesante, më zhyti sërish në botën e emigrantit. Në atë botë ku mister kishte mbetur Eva. Ajo ngjarje më ishte kthyer në makth. Veten e vendosa në rolin e Lindës (personazhit kryesor të romanit të shkrimtares), ndërsa vajzën prej statuje në rolin e Evës.
Linda: - Eva, pse e gënjeve burrin tënd?
Eva: - Do të vijë dita që edhe ti do ta gënjesh atë tëndin.
- Jo, me mua nuk ndodh! Unë tashmë kam atë që dua.
- Po nëse ai do të neveritet?
- Neveritja e ka fillesën te njohja në detaj e negatives, jo te vazhdimësia. Kur dashuria është e fortë, zbukurohet dhe neveria nuk gjen vend. Neveritet vetëm njeriu që nuk ka vlera.
Ti…
Dikush, pa marrë leje, u ul në tavolinën time. Dialogu sakaq mori fund. Ktheva kokën me përtesë nga i sapoardhuri hije, pasi më çuditi fakti që dikush u ul pa më përshëndetur dhe pa marrë leje. Sapo njoha siluetën e tij, u preva në fytyrë. Sytë e tij të mbushur me rrudha më kundronin me lutje. Për minuta të tëra sytë tanë, të fokusuar te njëri-tjetri, krijuan një pikë kontakti aq të fuqishme, sa dukej se bisedimi me sy do të nxirrte xixa. Burri ishte hequr në çehre, ishte thinjur, ishte zbehur. Në sytë e tij lexova të vërtetën e mëkatit.
"Ti zbulove te vetja se ajo që të mungonte më shumë ishte paraja. Nga ngazëllimi i parasë shkove me një burrë grek. Unë s’kam ndryshuar natyrë, përkundrazi e kam ndierë veten ngushtë kur kam fituar para të shumta me punë dhe më vinte turp ta shprehja gëzimin në praninë tënde, sepse më dukej se të nënvlerësoja para parasë. Ti ishe gjëja më e bukur e jetës për mua. Nuk mendoja se do të shkonte për shtat gëzimi dhe martesa me një burrë vetëm pse është i pasur. Te njeriu ka diçka më madhështore se paratë. Është shpirti. Unë t’u përkushtova ty, sepse rashë në dashuri. Të njëjtën gjë ma kishe shprehur edhe ti. Harrova nënë, baba, atdhe, profesion për t’u përshtatur me ty. Dhe ishim të lumtur. Gjithkund kemi qenë bashkë, gjithkund jemi ngazëllyer me veten tonë dhe kemi ndërtuar ëndrrat tona. Pas aksidentit tim ti për herë të parë nuk më fole për plane, punë, perspektivë, dialog, ndjenjë. Fatkeqësia të rrëmben një pjesë të normalitetit, por kurrë nuk ta fshin shpirtin. Unë do të të doja akoma më shumë, edhe pse mund të ishim më të varfër. Në këtë jetë i kam sytë vetëm për ty".
Dritani qëndroi ashtu për minuta të tëra. Unë lexova te sytë e tij gjithë bisedën me Evën.
Pastaj, kur filli i dialogut u ndërpre, ai uli sytë përdhe dhe tha:
-Më fal, Naim. Më fal! E besova verbërisht.
Dy pika loti i rrëshqitën faqeve të rreshkura nga dielli.
Unë e shihja ende me vëmendje në çdo milimetër të fytyrës. Sa ishte tjetërsuar! Sa dhimbje kishte në fytyrën e tij! Sa shpejt i ishte tretur freskia e fytyrës, aq e lakmuar nga femrat!
- E takova para një jave. Isha në Athinë. Ja ku e ke kartëvizitën, - i thashë duke e lëshuar atë në tavolinë. Ajo letër katërkëndëshe, e bardhë me germat e zeza që tregonin adresën dhe telefonin e Evës, i dha një tronditje elektrike Dritanit, sa ai filloi të dridhej. Mezi po merrte frymë. Nofullat i shtrëngoi aq fort, sa dhëmbët brenda folesë gojore filluan të kërcisnin. Zgjati trupin dhe dorën njëkohësisht për të marrë në dorë kartëvizitën. Kur dora ishte fare pranë saj, ai e tërhoqi menjëherë si i zënë në faj.
- Si e takove? Ku? Me kë ishte? Me djalin? Por dhe …? - një breshëri pyetjesh që nuk munda t’i ndaja njëra nga tjetra. Përsëri sytë filluan t’i lotonin. Unë përhumba në mendime për ta lënë të qetë në gënjeshtrat e pafajshme që thurte ky njeri brenda vetes. Me keqardhje e kuptova tërësisht se ai e dashuronte akoma. Ai po e vuante me të njëjtat përmasa atë dashuri. Po Eva, gruaja e llastuar, delikatja, provokuesja, mendjemadhja? Ajo as ka për të njohur dashuri. Dashuri për të do të jetë çdo mashkull që njeh, mjafton të ketë para, të jetë i fortë dhe pak misterioz. Asnjë gjurmë nuk lë tek ajo çdo mashkull kur largohet prej saj, pavarësisht kohës së njohjes. Sa femra të tilla si Eva ka sot në botë! Ka shumë? Vallë a dashurojnë ato një herë me gjithë forcën e ndjesisë femërore, pa interes dhe lakmi pangopësie? Çfarë shijojnë ato në lukuninë mashkullore të shfryrjes së epshit duke u dhënë vetëm para dhe asgjë të sinqertë? A kanë nevojë këto femra për dialog, për të mësuar, për të biseduar, për të qarë hallet…? Sigurisht që jo. Ato kanë nevojë vetëm për qejf. Qejf të bazuar jo në ndjenjë, por në interesa, shitje trupi, si sendet e shtëpisë që ndërrohen kur vjetërsohen pa u kushtuar rëndësi dhe… Një frenim makine në bulevard më preu mendimet. Dritani kishte marrë në dorë kartëvizitën dhe e rrotullonte sa majtas-djathtas. Pashë me dhimbje se ajo kartëvizitë po i jepte kënaqësi.
- Mua nuk ma ka dhënë adresën, - psherëtiu thellë si pa vetëdije, duke e vendosur kartëvizitën në xhepin e këmishës.
A do të kishte vlerë ta qortoja? Dritani s’do të dëgjonte asnjë nga fjalët e mia. Duke i hedhur sytë për herë të fundit, kujtova një shprehje të Rasit: "Dashuria është zjarr që nuk mund të fshihet në zemër. Të gjitha na tradhtojnë: zëri, heshtja, sytë. Kush mundohet ta mbulojë, e shfaq më mirë atë".
"Mos i mbiftë në prag askujt një dashuri e tillë!" - i bëzana statujës dhe u largova.

Më shumë nga Albert Zholi
- Progonati, Vendi I Bilbilenjve Të Shquar
- Ndjenja Tronditëse
- Për Ty
- Kodi I Syve Të Dorianës Që Theu Një Dashuri
- Lypsi Që Nuk Është Lypës
- Piktori I Vogël
- Je Martuar Me Prindërit E Saj
- Zonja Nga Athina
- Fëmija Grek Që Mësonte Shqip
- Jeta Plot Befasi
- Migena Si "Syri I Kaltër"
- Gjakmarrja Duhet Të Marrë Fund
- Dikur, Vajza Kosovare
- Hiret E Një Gruaje Bionde
- Mesazhi I Një Nate Pranvere
- Pa Titull
Komente 0