>
LETERSISHQIP

Kosovari

Ishte një ditë e bukur pranvere. Një ditë si ato që në Tiranë njerëzit i presin me padurim. Dielli ndriçonte me gjithë fuqinë e vet duke u krijuar njerëzve një çlirim shpirtëror të mezipritshëm për të hequr rrobat e tepërta dhe të mbusheshin me aromën e stinës së bukur. Me këtë lehtësim rrobash dhe ndriçim verbues njerëzit duket sikur kishin hequr nga supet dhe një pjesë të barrës së halleve. Nuk thonë kot që “Dielli jorgan i fukarasë”. Ndoshta duhej kjo ditë që rrugët si asnjëherë ishin tejmbushur ku syri të zinte gjithfarë ngjyrash rrobash por dhe të qeshura të shfrenuara të akumuluara gjatë dimrit të mërzitshëm pa drita. Mes këtij grumbulli njerëzish isha futur natyrshëm duke e lënë veten të lirë pa atë kujdesen e zakonshme që kam në vetvete për të qenë gjithmonë i kujdesshëm dhe i përpiktë.

Pashë orën. Kishte kaluar 7 minuta nga 10-00. Isha vonë. Fiks në këtë orë kisha lënë një takim tek “Mumja”. Ishte një takim që më kishte mbushur me emocione me kohë, do takohesha me një kosovar emigrant në Australi. Nëpër faqet e internetit isha njohur me jetën e tij të çuditshme dhe më vonë kisha krijuar lidhje si me shumë emigrantë të tjerë për jetën e të cilëve kisha shkruar dhe shkruaj vazhdimisht. Por jeta e tij ishte tejet e veçantë shumë më e veçantë nga jeta e mijëra emigrantëve të tjerë. Ajo s’mund të quhej aventurë, as ëndërr, as irreale ajo i kalonte kufijtë e imagjinatës së zakonshme të çdo tregimtari dhe kalonte në botën e ëndrrave utopiste për çdo njeri të zakonshëm. Ndaj dhe isha tepër, tepër kureshtar ta njihja nga afër këtë njeri, ta dëgjoja nga afër, ta nxisja për të folur më tepër për jetën e tij. Befas ndjeva emocion. Emocion që është jashtë natyrës time. Isha vetëm 5 metër larg nga lokali dhe nuk më bëhej të shtyja derën. Isha dhe me vonesë. Kurrë ndonjëherë nuk isha vonuar në takim, bile shkoja gjithmonë 5 minuta para. I dhashë fund dyzimit dhe shtyva derën. Qëndrova për një moment në hyrje të lokalit të pasderës dhe hodha një vështrim nëpër gjithë hapësirën e lokalit. Shikimin e ndala në një tavolinë nga fundi. Pashë atë, Ademin. Po tymoste me shikim të përhumbur nga tavani. U afrova. Kur isha 2 metër larg ai ktheu vrikthi kokën dhe u çua në këmbë.
-Artur!-më tha dhe mu hodh në qafë.

Për momente të tëra shihnim njëri tjetrin pa folur. Nga sytë e tij shihja të dilnin lot që ai mundohej ti kapërdinte, për të mos kaluar rrathët e syzeve që ai ndoshta i kishte si sinor të fundit për raportin e të qenit burrë. Psherëtinte dhe më shikonte në sy sikur kërkonte ndonjë fjalë magjiplotë për të lehtësuar shpirtin e trazuar ku dhimbja fliste në çdo milimetër të qenies së tij. Pastaj filloi të tregonte. Fliste ngadalë që unë të dëgjoja çdo fjalë saktë sikundër dhe psherëtimat e tij të herëpashershme që dilnin nga gjoksi si për të nxjerrë një maraz të grumbulluar prej kohësh dhe që tash kishte gjetur momentin dhe personin e përshtatshëm për ta nxjerrë nga vetvetja, për të qetësuar shpirtin e tij të drobitur nga ethet e mërzisë:

Ja, - dhe tundi kokën duke përplasur buzët! Ikja qe reaktive. Në mirëkuptim të plotë me shpirtin e sfilitur. Përmes një mrekullie të bardhë e qetësuese, të mbushur plot me re të pambukta, aeroplani fluturonte me shpejtësi afro 1000 km në orë. Po rikthehesha përfundimisht në vendlindje. Prapa kisha lënë një jetë të trazuar. Përpara gjeja një Kosovë të çliruar e thuajse të pavarur.

