>
LETERSISHQIP

Olta 2

Ajo hapi dritaren e dhomës së gjumit paksa dhe hodhi vështrimin në drejtim të malit të Dajtit. Dielli sapo kish hedhur rrezet e para mbi qytet pa dalë ende i plotë nga mbulimi malor. Ashtu gjysmë i shfaqur kuqëlimi i rrezeve të jepte ndjesinë e një dite të bukur ku njerëzit dëshirojnë të ecin me këmbë nëpër udhët e qytetit apo të dalin nëpër lulishtet apo baret për një kafe me shoqërinë. Njerëzit kishin filluar të dilnin nga shtëpitë në drejtime të ndryshme.

Dikush për në punë dikush për në shkollë, dikush për vizitë apo të të bërë pazarin e mëngjesit sidomos përgjatë rrugës kryesore ku fshatarët demonstronin prodhimet e tyre të freskëta. Edhe në pallatet përballë filluan të hapen dritaret apo perdet. Ora ishte 6 -30 minuta, orë në të cilën zgjimi është për njerëzit më të preokupuar me punën apo me problemet e ditës.

Pasi kaloi në panoramën e syve gjithë lartësitë e ambientit ajo i hodhi sytë poshtë në lulishten para pallatit. Ulur në një stol me sytë nga dritarja e saj duke thithur fort një cigare rrinte ai tipi. Ai që kishte mëse pesë muaj që kryente të njëjtin ritual. Ulej në të njëjtin vend, me cigare ndezur dhe me sytë tek dritarja e saj që vështrimin mundohej ta mbulonte me vënien e një palë syzeve të errëta në sy. Disa metra më tutje ai linte makinën një “Volkzvagen Polo” të markës së fundit të cilën e mbante për merak. Kur vështrimi i tyre u përplas ai tundi kokën në shenjë përshëndetjeje ndërsa ajo menjëherë mbylli perden me inat dhe u ul në shtrat. Për disa momente vetëm meditonte. Kryqëzoi duart dhe gishtin tregues të dorës së djathtë e vendosi në gojë. Mendime kontradiktore i kapluan gjithë qenien.

Nëpër mend përçoi gjithë kohën e ndjekjes së tipit. Interenari i zakonshëm shtëpi-Universitet- lokal-shtëpi. Ajo me këmbë ai me makinën pas saj. Ndalesat e herëpashershme të makinës. Thirrjet:
- “Olta mund t’ju shërbej si taksi? Sigurisht pa lekë”. Disa metra më tutje:
- “Eh, mbrëmë nuk kam fjetur. Mu duk sikur po bije nga dritarja. Oh ç‘llahtarë kam hequr. Po ti ke parë ndonjë ëndërr mbrëmë?!”

Ndërsa një ditë kur shiu mbi qiellin e Tiranës binte me gjyma, ai ndaloi makinën duke bllokuar lëvizjen e makinave të tjera dhe u turr ndaj saj;
- “Olta mos luaj me ujin dhe zjarrin. Ti je si sheqer. Do tretesh, prandaj hajde në makinë”. Atë ditë ajo mezi e mbajti të qeshurën dhe në momentin kur ishte vetëm ka qeshur me lot sikur të ishte budallaçkë. Dhe tani mendonte katër muajt e tipit. Katër muaj e gjurmuar, e survejuar, e përkëdhelur, e shoqëruar, e mbikëqyrur, e provokuar, e... Me vete tha “megjithëse nuk e pëlqej, e ndjej se do të bëhem e dashura e tij”. Këmbëngulja e tij ishte e paparashikuar dhe tashmë asaj, tip- tipi i ishte bërë pjesë e jetës. Nuk mund ta konceptonte zgjimin dhe mosqenien e tij aty para pallatit duke parë nga dritarja e saj. Ndoshta vetëm ajo e dinte përse rrinte ai aty, pasi mënyra e ndenjjes nuk ishte shumë e përcaktuar. Ishte simpatik nga ata tipat garipa që femrat në moshën e shkollës së mesme dhe në universitet i pëlqejnë. I hedhur, shakaxhi, flokëzi, me barseta deri në fund të veshëve, paksa i shëndoshë për moshën, sy zi, ezmer...Meditonte...
-U bë vonë moj bijë...Do të ikësh në shkollë sot apo jo?-dëgjoi zërin e së ëmës nga kuzhina.

