>
LETERSISHQIP

Dashuri E Humbur

Ata uleshin të dy në të njëjtën bankë. Ajo nga Tirana ai nga një qytet jugor. Katër vjet në krah të njëritjetrit ndienin emocionet dhe dridhjet, rrahjet e zemrës dhe pulsimin e gishtave, vështrimet që shumë herë u puqeshin. Nënqeshjet dhe silueta e njëri tjetrit kishin filluar dalëngadalë të bëheshin familjare. Dhe filluan ti shprehnin njëri tjetrit çdo gjë. Aurela ishte një vajzë simpatike, gjatoshe në krahasim me shoqet e tjera të kursit, një bionde elegante me sy bojë qielli, buzë hollë, ku i vetmi defekt ishte gjokset e veckël në krahasim me trupin.

Albani ishte i gjatë paksa i shëndoshë, flok zi, vetull trashë, buzëtrashë, dhe kishte një defekt në të folur. Shpesh herë nga emocionet i merrej goja dhe krijonte humor. Kishte një të folur karakteristike të dialektit jugor që asnjëherë nuk e merrte mundimin ta fshihte apo ta rregullonte. Të ulurit e tyre në një bankë ishte fare i rastësishëm. Ditën e parë të shkollës, duke ngjitur dyert e fakultetit të gazetarisë ajo para ai mbrapa padashur duke kërkuar diçka në çantën e saj, Aurelës i bie dosja pranë këmbëve të tij.
-Ua!-u frikësua ajo. Ai përkulet dhe me delikatesë i thotë:
-Urdhëroni! Është paksa e rëndë për dorën tuaj të njomë, -dhe qesh. Dhe ajo buzëqesh duke e falënderuar.
-Meqë ra fjala, kur fjala në të vërtetë nuk ra, mos dini se ku është klasa e parë e Fakultetit të gazetarisë? -pyeti ai paksa i hutuar nga bukuria e vështrimit të saj.
-Edhe unë atë kërkoj-u përgjoj vajza duke ngritur supet si e zënë në faj. Njëherësh dhe u skuq. Dukej vajzë e turpshme dhe e sinqertë. Një student që vinte pas tyre, si duket jo sefte, u tregoi se ku duhet të shkonin. Ata u bënë bashkë dhe filluan të ecnin në krah të njëri tjetrit.
-Albani!-u prezantua ai, duke i zgjatur dorën.
-Aurela!-tha ajo duke i zgjatur dorën me delikatesë.
-Të dy me A. Do jemi o të parët o të fundit në klasë, -tha ai dhe ia shtrëngoi paksa dorën në shenjë burrërie sa ajo ndjeu njëkohësisht njëfarë dhimbje.

Në klasë ishin zënë të gjitha vendet përveçse bankës së parë në të hyrë të derës. Kështu që ata ishin të detyruar të uleshin aty. Pas prezantimit të pedagogëve ata si dita e parë e shkollës pa ndonjë kompleks instinktivisht vendosën të pinë një kafe në një nga baret e Qytetit Studenti. Biseda në fillim ishte e vakët. Të dy tipa të ndjeshëm por të mbyllur në shoqëri. Nuk karakterizoheshin për llafazanë. Pas pak çastesh heshtjeje Albani u sforcua për të marrë rolin që i takon një mashkulli në një takim me një femër. Filloi ti fliste për qytetin, familjen, të afërmit, shkollën e mesme. Po ashtu dhe Aurela. Per disa çaste ata heshtën duke parë filxhanët e kafesë sikur të ishin fallxhorë. Të rrufiturit e kafesë ishte i bezdisshëm pa një bisedë që të kishte një shije akoma më të këndshme. Ja, shiheshin në sy, i buzëqeshnin njëri tjetrit duke thartuar buzët duke mos gjetur dot fjalët e përshtatshme në rrjedhën normale të një bisede. Në këtë moment kur qëndrimi bëhet i bezdisshëm dhe aspak i këndshëm Albani tha:
-Mund të tregoj diçka intime?