Belgjikën unë e dua shume. Është ndoshta vendi më i mirë në botë. Personalisht e them me bindje për këtë, pasi kam kaluar plot 30 vjet të jetës sime aty. Shpinën ia ktheva për shkak të gruas. Jo më kot thonë se ajo o ta nxin, o ta zbardh jetën. Me pak fjalë, mua jo vetëm ma nxiu, por ma sterrosi fare. Po të kisha patur një familje të mbarë, me siguri nuk do të isha larguar nga ky vend i bekuar nga ligji e Zoti bashkë. Por fajin nuk ma ka askush, veçse koka ime. Si një dashnor i marrosur në rininë time të hershme lidha jetën me një të huaj. Ky ishte shkaku që fëmijët mu tjetërsuan.

Ime shoqe është ose më mirë të them ishte serbe. U njohëm e u dashuruam në vitin e fundit të shkollës së mesme në Prishtinë, pa mbushur ende 19 vjeç. Ishte viti 1976. Qemë të dy moshatarë. Unë pata ardhur plot një muaj më parë në jetë. Atëherë bashkim-vëllazërimi titist pati njohur bumin e tij më të madh. Në mesin e viteve shtatëdhjetë vendosëm të fejoheshim. Por, të dy familjet tona nuk pranuan kurrsesi. Na mohuan. Kështu u detyruam të emigronim në Bruksel. Në shkollë kishim mësuar edhe nga pak anglisht.

Kuptohet, vitet e para të emigrimit qenë të vështira. Por ne ishim të rinj e duke punuar fort arritëm ta përballonim jetën. Punonim në një uzinë për prodhimin e hekurit, në rrethinat e Brukselit. Kishte raste edhe me dy turne. Kur bëmë plot pese vjet në Belgjikë blemë edhe shtëpinë tonë. Fëmija e parë, djali, na lindi në fillim të vitit 1980. Atëherë Beogradi përgjaku keq Kosovën-Republikë. Pranvera e paharruar krisi për herë të parë keq marrëdhëniet tona. Ishim në këndvështrime krejt të kundërta përsa i takonte vlerësimit të atyre ngjarjeve. Për rrjedhojë grindjet u bënë më të shpeshta. Arritëm deri atje sa ti thonim njëri-tjetrit, shkja apo shqiftar. Këtë kohë ime shoqe u bë veprimtare e njohur në mbledhjet e shumta antishqiptare të serbëve të Brukselit. Kurse komuniteti ynë mbetej i vogël, i paorganizuar e mbi të gjitha i përçarë. Ndasitë partiake bënin punën e vet. Ballistët më njërën anë, komunistët në anën tjetër që veçse grindeshin e grindeshin pa pushim. Disa herë pata tentuar ta pengoja, po gruaja jo vetëm që nuk dëgjonte, por pati raste që merrte me vete edhe djalin. Kjo gjë jo vetëm që më acaronte keqas, por edhe më shqetësonte. Sherret morën përmasa të mëdha. Çudi si nuk u ndamë atëherë. Ndoshta ngaqë ajo si edhe unë nuk kishim askënd aty ku jetonim. Unë nuk doja kurrsesi që djali im të mëkohej me frymën serbe. Kjo nuk nënkuptonte se isha ndonjë nacionalist i theksuar, por gjithsesi në drejtim të rritjes së fëmijëve mund të gjendej një e mesme. Pastaj ishte vetë jeta belge që do ti merrte natyrshëm fëmijët tanë nëpër hullitë e saj. Kjo mundësi mua më qetësonte.

Por ime shoqe nuk donte ta njihte këtë realitet. Ajo djalin e quante serb. Vazhdimisht i fliste serbisht, paçka se edhe shqipen nuk e fliste keq. Ndërkohë që unë i flisja vetëm shqip. Por me kalimin e viteve, kur im bir zuri të fliste, shprehej veçse serbisht. Shqipen arrinte ta kuptonte por nuk shprehej dot. Kjo gjë më tensiononte më tej aq sa ndonjëherë i flisja edhe ashpërsisht.