U ngit vrikthi në këmbë. Zëri i nënës ishte gjithmonë autoritar. Sapo doli nga hyrja e pallatit ai tipi ndezi makinën dhe filloi ta ndjekë. Në kthesën e rrugës ai frenoi dhe duke iu lutur i thotë:
-Olta bëje njëherë zemrën pulë se gur e di se e ke. Zëre se nxiton dhe do të merrje një taksi.

Ajo ndaloi. Buzëqeshi dhe pa menduar gjatë u drejtua nga dera e mbrapme. Hapi me nxitim derën dhe kur u ul e mbylli duke e përplasur atë me forcë.

Ai u hutua krejt! Nuk po niste makinën. Kishte hapur gojën dhe shikonte në pasqyrë Oltën.
-Ec! Çfarë pret?- i tha ajo me ton. Ai i hutuar po e shihte ende në pasqyrë me gojë hapur. Kurrsesi nuk mund ta besonte që tani ajo ëndrra e tij ishte brenda makinës së tij. Pas rënies së zhurmshme të disa borive mbrapa tij ai e lëvizi makinën me shpejtësi duke bërë gomat të tërsëllinin duke nxjerrë avuj dhe tym në kontaktin me asfaltin. Donte të tregonte se ishte mjeshtër i drejtimit të makinës me atë nisje spektakolare ku frenat fishkëllenin si sirenë treni.
-Me ngadalë se do të na përplasësh!
-Si të duash ti, zemër! Po të duash mund dhe të qëndrojmë. Është ditë interesante sot. Jam në dispozicion… -Sa llafazan që je.
-Eh ç’nuk të bën dashuria. Llafazan, është pak. Të bën të marrë. Ti je bërë ndonjëherë e marrë më parë?
-Qenke i pacipë? Me kë mendon se bisedon? Dhe..
-Më fal, më fal, fal, faaaaaal! - e ndërpreu ai nga frika se moa ajo nevrikosej dhe më dhe zbriste nga makina. Të ndjek rrugën e zakonshme apo...?
-Pse ku e di ti rrugën time të zakonshme?
-Pse bar ha unë. Unë më mirë di rrugën e shtëpisë tënde se timen. Më mirë di se ku shkon ti se ku shkoj unë. Me mire di se ç’ha ti, se ç’ha unë. Më saktë di se ku i blen rrobat ti, se a ka dyqan që blej unë. Eh, po mirë...Pa dale, po ti nuk e ke vënë re që unë të ndjek deri në shkollë?
-Jo!-gënjeu ajo dhe ngriti kokën vrikthi lart duke e kthyer vështrimin jashtë, për të shprehur indiferencë.
-Sa keq! Mua më kanë rënë këmbët, më janë çarë gomat e makinës, më është marrë fryma, më merr shpesh uria duke të pritur, ti... Eh ç’është kjo jetë. Disa sakrifikojnë gjumin, kohën, punën, për hir të dashurisë, të tjerët nuk vënë re as të mijëtat e interesimit. Jetë e poshtër, e poshtër...

Ajo qeshi nën zë.
-E di dhe një gjë? Nuk e di. Por unë e di që di nuk e do. Ti i urren cigarepirësit. Unë isha një i tillë. Një kampion pirës i duhanit. Kur kam pyetur shoqet dhe shokët e tu që ti e urreje duhanin çfarë s’bëra për ta lënë. Fillova karamelet në vend të duhanit. Për ca ditë u mësova dhe me cigare dhe me karamele. Karamelet i barazoja me ty (Ajo qeshte nën zë). Pastaj kur më vinte për cigare vendosja piper të zi në gojë. O ç’hiqja deri sa e lashë, E ç’më ke bërë moj vajzë. Tortura. E lashë, bëra mirë. Gëzimi më i madh i nënës ishte kur lashë duhanin. “Eh moj nënë ku ta dish ti pse e lashë, ”- thosha me vete. Dëgjon apo jo? Nejse puna jote. Puna ime është se të dua. E di kur kam rënë në dashuri me ty? E di që nuk e di.