Ajo e pa në sy me kënaqësi. Iu duk e guximshme kjo kthesë bisede që në fakt ishte jashtë natyrës së saj por që në statusin e tanishëm të një studenteje i dukej e pranueshme. Por çuditërisht ende nuk po jepte miratim.
-Nuk dëshiron. Të më falësh, ndoshta...
-Jo, jo, mund ta thoni. Do ta dëgjoj me kënaqësi!-tha ajo duke vendosur pëllëmbën e dorës së djathtë në faqe, ndërsa bërrylin në tavolinë.
-Eh. Është një histori dashurie. Një histori e dhimbshme që nuk duhej të ndodhte për moshën. Në pallatin ku banoj unë ishte një vajzë. Kristina quhej. Ishte një vit më e vogël se unë. Unë isha në vit të tretë gjimnaz ajo në vit të dytë kur filluam të rrinim bashkë. Ishte nxënëse e shkëlqyer në të gjitha lëndët. Unë dallohesha vetëm në letërsi. Bëja vazhdimisht poezi dhe nëpër klasat e gjimnazit lexoheshin shpeshherë poezitë e mia. Dhe poezinë e parë të dashurisë asaj ia kushtova. Është një poezi që e ruaj me fanatizëm. E kam shumëfishuar dhe vendosur në vendet të ndryshme me qëllim që të mos e humbas apo në çdo lloj situate të mos humbasë pa gjurmë. Pasditeve filluam ti bënim bashkë mësimet herë në shtëpinë time herë në shtëpinë e saj.

Kjo vazhdoi për një vit e gjysmë. Dalëngadalë nisëm të kuptonim se nuk mund të rrinim pa njëri tjetrin. Ajo banonte një kat sipër meje në pallatin katër katesh. E prisja çdo mëngjes dhe niseshim bashkë për në shkollë. Ishim bërë si binjakë. Edhe natën dukej sikur flinim bashkë. Ajo në dhomën sipër meje ku ne kishim sistemuar (në marrëveshje me njëri tjetrin) që në dhomat respektive krevatet të ishin në një drejtim dhe pozicion. Pra nga vendosja e krevateve dukej sikur ajo flinte sipër meje dhe unë duhej të isha i kujdesshëm në gjumë sepse kisha frikë mos lëvizja së tepërmi dhe ajo mund të rrëzohej. Sa kam hequr me nënën për ta vendosur krevatin në atë pozicion. Një javë luftë. I mbusha mendjen duke i shpjeguar për dritën e nevojshme. Errësirën në gjumë, largësia nga dritarja. Vetëm e vetëm që të kishim të njëjtin pozicion krevati me Kristinën. Ne duheshim në heshtje. Ose më mirë të themi unë e dashuroja atë. Ishte bërë pjesë e jetës sime. Nuk mund ta kuptoja ditën nqs nuk e shihja. Kur isha në vitin e katërt në festën e Shën Valentinit në 14 shkurt me kursimet e mia njëvjeçare i bleva një orë dore e cila kishte formën e zemrës. Çuditërisht atë ditë në shtëpinë time ku ne mësonim, s‘kishte njeri. Prindërit me motrën e vogël kishin shkuar për vizitë tek një i afërm. Kur i dhashë orën, Kristina u gëzua pa masë. I pëlqeu aq shumë sa m‘u hodh në qafë duke lotuar nga gëzimi.

Unë tepër i emocionuar dhe i ngazëlluar si padashur apo në mënyrë instiktive i kapa kokën me të dyja duart dhe e putha në buzë. Puthje adoleshente. Ajo shtrëngonte buzët duke mbyllur sytë unë duke i vendosur me po aq forcë buzët e mia mbi të sajat që ishin tashmë në ngjyrën e prushit. Nuk e di sa e zgjata këtë puthje pa përgjigje por ndjeva në gojë shijen e mishit të buzëve të saj. Buzë të njoma, aromë qumështi. Kur e lëshova ajo hapi sytë dhe më shikonte me habi..
-Kristina, unë të dua! Të dua shumë!-i thashë.
-Shhhëëëët!- më tha ajo, duke vendosur gishtin tregues përpara buzëve.