Ai dëneste si një zog i trembur. Merret me mend lehtë se konfliktet tona të brendshme u thelluan së tepërmi. Tashmë ato nuk mund të quheshin më krisje, por çarje të thella. Situata u qetësua diçka veçse atëherë kur djali filloi klasën e parë në sistemin arsimor belgjian. Shpejt ai nisi të fliste një anglishte dhe frëngjishte të shkëlqyer. Fatmirësisht kjo bëri që vetvetiu te shmangej disi prej gjuhës së mëmës. Vija re se e donte shkollën, se mësonte mirë. Sikur mu rikthye sërish diçka qetësia. Përsa i takonte gjuhës shqipe, tek im bir ajo konsistonte veçse tek ndonjë fjalë tepër e përgjithshme si fjala vjen bukë, ujë, kripë apo ndonjë tjetër. Pra po shndërrohej plotësisht në një material fosil.

Vajza, pra fëmija e dytë na lindi në mesin e vitit 1989. Pikërisht atëherë kur në emër të mbrojtjes së të drejtave serbe, gjatë festimit të 600-vjetorit të betejës së Fushë-Kosovës kundra osmanëve (në të cilën tok me ballkanasit e tjerë derdhën gjakun edhe shqiptarët), Sllobodan Millosheviçi ia hoqi barbarisht autonominë Kosovës. Pas kësaj, për plot 10vjet rresht, shqiptarët njohën një diktaturë të egër që kulmin e saj e pati në pranverën e vitit 1999. Siç dihet tashmë botërisht, kasapi i Ballkanit kreu një genocid tipik hitlerian mbi popullsinë dërrmuese shqiptare në Kosovë.

Por edhe vajza, porsi vëllai i saj, deri në fillore gjuha e parë iu bë serbishtja. Shqipen pothuajse nuk e dinte fare. Anglishten e përvetësoi vetëm kur u inkuadrua në arsimin belg.

Ngjarjet e viteve 89-t e këtej sollën përsëri një rëndim të ndjeshëm në marrëdhëniet tona bashkëshortore. Puna arriti deri atje saqë zëniet tona u bënë tepër shqetësuese jo vetëm për fëmijët, por edhe për komshinjtë tanë. Pse ta fsheh, ata na kallëzuan në polici. Por kulmin qe kur këtij denoncimi iu bashkëngjit edhe ime shoqe. Ajo më akuzoi se unë e kisha dhunuar. Sigurisht që unë e mohova. Pikërisht në këtë rast u bë fare e qartë se mes nesh gjithçka pati marrë fund. Fizikisht nuk u prangosa veç shpirtërisht po. Pas kësaj vendosa që të mos kthehesha më në shtëpi. Për disa javë rresht flija në ndërmarrje. Mungesa e fëmijëve po bëhej e paduruar. Rikthimi nuk lidhej me lutjet e gruas, por thjesht me lotët e fëmijëve. Ishin ende të parritur. Apo nuk më shëmbëllente aq shumë vajza. Sikur të më kishte prerë kokën. Bile edhe emrin (me luftë) ia pata vënë si të nënës sime. Megjithatë emri nuk ndryshoi asgjë. Siç thashë rritja e saj u bë po e njëjtë si edhe e djalit.

Duke qene se ime shoqe tanimë nuk shkonte më në punë, indoktrinimi i fëmijëve të mi sa vinte e po bëhej më i ndjeshëm. Në mënyrë të veçantë këtë e vija re te djali. Ai po shfaqte interes të posaçëm ndaj librit. U lidh ngushtë me letërsinë sllave të botuar qoftë në alfabetin cirilik e qoftë në atë latin. Pak interesohej për letërsinë angleze apo atë amerikane që fare lehtë mund të sigurohej në vend. Lexonte diçka edhe nga letërsia vendase aq sa i imponohej nëpërmjet shkollës.

Librat e Ivo Andriçit nuk i shqiste nga dora.Kishte raste kur me to edhe gdhihej. Madje në këtë kohë zuri të hedhë në letër edhe vjershat e para, të cilat ia lexonte vetëm së ëmës. Frymëzimin e gjente tek mitet serbe. Ndërsa letërsinë shqiptare nuk e njihte aspak sado që jo pa qëllim i pata blerë të gjitha librat e Kadaresë që gjendeshin nëpër libraritë e Brukselit. Mes tyre kishte botime që i kushtoheshin Kosovës. Novelën “Qebaptorja e vjetër” e lexoi me një frymë njësoj siç bënte me librat e Andriçit. Fill pas kësaj debatoi për herë të parë me mua. Tha se populli serb është më i qytetëruari, më i kulturuari në Ballkan e se Kosova nuk ishte gjë tjetër veçse djep i Serbisë. Më theri në zemër ky debat. Nuk di ç’më mbajti që nuk e godita. Ndofta ngaqë djalit e po ashtu edhe vajzës nuk i kam vënë dorë asnjëherë. Sidoqoftë indoktrinimi serb i tim biri pati marrë fund. Nuk zgjati shumë e përfundova i shtruar nga zemra në spital. Atje lexova edhe një histori të Shqipërisë në anglisht, libër të cilin djali nuk e pati zënë me dorë. Në spital më mbajtën plot një muaj.