...Ka qenë një ditë e diel gushti. Ishte shumë nxehtë. Edhe dielli vetë pëlciste nga vetja atë ditë. Të merrte malli për një frymë ere. Për një fëshfërimë gjetheje. Për një lëvizje floku. Dukej sikur gjithçka kishte ngrirë, kur temperatura ishte ajo më e larta e shkrirjes. Edhe lepujt në kafaz. Edhe pulat në kotec. Edhe njerëzit në stola. Edhe peshqit në det, flinin, vetëm flinin dhe nuk pipëtinin. Njerëzve u kishte hyrë frika në palcë të hapnin gojën. Kishin frikë mos u futej zjarri në bark. Kisha ardhur tek pishinat pasi kisha ca punë dhe nuk mund të shkoja në Durrës. Isha vetëm. U ula rastësisht pranë teje. Nuk të njihja. Ti ishe me një shoqe. Luanit volejboll me një top. Gjithmonë ajo të thoshte: kujdes Olta! Olta, sa emër i bukur. Kur dole nga pishina dhe fillove të shkundësh nga trupi pikat e ujit që ngjanin si margaritarë, u mrekullova. Dukeshe si një Gorgonë e dalë nga deti enkas për të mrekulluar shikimin tim. Rrobat e zeza të banjës ty të rrinin si pjesë e trupit jo të qepura por të lindura bashkë me ty.

Një trup perfekt. Se ç’bisedoje me shoqen dhe qeshje. Dhëmbët e bardhë, një gropëz që të formohej në cepat e buzëve, e qeshura interesante e veçantë që o zot. Pastaj ecja gjithë delikatesë. U shtrive në shezlong me kujdes sikur do të thyeje vezët. Lëvizja e kokës dhe përhapja e flokëve në ajër, të lexuarit e vëmendshëm. Prekja me delikatesë e herëpashershme e pjesëve të trupit. Sytë e zinj, flokët e zinj, buzët plot lëng të trasha. Vetullat harkore të... Atë ditë të kam bërë rreth 30 fotografi në mënyrë të fshehtë. Ja ku i ke, - dhe i dha një zarf me fotografi. Eh, rashë në dashuri menjëherë. Shumë shikime kureshtare ishin mbledhur rreth trupit tënd. Dhe kur ike të ndoqa mbrapa, deri në shtëpi. Atë ditë të mësova dhe shtëpinë. Atë natë nuk kam fjetur gjumë…

Ajo mori në duar zarfin me fotografi dhe duke i parë filloi të meditojë. Se si i dukej. Ishte një tregim i veçantë. E ndjente dhe pse se lidhte asgjë me këtë njeri, këmbëngulja e tij, tregimi i tij, fjalët, shpengimi e bënin ti kushtoje vëmendje. Ajo humbi në dyzimin e saj. Çdo të bënte pas këtij momenti kur ajo u fut në makinën e tij?

Ai frenoi para ndërtesës së fakultetit të Mjekësisë.
-Do pimë një kafe meqenëse jemi shpejt? – I tha ai.
-Ku e di ti se jemi shpejt?- e pyeti ajo.
-Po jemi 20 minuta. Kur vjen me autobus ti mbërrin këtu në orën 08-00, sot jemi në 8 pa njëzet. Ajo qeshi sërishmi.
-Jo, nuk kam kohë. Kam një takim me një shoqe. Prandaj erdha dhe me makinën tënde sepse duhej të vija më shpejt, -gënjeu për të dytën herë sot ajo. Një ngjyrë prushi iu përhap në fytyrë kur tha këto fjalë. Gënjeshtër që s’prish punë e lehtësoi vetveten, sepse ndryshe nuk do të gënjente kurrë.
-S’ka rëndësi që erdhe për këtë arsye. Rëndësi ka që u fute në makinën time. Tani kjo makinë do të ketë me vete erën tënde. Tani edhe kaq më mjafton. Të paktën mund të më lësh numrin e celularit? Ajo u mundua pakëz dhe pastaj me një ton të lartë dhe të nxituar i tha:
-Jo, më mirë më lër ti tëndin…

Pa mbaruar ajo fjalën ai ia përsëriti disa herë numrin e tij të celularit Vodafon, duke theksuar se emrin e kam Gazmend, shkurt Gazi, kujto gazin e makinës, ai jam unë. Emrin e kam shumë të bukur. Emër shqiptar. Ajo e regjistroi në celularin e saj dhe pastaj duke përplasur derën e makinës me frikë i thotë:
-Faleminderit! Do të telefonoj.

Ai për disa minuta e ndoqi me sy, duke mos e lëvizur makinën asnjë milimetër.

Pas atij momenti Gazi një nga fotografitë e saj (pasi kishte bërë dy kopje fotografish) e vuri përpara në kroskotin e makinës. Ishte një fotografi që ai e kishte nxjerrë në profil duke qeshur me rroba plazhi. E mori edhe njëherë fotografinë në duar, i kaloi dorën lehtë në të gjitha përmasat, pastaj e puthi lehtë dhe e vuri tek kroskoti.