Shfaqi një ndjenjë frike. Dukej sikur dikush po e ndiqte dhe po e trembte. Pastaj ngriti supet dhe rrinte si guak. Ndoshta nuk e priste këtë shpërthim timin. Kur unë isha ende nën pushtetin e puthjes së parë, hapet dera. Erdhën prindërit me motrën kështu që Kristina si lulëkuqe u detyrua të largohej. Atë natë nuk fjeta gjumë. Çoja nëpër mendje gjithë skenën e asaj pasditeje. Dëgjova lart dhe zhurmën kur Kristina hyri në dhomën e saj të gjumit. Dëgjova dhe zhurmën e krevatit kur ajo u fut nën jorgan. E imagjinoja çdo lëvizje të saj dhe pozicionin në të cilin flinte. Mendoja sikur ishte me mua. Në shtratin tim. Për herë të parë kisha një dëshirë të papërmbajtur që ajo të ishte në shtratin tim, në krahët e mi, ngjitur me mua, në ditën e Shën Valentinit. Ajo orë në formë zemre më dukej sikur ishte zemra ime e dalë jashtë kraharorit kur ajo për çdo çast do ta shikonte, do ta ledhatonte, do të ishte me mua. Por si duket ajo ditë do të ishte dhe dita e fundit e ndenjjes bashkë. Të nesërmen ajo s‘doli si herët e tjera në pritje te shkallët për të shkuar bashkë në shkollë.

As kur u kthyem nuk më priti. Ditë të tëra kështu derisa mu sos durimi dhe një ditë e prita gjatë në të dalë të shkollës. I kërkova sqarim. Ajo heshtte. Këmbëngula çfarë kishte, ku i kishte ngelur hatri. Ajo vetëm heshtte. As qerpiku nuk i lëvizte. Me atë indiferencë dukej sikur nuk më njihte fare. Për dashuri nuk bëhej fjalë. I dukesha i largët, shumë i largët. Unë dridhesha nga emocionet e dashurisë, ajo indiferente, indiferente deri në përbuzje. Vallë ç’kish ndodhur brenda një nate tek ajo femër?
-Kristina, të lutem më thuaj çfarë ke? Çfarë të kam bërë? Mos të kam fyer? Mos të kam lënduar pa dashje? Çfarë? Çfarë? Dhe zëri po më dridhej nga një ngashërim i brendshëm.
-Jo nuk më ke fyer. Por ne nuk mund të vazhdojmë më bashkë. Mos më shqetëso më. Ne jemi të besimeve të ndryshme fetare. Ti je mysliman, unë ortodokse. Prindërit nuk mund ta pranojnë këtë lidhje, - dhe nga xhepi nxori orën që ia kisha dhuruar ditën e Shën Valentinit dhe ma la në dorë. Nuk e di se si e hapa dorën por kur pashë orën në dorë ajo ishte larguar. Pash tik-takun e saj. Ishte ora 14-00. Ditë e martë. Shikoja akrepin e sekondave. Ai lëvizte me ritmin e tij të zakonshëm duke më kujtuar se koha ecte, jeta vazhdonte dhe pse unë rrija në vend. Por ja një moment dhe akrepi i orës pushoi. Nuk punoi më. U ndal. Pse? Si? Në shenjë hakmarrjeje ndaj veprimit tonë?
-Ne do të largohemi në Greqi, -më tha ajo disa hapa më larg. duke buzëqeshur pa vrarje ndërgjegje, sikur më thoshte çdo ditë kur shkonte në shtëpi për tu takuar pasditeve për mësime. Rrija si i ngrirë me orën në dorë dhe sytë nga ajo. E shikoja tek ecte e sigurt pa ditur ç’të bëja. Nuk lëviza për minuta të tëra deri sa silueta e saj u zhduk nga sytë e mi. Mbas disa muajsh ajo me familjen u largua në Greqi duke mos lënë asnjë hapësirë mundësie lidhjeje. Nga kjo histori kuptova se ajo nuk më kishte dashuruar kurrë. Kurrë.”

