>
LETERSISHQIP

Mesazhi I Një Nate Pranvere

Atë mbrëmje pranvere ndjehesha tepër i lodhur. Sa hyra në shtëpi mbylla celularin dhe u shtriva në shtrat, pa komunikuar me askënd. Gjumi më kaploi menjëherë si magnet. Të nesërmen, kur u ngrita, koka më rëndonte si vare. Hapa celularin. Menjëherë ndjeva sinjalin e mesazhit. Në rubrikën e mesazheve lexova me një frymë: “Berti, të mora në telefon mbrëmë, por e kishe fikur. Takohemi në orën 08.00 te stacioni, Akademia (Athinë), te stacioni i autobusit 103. Afrimi”.
- Nuk më mbeteshin as 25 minuta kohë për tu bërë gati. Ishte e diela e dytë e Marsit. U bëra gati ngutshëm, ashtu si munda, dhe u nisa për te vendi i takimit...Kur mbërrita, Afrimi, me një paraqitje të jashtme të shkujdesur, (jashtë natyrës së tij), rrinte strukur te stoli i stacionit me bërryla të vendosur mbi gjunjë dhe mollëzat e duarve në nofulla. “Diçka i ka ndodhur?”, belbëzova me vete. Sa zbrita nga autobusi ai u ngrit dhe më përqafoi me lot në sy.
-Ç’ke? Si është puna që je katandisur kështu?!, -i them i tronditur.
-Hajde të pimë një kafe, e të them se çfarë kam, - shqiptoi me ngut. U ulëm në lokalin më të afërt dhe porositëm çaj ndërsa ai kafe.
- Hë, fol! Tregomë se s’duroj dot më, - i thashë duke i lexuar shqetësimin në çehre.
-Ç’është kjo jetë, - tha dhe tundi kokën. - Flluskë sapuni është, - dhe psherëtiu.

Tashmë lotët nga sytë nuk mundi t’i mbante. Më çoroditi fare. Ai e kuptoi ankthin tim dhe filloi të fliste sërishmi me një zë...
-Mbrëmë më vdiq gjyshja...
-Si, vdiq gjyshe Afërdita?!

S’mund ta besoja. Kisha vetëm një javë pa e parë. Ajo më donte njëlloj si Afrimin. Kështu më thoshte sa herë shkoja për vizitë dhe fillonte të më pyeste ç’farë kisha shkruar, si shkonin punët nga Shqipëria...
-Uau, sa keq!
-Po, - dhe psherëtiu thellë sërishmi.
-Vdiq, në orën 23.00, dha shpirt tak-fak. Po bisedonim për të shkuar në verë për Shqipëri. Kishte 8 vjet pa prekur atë tokë, ti e di mirë. Kur i thashë se me kartën jeshile e kishim të lehtë për të shkuar në dheun tonë, kaloi në një gëzim të tejskajshëm. Lotoi nga gëzimi. Sytë i çelën dhe çehrja filloi ti shndriste nga gëzimi si fëmijë... Vështrimi i lodronte si një lepurush në gëmushë. Hidhej nga një sy te tjetri. Pas pak minutash mbeti si pa frymë, ngriu si statujë. I hodha ujë, i fërkova ballin, supet dhe e shtriva në krevat. Ashtu e përhumbur fliste përçart nga gëzimi.
-Rrofsh, more djalë!Rrofsh! Behari erdhi. Është shumë afër, shumë...Duke parë gjendjen e saj, telefonova Artanin, doktorin. Duhet të vinte urgjentisht. Nëna dhe babai rrinin si të ngrirë. Pa arritur te telefoni dëgjova:
-Bir, më vendos një kasetë me këngë polifonike...

Dua ato këngë që më shërojnë, - pëshpëriti ajo me gjysmë zëri.
-Vura në magnetofon një nga kasetat me këngë të zgjedhura polifonike që i kishe sjellë ti në Janar (2000). Kur në dhomë u përhapën tingujt e parë të polifonisë, ajo buzëqeshi. Sa e bukur mu duk ato çaste. Dukej sikur në atë çast shikonte luginën e Vjosës me ato zajet e bardha që ndrisin si xhevahir. Sytë e saja gjelbëronin si rrapet që tundin fletët në puhizë. Hapi krahët dhe duket sikur përqafonte qemerin e portës ku kish lindur. Më pas sikur puthte gurët e sokakut ku çapte. Diku një këngë bilbili, aroma e rigonit dhe sherbelës. Ishin mbledhur rreth saj gjithë fshatarkat dhe i tregonin për fëmijët, për ndodhitë e fundit të fshatit për të mbjellat, për bagëtitë dhe ajo i dëgjonte dhe kënaqej.

I tregonin se kush nuse kish lindur e kush ishte përcjellë nga kjo jetë dhe ajo kënaqej e trishtohej njëkohësisht. Për disa sekonda buzëqeshja dhe shkëlqimi i syve i jepnin asaj fytyre një pamje engjëllore. Atë këndellje që ta dhuron vetëm toka dhe kënga jote. Pastaj diçka belbëzoi nën psherëtimë dhe pas 5-6 sekondash mbylli sytë...U afrova t’i ndieja frymëmarrjen. E qëllova me shuplaka në fytyrë por më kot...

Kur erdhi Artani asaj ende nuk i ishte venitur buzëqeshja dhe kënaqësia nga fytyra për lajmin e mirë se në verë do të shkonim në Shqipëri. Magnetofoni ende përhapte tingujt e një kënge polifonike... Ishte dëshira e saj të mbyllte sytë duke dëgjuar një këngë polifonike shqiptare. “Kënga polifonike është bashkimi i magjisë së tingullit me magjinë e fjalës”, më thoshte. Pa këto këngë populli do dukej si pa zë dhe pa fjalë. Kënga polifonike është memoria e gjallë e një kombi, ajo përbën themelin e historisë së transmetuar në shekuj. “Na kanë sulmuar ndër shekuj bir!

Po këngën s’na e pushtuan dot! Aty është liria dhe dheu ynë!Aty është grembi i madh i krenarisë që na është mëkuar në gjak për tokën tonë të të parëve, ” thoshte gjithnjë. Vallë a i dëgjonte dhe në rrugëtimin e saj drejt pavdekësisë tingujt e atyre këngëve që vazhdonin ende të përhapeshin siç i donte ajo, në hapësirën e dhomës së një banese të marrë me qira në Greqi, 700 km larg shtëpisë së saj?

Gruaja që e dashuroi kaq shumë jetën, fëmijët, mbylli sytë nën tingujt e këngës polifonike që i donte dhe i barazonte me atdheun dhe me ëndrrën se së shpejti do të shkonte në Shqipëri, në dheun e saj të bukur, në malet e saja, nën vajzërinë tërë nur që bridhte në ato lule, shkëmbinj e shtëpi.