***

Atë ditë nuk po i bëhej asgjë. Pasi pa me radhë të 8 makinat që kishte nxjerrë në shitje në një shesh pranë Qyteti Studenti, u fut në “Volgzvagenin” e tij dhe filloi të rrotullojë nëpër duar fotografitë e Oltës. Njëra i dukej më e bukur se tjetra. I shikonte dhe psherëtinte. Sot i dukej dita më e bukur por edhe më e mërzitshme. Nga njëra anë hipja në makinë e Oltës i dukej si një ditë e rrallë, si një ëndërr e bërë realitet, nga ana tjetër tashmë i vetëm pa të i dukej si një rastësi që nuk do të ndodhte më. Indiferenca e saj, nënqeshjet, serioziteti, shpërfillja kur iku, mosdhënia e nr të celularit, e bënin të mendonte se ishte një tallje e zakonshme e një femre me pretendime në jetë. Deri më sot kishte njohur femra teveqele, që për një makinë jepnin çdo gjë, bile kalonin deri në neveritje. Kishte njohur femra që për një të hipur në makinë para të ngjiteshin si mastiç dhe të përgjëroheshin deri në pështirosje. Ndërsa Olta ndryshonte, ndryshonte tërësisht. Jo vetëm nga sjellja, veshja, fiziku, arsimi...Këtu qëndronte më gjatë...

Psherëtinte kur kujtonte shkollën. Kishte mbaruar gjimnazin “Ismail Qemali” dhe asgjë më tepër. Dhe atë me të shtyrë. Asnjëherë nuk e kishte pasur dëshirë shkollën. Aq më tepër lëndë të tilla si matematika dhe fizika. I dukeshin si gjërat më utopike në jetë. Matematikanët dhe fizikanët i dukeshin të ndarë nga turma e njerëzve. I ngjasonin si alien me tru specifik ku gjallesat njerëzore përbënin një veçanti si fragmentizëm të zotit në përzgjedhjen njerëzore. Ai dashuronte vetëm makinat. Nuk la gurë pa lëvizur deri sa nxori një vizë për Gjermani kur filloi të merrej me tregtinë e makinave.

Ishte viti i 5 që merrej me këtë lloj tregtie. Ishte i kënaqur për fitimet por që i hante shumë kohë dhe lirinë e kishte të kufizuar. Nuk po gjente rehat edhe brenda sedileve të rehatshme të “Volkzvagenit” të tij. Kujtimet e çuan në fillimet e punës. Po te ky shesh ishte njohur me një vajzë bionde. Etleva e quanin. Ajo erdhi me një shoqen e saj për të blerë një makinë. Kërkonte Golf të kuq.
- Kam shkuar kudo por nuk kam gjetur. E dua vetëm të kuq, - tha ajo ditën e parë.
-Vetëm ti mund të ma gjesh. Për tek ty më adresuan. Por e dua shumë shpejt.

Ishte një femër provokuese dhe interesante. Për ditë të tëra ajo nuk i shqitej. Filluan të pinë dhe kafe në darkë bashkë. Bile një natë nën avujt e uiskit u gjetën nën krahët e një flirti aspak interesant. Gazi u detyrua të bënte një rrugë të shpejtuar jashtë parashikimeve për në Gjermani. Dhe solli Golf-in e kuq. Lajkat, spërdredhjet, bezdisjet, llafet lumë bënë që makinën ta shiste me humbje. Pas atij momenti Etleva s’u duk më. Kurrë. Bile dhe dy tre herë kur ishin ndeshur në rrugë ajo kishte bërë të panjohurën.

“Çudi!” thoshte me vete Gazi.

Meditimet ia ndërpreu një telefonatë. Pa numrin në pasqyrën e celularit. Ishte Fadili, shoku i tij i ngushtë i lagjes.
-Urdhëro Fadil-u përgjigj ai.
-Ku je?
-Tek makinat.
-Po vij me një shok. Më prit.