Kur mbaroi së treguari, ai lëshoi një psherëtimë të thellë. Dhe sytë i ishin mbushur me lot. Ishte gati t’ia plaste të qarit. Dridhej i tëri. Aurela ishte zhytur e tëra në tregimin e tij duke iu larguar çdo ngacmimi zhurmor të ambientit. Ato çaste për të sikur nuk ekzistonin bisedat me zë të lartë, boritë e makinave, biseda celularësh dhe brambullima karakteristike e Tiranës? Në atë qytet ku zhurma është e pranishme në çdo moment, në çdo milimetër të gjeografishtrirjes. Asaj nuk i besohej. I dukej si një ëndërr e largët, e keqe, që nuk mund ta pranojnë si pjesë të jetës të rinjtë e sotëm shqiptarë. Dhe pse vetë kishte një jetë lineare, në këtë periudhë të adoleshencës ngjarje të tilla i përjetonte sikur ti kishin ndodhur asaj vetë. Lëvizi nga vendi dhe shtyu me brambullimë filxhanin e kafesë që kishte kohë që e kishte mbaruar. I dukej sikur kishte kaluar vite tek ai vend. Aq kohë sa vazhdoi dhe dashuria e tyre e humbur.
-Ngjarje e dhimbshme. Më vjen keq, Alban! Eh, çfarë nuk ngjan në jetë! Por për moshën është e papërballueshme.
-Po ti, ke pasur ndonjë rast të tillë? - e pyeti ai me gjysmë zëri. Në fakt nuk donte ta bënte këtë pyetje, por i doli pa dashur në mënyrë instiktive. Ajo e pa në sy, tundi kokën lehtë dhe tha me zë të kadifenjtë:
-Jo. Aspak. As më kish shkuar mendja ndonjëherë për gjera të tilla në gjimnaz..
-Mos do të thuash që nuk të kanë propozuar….
-Jo. Bile shumë. Por kam qenë shumë e ekuilibruar. Prindërit i kam shumë konservatorë por edhe të dashur me mua. Nëna më qëndron gjithmonë afër duke më shpjeguar të gjitha anët negative të dashurisë së adoleshencës. Simpatizoja dhe unë një djalë nga disa që më kishin propozuar, por kurrë kjo simpati nuk u kthye në dashuri. Jam shumë e qetë në këtë drejtim. Është shumë problematike dashuria në këtë moshë. Ka shumë dhimbje. Këtë e pashë dhe në tregimin tuaj. Po edhe të disa shoqeve të mia. Bile mund të tregoj me dhimbje të madhe se shoqja ime më e ngushtë pësoi një zhgënjim të madh. Ra në dashuri me një djalë simpatik që kishte lënë përgjysmë inxhinierinë mekanike. Ishte 7 vjet më i madh se ajo. E dashuroi marrëzisht. Ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer, e bukur dhe e talentuar.

Në një bisedë të rastësishme telefonike ajo mori vesh se ai donte ta trafikonte. Ajo në një mbrëmje takimi rrinte e fshehur pas një peme që ti bënte surprizë. Donte t’i shkonte nga mbrapa si flutur pranvere me një tufë lule në dorë. Kur ai erdhi po bisedonte me dikë në celular. U mbështet rastësisht pa vetëdije tek pema, ku ishte fshehur ajo. Ai as e çonte ndër mend se ishte vetëm 30 cm larg nga ajo. Sa ishte diametri i pemës ku ishin mbështetur. Në largësinë e një frymëmarrjeje. Në largësinë e dëshirës epshore të një të puthure marramendëse. Ndërsa ai shikonte majtas djathtas që të shikonte afrimin e saj dhe vazhdonte bisedën me një shqiptar në Itali. “Po po...Në muajin gusht do të vij... (.pyetje nga ana tjetër).. Është yll. Do ta shohësh dhe do çmendesh. Kur të iki unë mbaje disa ditë ta shijosh vetë. Si ka emrin është dhe vetë- dhe përmend emrin e shoqes time.

