>
LETERSISHQIP

Mashtruesi

Eh, kjo botë! Botë e ndyrë! Botë lavire! E mbushur me mashtrues të çdo lloji. Ca me fytyrë të bukur, fytyrë engjëlli, të tjerë të urtë si delet në vathë, të tjerë si fëmijë të zënë në faj, ca të tjerë akoma më mirë, skuqen si paparunë dhe vënë gishtin në gojë kur dëgjojnë hallet e mëdha të njerëzve. Mashtrimi? Arti më i vështirë dhe më i pabesueshmi i çdo shekulli... Çudi! Vegjeton në çdo kohë. Vegjeton nga njerëz që e kanë kthyer në art këtë lloj komunikimi. Shumica dembelë dhe të paaftë. Të tjerë të etur për para të pandershme.

Të tjerë të etur si njeriu në shkretëtirë që të fitojnë në pak kohë atë që të tjerët duan vite të tëra... Më është dhënë rasti të njoh disa syresh... ca elegantë dhe të mbajtur. Ca të shëndoshë dhe të “qetë”, të tjerë si shefa ministrish... Shumë të tjerë si biznesmenë në të folur apo drejtues ndërmarrjesh të fuqishme private.

Por të tjerë edhe të shoqëruara me femra të bukura, që për përshëndetje të ofrojnë gjokset e zbuluara dhe për “Mirupafshim”, kofshët e ekspozuara nga fundi i shkurtër për “mungesë cope” nga ana e rrobaqepësive firmato. Ndër shumë mashtrues do të veçoja njërin. Më ka habitur pasi nuk lashë vend pa trokitur për ta njohur nga afër. Të merrte në qafë po ta shihje. I gjatë i shëndetshëm, me flokë të prerë shkurt sipas modës, të lyer me një xhel të lehtë. I qetë si deti në mbrëmje kur fliste. I kujdesshëm në përgjigje. Fliste shtruar sa, medoemos që do dilje me mendjen e tij nga zyra. Kur e dëgjoje thoshe “është vetë Mesija”. Zoti e ka dërguar enkas të ndihmojë fukarenjtë e shumtë në këtë botë ku harrohet mirësia. Kisha dëgjuar shumë për RK-në, por kur e takova dhe bisedova u binda për çka më kishin thënë.

Aq më keq që ishte dhe bashkëpatrioti im. Sepse tashmë të gjithë të huajt na shohin me dyshim, sepse më shumë kanë njohur (ata) shqiptarë të tipi RK pasi mediat, ata publikojnë. Pra RK-ja ishte njëri prej shqiptarëve “patriotë” i cili po të kishte studiuar në shkollat më të famshme të mashtrimit (që fatmirësisht nuk ekzistojnë, po qe se do të kishte në ndonjë vend të botës shkollë të tillë), nuk kishte për të patur kaq shume sukses dhe jetëgjatësi. S’është e habitshme se si RK në bllokun e tij numëron rreth 1 000 të mashtruar. Paçka se asnjëherë nuk e ka patur fatin dhe aftësinë të kandidohet për tu votuar si deputet. Mund të ketë më shumë se kaq simpatizantë një kandidat për deputet? E pabesueshme në këtë katrahurë të elektoratit kaq të shpërqendruar shqiptar.

RK-ja ynë mori rrugën e mërgimit (apo më mirë të themi si duam të shprehemi ne shqiptarët, u arratis) nga Shqipëria mbas viteve 90, kur filloi vala e emigrimit masiv. Fillimisht u vendos në Itali. Dhe në këtë fillim punoi punë si të gjithë emigrantët e sapoardhur. Por pa humbur shume kohë, arriti të punësohet pranë një zyre punësimi. Kur në intervistën e prag punësimit, iu desh të premtonte me të drejtë se po ta merrnin në punë, ai ka për të mundur ti gjej kësaj kompanie punësimi mjaft krahë pune, pasi shqiptarët e tij ishin me shumicë në këtë shtet, dhe se shtoheshin dita ditës. Shpejt e shpejt shqiptarët e gjetën “shpëtimtarin” e tyre. I cili jo vetëm punë u premtonte shqiptarëve të sapoardhur në Romë, por sidomos shqiptarëve që u nevojitej një përkthyes dhe një avokat për plotësimin dhe marrjen e dokumenteve të emigracionit, u premtonte Amerikën e vërtetë.

Mirëpo, meqë RK-ja jonë nuk pati kohë të humbiste, nuk kish pse të behej avokat, sepse ishte shumë më e lehtë të gjente të bijën e një avokati të njohur dhe t’ua prezantonte atë si njërën nga avokatet më të zonjën pranë zyrës së emigrimit. Kështu që RK-se filloj t’i mbushej zyra plot nevojtarë, xhepi plot me para, ndërsa shqiptarëve shpirti me shpresën se kanë gjetur një vëlla të tyre që gjithsesi po bën diçka për të mirën e tyre. Mbas një kohe relativisht të gjatë, mësohet se avokatja e zgjedhur nga RK-ja dhe vetë ai nuk po bënin asnjë dobi në pajisjen e asnjë shqiptari me dokumente, përkundrazi, po fitonin depertation, madje edhe miq të afërm, ose kushërinj të RK-së, u është dashur jo vetëm të lënë Mich për ti shpëtuar depërtimit, por të lënë edhe mbiemrin e të zhduken, për të rifilluar dokumentet nga e para, për të paguar avokat diku tjetër.