Pas pak Fadili erdhi bashkë me shokun e vet. Ai kërkonte të blinte një Benx 190. Gazi i bëri prezent 2 copë të prodhimit 1988- 1989 dhe pas shumë debatesh ranë dakord për blerjen e njërit me ngjyrë të zezë. Të nesërmen ranë dakord për dokumentacionin e shitblerjes. Pasi klienti u largua, ata të dy u futën në makina. Pa zënë vend ende në ndenjësen e sediljes të pasagjerit, Fadili lëshoi një Uaaa...
-Ç’pate dreq se na trembe! - i tha Gazmendi. -Po kjo fotografi çdo këtu?-pyeti Fadili duke marrë fotografinë e Oltës në duar.
-Pse nga e njeh ti këtë? -pyeti Gazi më zemër të ngrirë.
-Si se njoh. Çuni i xhaxhait tim e ka komshi. I kanë hyrjet ballë për ballë. Vëllai i saj është shok i ngushtë me çunin e xhaxhait tim. Punojnë bashkë në një firmë ndërtimi. E kam njohur Oltën në ditëlindjen e çunit të xhaxhait. Të gjithë flisnin me konsideratë për të. Vajzë e rregullt dhe simpatike. Ka një familje të shkëlqyer. I janë vardisur me dhjetëra meshkuj por më kot. Tani më thuaj çdo kjo fotografi këtu? Është me rrezik, se vëllai i saj Arditi e do shumë dhe nuk e lë kurrë vetëm. Është dhe shumë kokëkrisur, - më thotë çuni i xhaxhait.
-Uufff, - psherëtiu Gazi.
-Ç’ke? Mos je ngatërruar gjë...?
-Ç’të të them… Kam shumë gjëra. Kam rënë në dashuri me këtë vajzë. Kam rënë çmendurisht. O do ta marr apo nuk e di çdo të bëj. S’më zë gjumi natën-dhe filloi ti tregoi gjithë historinë. Fadili e dëgjonte dhe rrinte si i ngrirë. Kur ai mbaroi Fadili me shumë sinqeritet i thotë:
-Gazi, ajo vajzë nuk është për ty. Ne jemi shokë prej kohësh, dhe duhet t’ia themi çka mendojmë njëri-tjetrit në sy.
-Pse ç’kam unë? -u inatos Gazi dhe u ngrit paksa duke e kapur për bluze Fadilin. Çfarë kam, -i tha duke e tundur disa herë. Fadili e shihte i habitur por dhe i zemëruar njëherësh. Ai ia kapi dorën e djathtë me të dyja duart e tij dhe ia largoi nga bluza.
-Po e tepron Gazi.
-Unë apo ti po e tepron? Fol, kush po e tepron? -foli ai sërishmi me një ton të fortë sa u drodhën xhamat e “Volkzvagen-it”. Fadili e njihte mirë. Ai njëherë në vit shpërthente ashtu. Kur kishte të bënte me situata që nuk i pëlqenin në lidhje me personalitetin apo të ardhmen e tij, Gazi tregohej egoist. Donte patjetër të dukej. Të ishte në qendër të bisedave.

Ta respektonin duke bërë çmos që të lidhte miqësi me persona publikë të çdo fushe. Për këtë shfrytëzonte çdo lidhje miqësore dhe nuk e kursente paranë. Veten mundohej ta mbante mirë duke u veshur në mënyrë moderne duke mos kursyer paçka se këto lloj veshjesh nuk i shkonin fizikut të tij. Nuk linte rast pa shfrytëzuar për njohje të reja për persona me peshë si i cilësonte ai. Në takime të tilla mundohej të tregohej i matur, të përzgjidhte fjalët duke mos lënë për asnjë rast pa përmendur vetveten për aftësitë tregtare. Mundohej të imponohej si një specialist i njohjes së makinave duke u dhënë këshilla të gjithëve, për markat, përdorimin, cilësitë e veçanta. Donte të tregohej interesant në çdo bisedë dhe mundohej të linte gjurmë me bashkëbiseduesit e rangjeve të larta. Bile në raste të tilla bëhej shumë llafazan. Sipas tij në ekonominë e tregut përparësi nuk është shkolla por intuita, pra të qenit praktik. Kur përmendej shkolla ai mundohej të fshihte një të skuqur të brendshme që për çdo moment mund ti përhapej në gjithë fytyrën.
-Ti po e tepron. Kush pandeh se je që sillesh në atë mënyrë?. Pastaj po ta them. Ajo vajzë është në shkollë për mjekësi. Është me nota të shkëlqyera. Ti do ta ndjesh me kalimin e kohës disnivelin intelektual. Do ta ndjesh dhe do ndihesh keq me tipin që ke. Nuk mund ta pranosh që ajo të shkojë në rrethe intelektuale, të bisedojë, të merret me politikë, të lëvizë nëpër simpoziume ndërkombëtare, të ulet me kolegë pasditeve për kafe. Ti je xheloz. Bile tipi yt do gjithmonë të komandojë. A nuk e kupton që do të marrësh dhe atë dhe veten në qafë? Pastaj… Ku di unë…Ti prapë do nxehesh…Do më kapësh për fyti… Nuk besoj që Olta të të pranojë... Të më falësh...