Çmimi këtë radhë do të jetë më i lartë. E re, e bukur, e freskët, e papërdorur…” Asaj i ranë lulet nga duart. Iku me vrap. Ditë të tëra nuk erdhi në shkollë. Më thirri nëna e saj të shkoja në shtëpi. Ishte shpërfytyruar. Ishte bërë si mos o zot. Nuk e njoha. Kur më tregoi mu duk e pabesueshme...Si një përrallë. Mos më keq. Një trillim..” Çfarë krimi. Njeri përbindësh. Të përfitosh nga ndjenja më e bukur njerëzore. Nga çiltërsia e një femre. Nga besnikëria e saj. Nga sinqeriteti.

Nga mos dija. Nga...ehh!1..

Ajo pa orën Kishte kaluar nga 14-00.
-M’u bë vonë. Më vjen keq por duhet të iki. Do bëhen merak në shtëpi. Kisha dëshirë të rrija dhe pak, por nuk mundem. Ishte bisedë interesante. Është hera e parë që rri kaq gjatë me një mashkull duke biseduar.
-Të të shoqëroj deri poshtë?-pyeti ai me gjysmë zëri.
-Si të doni, por unë do të nxitoj.
-Dua thjesht të lëviz të çmpij këmbët.

Pasi pagoi, ai e shoqëroi deri në dalje të Qytetit Studenti.
-Kur të kesh nevojë për të të shoqëruar, mos më kurse, -i tha ai duke i zgjatur dorën.
-Faleminderit dhe ia kalofsh mirë. Do të duhet kohë të ambientohesh me Tiranën, - i tha ajo duke i buzëqeshur dhe përshëndetur me dorën në ajër.

***

Atë mbrëmje, pa në ëndërr Aurelën. Kishte nevojë për dashuri. Kishte nevojë për një zë femëror në jetën e tij. Ishte dashuruar që me shikimin e parë me të. As vetë nuk e kuptoi. Në mëngjes filloi të monologojë me vetveten. “Çfarë kuptimi do të kishte bota pa dashuri? Çdo mëngjes zgjohem me një ndjenje zbrazëtie në zemër, dhe çdo mëngjes ndjej se kam nevojë të dashurohem. Dashuri kjo larg koncepteve tradicionale, e një dashuri që me bën çdo mëngjes të kuptoj se një ditë e re për t’u kaluar pranë saj ka ardhur. Dua nja dashuri që të mbush copat e grisura të zemrës sime. Jam i lodhur nga rutina dhe heshtja vrasëse, që dalëngadalë më bëjnë thjesht një qenie që vegjetoj. Ti erdhe pranë, më bëre të dashurohem pas ëndrrës sime, një ëndërr që nuk mund të quhet spontane, për mendjen time, që prej vitesh mediton brenda misterit të mos të folurit. Dhe ti ikën, krejt papritur, ashtu si erdhe, duke lënë pas një zemër që mediton absurdshëm mbi teori inekzistente dashurie. Dua të të falënderoj, por hezitoj (ashtu si hezitova përpara se të të vidhja një puthje në mesnatë). Hezitoj sepse më dhe materia prima-n që kërkoja, por me vodhe të gjithë idetë e tjera që teoria ime kërkonte. Nuk mund të të urrej, sepse motivet për këtë, janë shumë të vakëta. Ende ndjej se duhet të dashurohem, e më në fund të gjej konstantet jo logjike të formulës inekzistente të formulës së dashurisë, e të përballem me Ajnshtajnin, që rri mbi mua e me kritikë më përqesh. Ndoshta do të duket fjalë absurde, por zemra ime nuk mund të hesht më.

Çdo ditë një diell i ri lind, por unë ende zgjohem me zbrazëtinë, duke mallkuar nëpër dhëmbë ditën e pafajshme. Më ke bërë të mendohem, më ke bërë të hesht, më ke bërë të qaj, por velloja jote e misterit ende më magjeps. Hallet në parajsë tashmë kanë filluar, dhe Zeusi i nevrikosur godet, i verbuar nga inati, me rrufetë që kishte ruajtur për Titanët. Ende nuk e di se çfarë ndjen, ende nuk e di në të pëlqen apo hesht përballë revolucionit që (ndoshta) nuk e di se e nise. E di që pashpirtësia është e huaj për ty, ose të paktën unë kështu dua të besoj...