U grinjta, u thinja plotësisht. Në shtëpinë time po ndihesha gjithnjë e më i huaj. Gruan e shihja dhe më shihte si armik. Tamam në këtë kohë ktheva kokën drejt vendlindjes. Më kishte marrë malli shumë për të. Kisha plot 21 vjet pa qenë atje. Po ku të shkoja? Babai më pati bërë hasha. Shumë vjet të jetës së tij, ai i pat shkuar burgjeve të serbit. Lufta kish arritur pikun e saj. Theksoj se nuk jam ndonjë trim i madh për t’ju bashkuar radhëve të UçK-s, paçka se e adhuroja. Pas genocidit milosheviçian iu gjenda fare pranë bashkëkombësve të mi, të cilët shteti i mori në mbrojtje shembullore. Vizitat e shpeshta në kampin e tyre krijuan acarim të jashtëzakonshëm te gruaja. Si e marrë ajo shante e mallkonte pa prerë. Madje një herë ndërhyri edhe djali, duke i thënë se po e tepronte. Por ajo s’dëgjonte. Tamam kokë serbe.

Shëndeti nuk po më shkonte mirë. U shtrova për herë të dytë në spital. Përsëri një muaj. Këtë herë gruaja jo vetëm që nuk erdhi vetë, por pengoi edhe fëmijët. Më pikoi në zemër që ata nuk erdhën për të më vizituar. Marazi nuk lejonte stabilizimin e plotë të zemrës. Tok me daljen nga spitali dola përfundimisht edhe nga puna. Si njeri pa shpenzime të mëdha, fare lehtë mund të jetoja vetëm me përkrahjen e shtetit. Pastaj kam puuar 20-vjet pa pushim. Mënjanë kam vënë diçka.

Kulmi i marrëzisë arriti kur mora vesh se do të fejohej djali. Me kapadaillëkun më të madh gruaja më tha se ai do të fejohej me një vajzë serbe nga Nishi.
- Është i vogël është fëmi… – reagova unë.
- Përse është i vogël?! Përse është fëmijë, - turfulloi ajo. – Harrove veten ti? Edhe zotrote kur u fejove e u martove nuk ishe më shumë se 20- vjeç. Edhe djali po kaq vjeç është si ti. Vajza është e mirë e prej një familjeje po të mirë. Pastaj do apo s’do ti djali do të fejohet. Më pas kur të shkojnë në Universitet le të martohen. Ata të dy në një shkollë do të jenë.

Fejesa e djalit u bë kur unë serish gjendesha i shtruar në spital. Zemra nuk shkonte mirë. Këtë herë më mbajtën plot dy muaj. Askush prej familjes sime nuk u duk për të më parë. Veç vajza që e kisha pikë të dobët.

Po çmendesha fare. Thashë se nuk jam ndonjë trim i madh, përndryshe vërtet duhet ta kisha vrarë gruan. Veç të tjerave, fill pas fejesës së djalit kish nisur të më brente krimbi i shqetësimit për vajzën. Sido që ajo ishte ende e pa rritur kisha frikë se mos gruaja ma lidhte përsëri me ndonjë familje serbe. Prej saj tashmë pritej gjithçka. Bombardimet dhe hyrja e NATO-s në Kosovë e patën marrosur krejt. Pikërisht në këtë kohë ndodhi më e rënda. Gjatë një vizite të krushqve u grinda keqas me babanë e së fejuarës së tim biri. Në të vërtetë ai ishte një çetnik i tërbuar. Bile kishte marrë pjesë si oficer rezervist jo vetëm në luftën e Kroacisë, por edhe ne atë të Bosnjës. Në Belgjikë, pat ardhur si refugjat, paçka se mundesh të ishte edhe një kriminel i kërkuar lufte. Nuk la gjë të zezë pa thënë për NATO-n, për Bill Klintonin, Toni Blerin, Madalen Ollbrajtin e për UÇK-në. Bile në një çast na shau aq keq ne shqiptarët sikur unë të mos isha fare atje. Mu ngrit gjaku, mu errën sytë e dhoma mu bë terr. Kupa qe mbushur. Vetiu u gjenda në këmbë e zura të ulërija. Aq rëndë kam sharë saqë është turp ti zë ato fjalë në gojë. Dridhesha i tëri nga nevriku.

