>
LETERSISHQIP

Zonja Vasilika

Sapo ishin mbaruar kolonat e betonuara të Hotelit të ri në qytetin bregdetar të Korfuzit dhe zonja Vasilika, pronarja, kishte vendosur ti mbikëqyrte nga afër punimet. Ishte një hotel shtatë katesh me 4 yje që ishte projektuar nga një inxhinier gjerman dhe që po ndërtohej nga një firmë ndërtimi vendase. Disi larg bregdetit, vendi ishte në mes pishash ku zhurma e makinave ishte inekzistente por e mbuluar ëmbël me cicërimat e zogjve, gjinkallave dhe bletëve punëtore.

Sigurisht materialet do të vinin të gjitha nga Gjermania, pasi ai vend ishte shumë i gjuajtur nga turistët gjermanë qysh në ditët e para të pranverës. Kur pronari i firmës së ndërtimit, Sokrati, i prezantoi si kryeinxhinier të punimeve një shqiptar, ajo shprehu shenja mosbesimi. Nismën për ndërtimin e hotelit e mori pas shumë konsultimesh me shoqata turistike, inxhinierë ndërtimi me emër në Athinë si dhe pas aprovimit të burrit i cili punonte në Ministrinë e Rendit. Kishte një copë tokë pasuri të trashëguar nga nëna në pjesën juglindore të ishullit të Korfuzit. Ajo tokë kishte ngelur ashtu djerrë prej vitesh të tëra dhe askush nuk kishte marrë mundimin të investonte kur rreth e qark po ndërtoheshin për çdo ditë hotele dhe vila me arkitekturë nga më të ndryshmet që në verë mbusheshin me turistë nga të katër anët e globit. Në Athinë ajo kishte trashëguar një dyqan modest kozmetike që i siguronte të ardhura për një jetë normale ku rroga e të shoqit krijonte një klimë ekonomike për të jetuar në nivelet mesatare të shoqërisë me kërkesa të Greqisë. Kishte vetëm një vajzë 17 vjeç e cila tashmë ishte në vit të fundit të gjimnazit. Lerë dhe rritur në Athinë, prindërit kishin ardhur nga qyteti ishullor i Korfuzit pas luftës së dytë botërore. Me të shoqin Arqilean ishin njohur qysh kur kishte mbaruar shkollën e mesme dhe ndihmonte të ëmën në dyqanin që kishte dhe tani. Atëherë Kristua vinte për të blerë herë pas here mallra kozmetike për të ëmën e cila ishte e sëmurë dhe nuk mund të ngrihej nga shtrati. Nëna e kishte rritur duke respektuar zakonet e prejardhjes, duke e shmangur nga jeta plot qejfe e Athinës. Thuajse nuk kishte shkuar ndonjëherë me shoqet në disko, apo në aktivitete të ndryshme me shkollën.

Duke qenë e vetmja fëmijë në familje ajo ishte gjithmonë nën kujdesin dhe vëmendjen e tepruar të prindërve ku pasja e një të dashuri në kushtet e botëkuptimit prindëror përbënte një tabu. Pavarësisht kushteve dhe vendit ku jetonin... në atë dyqan filluan njohjet dhe ngacmimet e para të të shoqit, i cili gjithashtu kishte të njëjtën jetë familjare. Ishin larg jetës moderne të dy. Rritur me zakonet fshatare të prejardhjes së tyre. Ajo ishte dashuria e parë dhe e fundit për të por edhe për të shoqin. Kur mbaroi prezantimi, znj. Vasilika iu drejtua pronarit të firmës z. Jorgo
-Si ja ke besuar ndjekjen e punimeve një shqiptari? A e ka idenë ai se si ndërtohet në vendin tonë? Nuk po e kuptoj? Nuk ka inxhinierë ndërtimi vendi ynë?
-Jam dashuruar me të, zonja Vasilika. Dhe nisi të tregojë:

***
-Ishte një ditë e bukur vere. Dielli përvëlonte në kupën e kaltër të qiellit dhe deti dallgëzohej lehtë si një melodi harpash. Njerëzit ishin të gëzuar dhe shulloheshin në ca shezllonë të bardhë të vendosur mbi ca guralecë të rrumbullakët gri me rrema të bardha e të kuqe. Ishte një ditë e mrekullueshme korriku. Sapo isha shtrirë mbi shezllonë dhe po kundroja plazhistët. Kisha dëgjuar shumë për atë perlë të Jonit dhe vërtet Saranda ishte një qytet i këndshëm. I gjeje të gjitha që nga komoditeti hotelier, te shërbimi i kulturuar dhe te bukuria e ambientit dhe natyrës. Një qytet simpatik. Ishim një grup miqsh dhe tre ditët e qëndrimit aty me të vërtet ja kishim kaluar mirë.

