>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Largësia

Drita e syve të mi, ndodhesh aq larg prej meje saqë ndiej një boshllëk pafund...Lukthi i stomakut më ngrihet deri në fyt.

Qielli mbi fushat e zhvoshkura e plot borë është i kaltër, i hapësinuar dhe i pastër. Siluetat e maleve të kujtojnë legjendat, jehonat dhe komitët që presin me thikë udhëtarët e pasur. Thikat gri dhe jataganët se trembin dashurinë time. Kam aq shumë dashuri të mbledhur brenda vetes sa më duhet të mblidhem kutullaç dhe si ortek gjigand të mbledh shtresat e borës si shtresën e ankthit tim që po më mbyt e të hidhem e përdridhem borës e akullit dhe të mposht zemrën si kallkan.

Ç’bëj vallë këtu? Pse vij vërdallë me makinë në xhiro të vdekura? Kuturu! E në fund të fundit, pse e ruaj veten për ty? Ah, në shpirtin tim janë gdhendur aq shume rrëfime dashurie që tashmë më duken si fletë të vdekura të një libri që nuk mbaron kurrë. Ato janë plot trishtim të pa shpresë, plot ndjenja të rënda, janë të shpërndara e të vetmuara tamam sikur të mos ishin shkruar kurrë në jetë...Ndjenja i ndërron stinët e zemrës sime me një shpejtësi marramendëse.

Më duket sikur një çast përvëlohem tek kraharori YT. Aty ndizem, shuhem, ngjallem, këndoj... Dhe më pas kam frikë, dridhem e hidhem në humnerën e vetmisë.

Ti je aq larg zemra ime. Ka kaq shumë fusha të lëna djerrë, pemëtore të zhveshura portokajsh, liqene plot peshq, kufij dhe lumenj që na ndajnë. Je aq larg e dashura ime. Dhe më mungon vështrimi yt i pakufishëm, përqafimi i maleve të tu, këndjellja e syve plot shpresë e xixëllimë. Po dhe pse se shohin dot bashkë këtë peizazh ti je diku brenda meje. Si duket largësia na mban më të lidhur dhe forca magnetike në këtë rast është më e fuqishme. Kjo është fytyra tjetër e Jetës, asaj jete e cila mi ka ngulur sytë e s’po m’i ndan por mua mjafton që ti hedhë një sy që fytyra e dashur të më dalë para syve në horizont, e butë, me ata sy të ëndrrave të vërteta mashkullore.

O ajër gjithë aromë gjethesh! O erë e ngrohtë dhe e lagësht që vjen nga malet! Ç’ka ndodhur? Edhe mundem edhe nuk mundem ta kuptoj, ndjenjat për ty nganjëherë, më largojnë dhe njëkohësisht më mbajnë në zemrën tënde, më ngrenë përpjetë e më groposin, është objekt goditjesh dhe hobe, humbëtire, fluturime e britma zogu në thellësitë e gjelbra e të arta të pyjeve të Dajtit...Jo është një e njohur e panjohur.. Ti je larg. Sot është një tjetër afër meje që s’mund të të zëvendësojë...Je ti biondinë pranë meje- i drejtohem asaj duke mbyllur ligjërim tregimin...

Unë jam më delikat se ti, dhe dua më shumë përkujdesje.. Ti ec në rrugën e përrallave, unë në rrugën e meditimeve dhe përshëndetjeve herë të sinqerta herë të ç’virgjëruara. Por jam si zog që dua hapësirë, ky jam unë. S’jam për ty..se di si më erdhi ky ligjërim. Ajo rrinte përballë meje tek dera e makinës dhe më shihte me sy të zgurdulluar. I pëlqeu frymëzimi por e trishtoi përfundimi...
-I fole të dashurës larg? S’është në Tiranë? Kush është ajo fatlume? Ajo fliste, unë isha në botën time të tregim rrëfimit...Dal nga makina...

E përqafoj prapë pa i dhënë kohë të përgjigjet. I kthej shpinën dhe futem në makinë me shpejtësi skëterrë. Po ashtu fluturimthi ngas dhe makinën. Nuk i kthej sytë mbrapa dhe s’dua të shoh asgjë. Por pasqyra më jepte siluetën e saj..

Ajo po rrinte aty me sytë nga makina si një shtatore e bukur me ëndrrën tek kufijtë e legjendës. Ajo jetonte një jetë të veçantë që rrallë femër do e ftonte pranë vetes në këto vite. Ishte e bukur, e zgjuar, delikate, por i mungonte diçka e vogël, por që për mua ishte ditari sekret i artë në sirtar...