Dhoma u zhyt në një heshtje të thellë varri. Të gjithë më shihnin me sy të shqyer. Gruaja qe bërë dyllë e verdhë në fytyrë. Krushku i hutuar shihte drejt e në sy të shoqen e tij. Vajza qe mbledhur grusht në ndenjësen e saj të vogël. Heshtjen e varrit e theu veçse shpërthima rënkuese e nuses e cila për të fshehur lotët mbuloi fytyrën me duar e pothuajse me vrap doli jashtë në oborr. Pas saj vajti im bir. Ndërkohë krushku e mblodhi veten e qe ngritur në këmbë. I tha serbisht për tu ngritur të shoqes e bëri drejt derës. Duke ikur ime shoqe i preu rrugën dhe e ndali. Në të njëjtën kohë duke vështruar nga unë u shpreh:
- Shqiftar i ndyrë…!

Një shtysë e çuditshme, e jashtëzakonshme më bëri të lëvizja. U gjenda ballë për ballë me të. E godita aq fortë në fytyrë sa që ra si e këputur në krahët e krushkut. Ishte e para herë dhe e fundit që e godisja. Nuk mora vesh se ç’ndodhi më tej veçse diçka nuk do e harroj deri sa të rroj. Tek po dilja jashtë shtëpisë pashë vajzën time për herë të fundit. Qe mbledhur grusht në ndenjësen e saj dhe lotonte në heshtje. Ndjeva sërish të më dridhej trupi. Mu duk si jetime. Tamam si ato fëmijët e Kosovës pa nënë e pa babë të cilët i transmetonte televizioni. Ika. Humba në terr. Nuk dija se ku po më shpinin këmbët. S’pata mendje të merrja as makinën. Pas disa minutash më sollën në vete dritat e forta të një klubi nate. Ktheva kokën pas.Shtëpia ime pat humbur në terr përgjithmonë.

Shpejt u vendosa në një qytet tjetër. Ndryshe nga Brukseli, në këtë qytet shqiptarët janë më të shumtë. Zura sërish punë në një uzinë hekuri. Vendosja në këtë qytet zgjati plot shtatë vjet. Në vitin e gjashtë erdhi për të me takuar vajza. Po bënte një shëtitje me klasën në këtë qytet. Ishte rritur e zbukuruar. Kur më përqafoi e mu fut në gjoks nuk i mbajta dot lotët. Sikur po ndihesha unë fëmijë para saj. Në mbrëmje e çova në një nga vendet më të bukura të qytetit. Kaluam një darkë të shkëlqyer. Të nesërmen në mëngjes nuk vajta në punë. E përcolla vajzën deri në stacionin e trenit. U ndamë. Lotët e saj njomnin me dënesë xhamin e dritares së madhe. Aty per aty ndeza një cigare. Pata harruar plotësisht rregullat e prera vendase. Nuk di në do ta shoh më bijën time. Shpatull kërrusur e i harkuar bëja drejt daljes. Per herë të parë po e ndjeja veten si të plakur. Këtë situatë të trazuar nuk e pata përjetuar as edhe nëpër spitale. Kur dola jashtë nuk kuptova asgjë. Binte shi apo lotoja unë.

Pas një viti mora vesh se vajza qe fejuar. Me një serb. Brenda ditës pësova atakun e parë. Më shtruan urgjentisht në spital. Pasi dola nisa të përgatisja ikjen time. Përse duhet të vdisja si qen rrugëve të huaja. Në fund të fundit kockat të më treteshin në vendin tim.”

Në fund lëshoi një psherëtimë, kapi filxhanin e kafesë me të dyja duart dhe mundohej të shikonte diçka në fund të llumit të kafesë. Ndoshta ndonjë fat të humbur, apo ndoshta një fat të ardhshëm. Ishte një dhimbje që i kishte kaluar përmasat njerëzore. Pastaj filxhanin e përmbysi dhe më vështroi në sy. Dy pika lot thuajse i gëlltiti përpara se unë ti shihja qartësisht të vareshin nëpër qerpik. Sa kosovarë kishin fat të tillë.