Por në mënyrë krejt të çuditshme, kur Fadili priste sërishmi ulërima dhe kapje në fyt, Gazi nënqeshi, duke i thënë:
-Për këtë të shohim. Më pranon apo jo. Unë pse e kam mbajtur të fshehtë. Kam katër muaj që e ndjek në çdo vend. Sot ajo është futur në makinën time. E kupton në makinën time. Ja atje mbrapa. Nuk e ndjen çfarë arome ka makina brenda? Aromën e saj. Aromën e Oltës. E hehehe e. Kështu buçko. Si duket nuk i njeh mirë aftësitë e mia.
-Por kjo s‘do të thotë që të ka pranuar.
-Ti do me çdo kusht të më ndërrosh mendje. Por ti je si unë mashkull dhe e di mirë që kur një femër të hyn në makinë të ka dhënë gjysmë fjale. Askush nuk futet si derri në thes, aq më tepër një femër si ajo. Pastaj ti e di mirë natyrën e femrave kur hedhin një hap të tillë. Nuk është fare i pastudiuar dhe i padëshiruar nga një vajzë një hap i tillë.

***

Pas asaj dite Gazi priste që Olta të vinte vet drejt e në makinën e tij çdo mëngjes. Por ndodhi e kundërta. Fill të nesërmen ai po priste tek vendi. Ajo kaloi para tij pa asnjë shenjë njohjeje dhe vazhdoi normalisht rrugën. Ai filloi ta ndiqte nga pas me makinë. I foli disa herë në emër por më kot. Ajo më indiferente se herët e tjera. Kështu vazhduan plot 35 ditë të tëra. Aq sa ai po e humbte durimin. Çdo ditë të heshtjes së saj ai bënte një prerje me thikë në rripin e mesit të pantallonave. Si puna e ushtarëve që shënojnë ditët e mbetura për të mbaruar ushtrinë. Herë-herë i bëhej të dilte nga makina dhe ta fuste me forcë brenda saj.

Të rrëmbente dhe ta çonte në shtëpi. Bile nënës ia kishte bërë prezent ketë rast. Ajo e kishte venë re ndryshimin në sjellje dhe në ushqim të djalit të vetëm. Edhe i bëhej zemra mal që djali kishte vënë mend dhe po merrte seriozisht jetën. Pas kaq kohësh heshtjeje ai po humbte çdo shpresë në qëndrimin e saj për të. Rrinte çdo ditë me sytë tek celulari se mos ndoshta ajo gabimisht i binte. Kur në ekran dilnin numrat e njohur të miqve dhe të afërmve të tij ai shfrynte dhe shpesh herë nuk e merrte mundimin ta hapte fare. Ishte mbyllur në vetvete dhe nuk shoqërohej më si më parë. Edhe oreksi i ishte prerë.

Tentoi të fillonte duhanin, bleu një paqetë cigare Marlboro dhe e hapi. Vuri një cigare në gojë por në moment kujtoi Oltën. E bëri paqetën copa copa dhe e hodhi si rrugaç në mes të rrugës aq sa kalimtarët e rastit e panë me bezdi. Në atë mbrëmje të 35 ditëshit, u ul në një lokal përballë sheshit ku shiste makinat. Ishte dhjetor. Jashtë binte një shi i rrëmbyeshëm. Xhamat e lokalit u mbushën me avull dhe nuk mund të shikoje as një milimetër jashtë. Porositi një dopio Xhin. Donte të pinte. Të hiqte një siklet të brendshëm. Kishte kohë pa pirë. Kishte hequr dorë dhe nga pija. Nuk e vuri re fare kamerieren kur i vuri gotën përpara. E kapi gotën me dorën e djathtë dhe filloi ta rrotullojë mbi syprinën e tavolinës. Pija brenda gotës mori dallgëzime dhe disa pika ranë mbi tavolinë. Ai shihte ato pika alkooli që dukeshin si pika djerse pas një pune të stërmundimshme. E pa dhe njëherë gotën me vëmendje dhe pastaj me një frymë e ktheu përgjysmë. Një ah-doli prej gojës së tij që ai e shoqëroi me një të fshirë të buzëve me mëngën e xhaketës së dorës së djathtë. Kishte vendosur që atë mbrëmje nuk do të lëvizte nga lokali derisa të mbyllej.