Ai vend ka shumë afërsi dhe dashuri greke. Një pjesë e madhe e qytetarëve dinë të flasin mirë greqisht dhe ishim orientuar shumë mirë. Tek po hidhja një sy rreth e rrotull shoh një djalosh të dilte nga deti. Ishte i bukur si Davidi, me një trup të skalitur me muskuj dhe me një ecje që zbukurohej nga diçka femërore. Ishte biond me sy të kaltër prej engjëlli. I afrohem dhe i flas greqisht. Ai u përgjigj menjëherë. Fliste me një theks të huaj por në mënyrë korrekte. Kishte një kulturë të spikatur dhe mes nesh ndodhi një alkimi e menjëhershme. Inteligjenca dhe çiltërsia e tij më nënshtruan menjëherë në botën e ndjenjave.

Kështu e dashur zonja Vasilika jam dashuruar me të me shikim të parë. Kemi një vit që jetojmë bashkë dhe ju garantoj që është profesionist i shkëlqyer.

Zonja Vasilika u përtyp. E rritur në një familje tradicionale ku dashuria mes një mashkulli dhe një femre është një kult i ngritur nga natyra njerëzore dhe nga feja nuk mund ta kuptonte dot dashurinë mes sekseve të njëjta. Në ambientet ku jetonte ajo pederastët urreheshin për vdekje, aq sa përdoreshin në rastin e shfryrjeve të inatit të madh. Zoti sipas saj e kishte ndërtuar femrën dhe mashkullin të dashuroheshin dhe të krijonin familje e të lindnin fëmijë. Ky ishte verdikti i Zotit në jetë. Vetë jeta e saj ishte shembull i kujdesit dhe modelit tradicional të dashurisë. Kish qenë gjithnjë skeptike për modelin që do shfaqte në jetë. Me një martesë të bukur dhe të kujdesshme ajo bënte pjesë në familjet model të Athinës, që e kishte traditë por që e ushqente dhe përditë me edukatë qytetare dhe sakrifica. Por ishte dhe një grua e kulturuar që kishte lexuar që dashuri të tilla ekzistonin që në Greqinë e lashtë. Dhe flitej aq shumë për këtë fenomen të shtuar në kohën e sotme nëpër biseda mes miqsh. Dhe shumë herë ajo grua e mbyllur kur ishte bërë nënë kishte menduar po të kishte një fëmijë të tillë çdo bënte. Dhe këtë pyetje e ngrinin shpesh dhe mediat greke dhe ishte në diskutim dhe në filmat që ajo ndiqte. Deri para pak vitesh homoseksualizmi quhej një sjellje e fituar gjatë jetës, ndërkohë që shkencëtarët kishin zbuluar vitet e fundit se ishte çështje kromozomesh.

Filmat mbi këtë fenomen ishin të shumtë dhe asaj i kish bërë përshtypje një film australian ku të rinjtë në moshën e adoleshencës provonin veten në marrëdhënie etero dhe homo për të gjetur se ku ndjeheshin më mirë. Ai film e kish lajthitur pak. Modernizmi nuk i pëlqente. Homoseksualët dilnin në rrugë me biçikleta në ditën e tyre gaypride më 17 maj. Nuk dinte ç’të bënte. Ndjeu një lloj sëkëlldie por e mbajti veten. Ishte fundi i fundit. Atë komunitet gjithnjë e kish mbajtur larg, gati-gati në indiferencë. Por kishte një respekt shumë të madh për zotin Jorgo.

Të gjithë shprehnin pëlqim dhe lavde për punën e tij si ndërtues dhe për korrektesën e tij. Ishte një grua që nuk i interesonte jeta intime e tjetrit. “Të bënte ç’të donte në shtratin e vet” mendoi dhe u largua duke brumbulluar me veten. “Mua më intereson puna e tij, të tjerat janë jeta e vet”. Po diçka përsëri seç e sëmbonte.

Besnikëria dhe sjelljet seksuale dhe dashurore gjithnjë kishin qenë një pasaportë vlerësimi për tjetrin. Dhe këtu nuk mendonte se gabonte. Në pjesën më të madhe të popullatës të qenit i martuar, qoftë dhe i palumtur ishte një panoramë besueshmërie, etikete dhe vlerësimi.