Kështu që pak e nga pak viktimat filluan të rrallohen. Duhej marrë një aksion tjetër. Me një zgjuarsi të lakmueshme R.K - krijon një bandë të cilën e quan “grup pune”, sajon ca formularë specialë, siguron vizë për Greqi, dhe niset për gjueti viktimash. Vendoset për ca ditë në Greqi me gjithë bandën e tij, stafin, grupin e punës, dhe hap lajmin tek emigrantët shqiptarë në Greqi se na paska ardhur një grup pune nga Amerika e cila ka sjellë ca formularë me të cilët mund të fitohet vizë punësimi në USA. Kush është emigrant shqiptar në Greqi që nuk do ta kishte ëndërr të punësohej e të ri-emigronte në Amerikë, dhe që nuk do të paguante të gjitha kursimet e vitit për një vizë ligjore siç e ofronte RK-ja.??? Shqiptarët shkuan e plotësuan formularin dhe e paguan gjobën $ 2100 për formularë. Morën numrin fals të tel të RK, avokates së famshme dhe fjetën në dafina se kishin paguar vizën për në USA.

Kthehet RK-ja në Shqipëri dhe me tu kthyer ia këput e blen një goxha shtëpi. (Nuk tha askush se e bleu shtëpinë me lekët e fakirëve që mashtroi në Greqi, askush ende nuk thotë as nuk mendon se shtëpinë e bleu me lekët e tyre!). Por thjesht pyesin sa veta erdhën nga ata që e plotësuan dhe e paguan aplikimin e R.K-së???? Sa veta erdhën ose të paktën sa vetave iu kthyen paratë???

Me rënien e ekonomisë, zyra e punësimit ku RK-ja ishte i punësuar si agjent, u mbyll. Kështu që edhe RK-ja e humbi zyrën, punën dhe shansin për të mashtruar. Po një mashtrues kur bëhet profesionist, vjen një ditë dhe nuk rri dot pa mashtruar edhe falas po të jetë nevoja. Fantazia e një mashtruesi ia kalon edhe fantazisë se G.G. Markezit. Dhe çfarë krijon? Për tu bërë patriot kësaj here, jo për para, sjell një ide marramendëse.

Krijon një grup të ri pune. Kësaj here duke përdorur figura të komunitetit. Dhe nuk e ka kurrkush idenë se si ka mundur t’i bind, që t’u bëjnë thirrje shqiptarëve pa dokumente dhe familjeve që u janë depërtuar pjesëtarë të familjes, të shkojnë pranë kishave e të plotësojnë formularët e përgatitur nga grupi i punës. Sepse ky grup na paska krijuar një reputacion kaq të fuqishëm, sa të mund t’i propozojnë governatores, zyrës së emigrimit, dhe një senatori, të thyejnë ligjin, ose ta ndryshojnë ligjin e depërtimit, vetëm e vetëm për shqiptarët. Meqë qenka kujtuar (nëse është kujtuar) R.K-ja se shqiptarët janë të mirë, punëtorë etj dhe nuk duhen depërtuar. Pra ky grup ka bërë gati formularët dhe i gjeni në dy kishat, dhe të gjithë ata shqiptarë që janë pa dokumente (status) t’i plotësojnë këto formularë e t’ia japin grupit të punës, që këto me statistika dhe me fakte të shkojnë e t’i thonë ligjit “STOP!”. Ti thonë ligjit pusho së ekzistuari, dhe së funksionari se kështu mendojmë dhe duam ne.

A duhet besuar një përrallë e tillë? Ç’është ky grup? Kush e njeh këtë Grup? Ku njëri prej anëtarëve të këtij grupi nuk dihet nëse ka patur kurrë ndonjëherë nënshtetësi shqiptare, ky tjetri nuk ka ende status (green card) për vete, dhe përdorin të vetmen dashuri të mirëfilltë që kanë shqiptarët këtu, dashurinë dhe përkushtimin e dy priftërinjve, të merren me probleme politike dhe badihava. Mbi ç’baza është mbështetur kjo fantazi? Kjo gënjeshtër e madhe dhe ky absurditet???. Do të kishte qenë më e besueshme sikur ky grup pune që është kujtuar tu dojë të mirën shqiptarëve dhe familjeve shqiptare, nëse vërtetë janë kujtuar, megjithëse paksa si me vonesë, të kishin ftuar një përfaqësues të shtetit të tyre, president, kryeministër, e ku e di unë, të bëjë propozime të tilla! Se shqiptarët e kanë një atdhe, një atdhe që ka shtet, dhe që ky shtet ka të drejtën legjitime ti përfaqësojë shqiptarët në mënyrë dinjitoze. Dhe në emër të tyre të kërkojë tolerime, të kërkojë hapësirë për emigrantët e tij. Si u përfaqësoka një komunitet, me një grusht njerëzish të njohur e të pa njohur. Me një grup njerëzish çfarëdo, apo me një grup gangsterësh, brenda të cilit kanë arritur të përziejnë dhe meshtarët.

Si vazhdohet të besohet se shqiptarët janë krejt të marrë sa të bëjnë petulla me ujë???.

Zoti im, të parët ruaj priftërinjtë prej bandave të tilla, e prej mashtruesish të tillë, pastaj na ruaj edhe ne delet e tua. Ruaj o Zot edhe këto njerëz që nuk e di sa nga ku u buron gjithë ky guxim e gjithë kjo marrëzi. Na ruaj o Zot të gjithëve!!! Edhe mua. Edhe pse vajta për ta penguar këtë mashtrues apo ti heq petkun e tij të mashtrimit, fjala e tij më shtangu. Bile më peshkoi më lehtë se të tjerët. Nuk thoshte kot Hitleri “sa më e madhe të jetë gënjeshtra aq më e besueshme është”.