Do të pinte në vetmi. Nuk dëshironte të kishte asnjë njeri afër. Donte të pinte, të pinte. Donte të harronte çdo gjë. Edhe punës nuk i rrinte mbi kokë si më parë. Shpeshherë zvarriste porosi të majme. Në lokal hynë disa njerëz të cilët e përshëndetën por ai as që ia vuri veshin fare. Dikush edhe e ftoi në tavolinë por në atë ambient ai rrinte si nja statujë pa marrë parasysh, zhurmat, ftesat, përshëndetjet...tani donte të ishte diku jashtë Tiranës, në ndonjë hotel në Dajt me Oltën, të...Mendimet ia ndërpreu zilja e celularit. Pa në ekranin e celularit numrin. Ishte një numër fiks. E rrotulloi disa herë celularin nëpër duar me mëdyshje, ta hap apo jo? S’kishte dëshirë të fliste me askënd aq më tepër të takonte dikë jashtë këtij lokali në këto momente. Këmbëngulja e celularit e mposhti. E hapi me shumë bezdi duke vënë atë në vesh.
-Alo, Urdhëro!
-Olta jam, më dëgjon. Gazmend, Olta jam!-ai s’po u besonte veshëve. Celulari i ra nga dora mbi tavolinë. E ngriti menjëherë,
-Po, po unë Gazi jam, Gazi. Po Olta-e ngriti zërin në kupë të qiellit sa të gjithë në lokal kthyen kokat menjëherë me habi. Nga heshtja në një gëzim të papërmbajtshëm.
-Të lutem jam tek fakulteti. Dua të iki në shtëpi por në këtë qamet nuk mund të dal dot asnjë metër. Mund të vish të më marrësh me makinë.

As ajo nuk e mori me mend se si i telefonoi Gazit. Në mënyrë instiktive numri i celularit ndaloi tek emri i tij. Ajo shfryu. “Hej Dreq!” -tha me vete.
-Të të marr?!! -dëgjoi zërin e tij në celular. Unë për ty përmbys botën moj zemër. Unë për ty jam mbyllur si në kazermë. Jam bërë ushtar i vetvetes. Jam bërë shurdhmemec. Ç’nuk jam bërë. Unë për ty vras dhe komshien që të vdektë nëna të vdektë. Lumi i fjalëve të tij nuk mbaronte. Asaj dhe i vinte të qeshte dhe ndiente bezdi.
-Për 5 minuta jam aty. Se mos të bie ndonjë pikë shiu në fytyrë. Se mos të prish era flokët. O Zot, mos e lërë natyrën të kënaqet me bukurinë tënde. Lërja ndonjë fukarai këtë të drejtë. Dëgjo, dëgjo! Rri brenda në korridor se ti je si sheqer dhe tretesh. Fliste me zë të lartë sikur të ishte vetëm. Një pjesë e klientëve qeshnin nën zë për të mos rënë në sy, ...
-Ja erdha, thuajse jam aty. Fjalët e fundit i thoshte kur celularin e kishte larguar prej veshit nga hutimi. Sigurisht ajo as që i dëgjonte fjalët e fundit pavarësisht se ai ishte i bindur se i përcillte normalisht. Celularin e kishte vendosur në xhep dhe përsëri thoshte:
-Erdha zemër, erdha...!

Pa parë se si reaguan të tjerët, pa e patur mendjen fare te pagesa. Pa marrë as çadrën ai u sul tek dera dhe me vrap drejt makinës. Disa prej klientëve u çuan në këmbë të shihnin ç’kish ndodhur. Në mes të rrugës ai rrëzohet. Një makinë frenoi thekshëm. Vetëm disa centimetra dhe mund të ishte bërë objekt i një aksidenti. Shoferi nxori kokën tek xhami i makinës dhe lëshoi një breshëri me të shara duke vënë duart në kokë. Ai as që kërkoi falje dhe as ju përgjigj të sharave të shoferit që në rast tjetër kushedi çfarë do ishte bërë. Hipi në makinë rrufeshëm dhe u nis. La të s’takuar borinë si në rast urgjencash dhe u nis në drejtim të fakultetit të mjekësisë.

Nga shpejtësia gomat e makinave e shpërndanin ujin si shatërvan duke lagur njerëzit që qarkullonin me çadra nëpër trotuar. Kushedi sa mallkime mori sa mbërriti. Asnjë semafor nuk respektoi. Kur mbërriti brenda një kohe të paimagjinueshme për rrugët plot trafik të Tiranës në Fakultet, ndaloi para derës së jashtme të fakultetit dhe u turr për tek hyrja e brendshme. Olta rrinte mbështetur tek bordura e dritares së bashku më një shoqe. Sa e pa ajo e prezantoi me shoqen. Gazi i dha asaj dorën pa e parë në sy. Shikimin e kishte vetëm tek Olta.
-Gazi duhet të shkoj në shtëpi urgjent, se u vonova. -Të çon lali ty.

Të tre vrapuan drejt makinës. Pasi lanë shoqen e Oltës në qendër, ai e drejtoi makinën për Laprakë. Tashmë të dy ishin vetëm,
-Sikur të mos kishe marrë sot do të kisha bërë ndonjë marrëzi. Isha duke pirë, në pritje që ti të bëje zemrën sheqer, sepse gur e ke gjithmonë. Seç kisha një telepati. Pse s’më ke marrë?
-Përse të të marr?
-Sepse unë të dua dhe ti më do.
-Kush të tha ti se unë të dua?-tha ajo paksa e nxehur. -Unë them. Pse s’mund të di unë kur fillon të dojë një femër?
-Më duket se e tepron. Dhe kryesorja hiqe atë fotografi nga kroskoti i makinës. Ai e hoqi menjëherë dhe e furi brenda kroskotit.
-Olta të lutem fol më qartë. Si, nuk më do?
- Qartë duhet të flasësh ti. Un s’të kam thënë fjalë të tillë. Thjesht unë të konsideroj shok.
-Shok? Ti do të më çmendësh. Ti po luan me ndjenjat e mia. Ku e gjete shoqërinë me mua? Ti bën të paditurën… -Aspak, -i tha ajo qetësisht.
Ai ndaloi makinën duke i rënë timonit me grusht.
-Kjo është çmenduri. Tjetri po çmendet, kjo thotë e kam shok. O zot- dhe u kthye mbrapa nga ajo duke e kapur për supi. E kapi fort nga xhaketa dhe bëri një tentativë ta afronte afër vetes. Donte ta puthte. Ajo e shtyu me forcë. Tentativa e parë i dështoi. E shtyu sërishmi duke mbledhur të gjitha forcat duke ia larguar dorën dhe njëkohësisht duke e qëlluar me pëllëmbë në fytyrë.
-Bastard! - i tha ajo duke dalë nga makina gjithë inat. -Un jam i dashuruar, jo bastard!-foli ai duke dalë tek dera e makinës.
-Fytyrë për tu dashuruar ke ti!-tha ajo me zemërim.
-E, i kam parë dhe të tjerët. Nuk e di si e mendon ti fytyrën time. Po për ty mendoj se është më e mira..
-Ç’të gënjen mendja-tha ajo për të mbytur të qeshurën.
-Mua mendja, ndërsa ty sytë.

Ishin 30-40 metra larg shtëpisë së saj. Ajo vrapoi duke e lënë të fliste me veten. Ai nuk foli më dhe nuk mori mundimin ta gjurmonte. E dinte tipin e saj dhe personalitetin. Në periferinë ku banonte ajo kishte një reputacion absolut. Ai s’donte t’ia prishte këtë imazh. Shiu kishte pushuar paksa. Ai u fut në makinë dhe rregulloi sërishmi fotografinë e saj në korskotin e makinës. I buzëqeshi fotografisë. Në fotografi ajo s’kishte asgjë të përbashkët me tipin që shfaqi në makinë. O zot sa e dashuronte. Sa e dashuronte dhe pse e dinte që ajo nuk ishte për të. Nuk donte t’ia kultivonte vetvetes këtë mendim. Shikonte fotografinë dhe nuk ngopej. I dukej sikur nuk e kishte parë kurrë. Sikur ishte një fotografi top modele dhe ai një fans i saj.

***

Afrimi atë ditë kishte një punë në afërsi të Fakultetit të Mjekësisë dhe mendoi të priste motrën, Oltën. Ishin shumë të lidhur bashkë. Ai kishte një respekt dhe dashuri për të motrën të cilën ia kishin kultivuar prindërit. Në çdo moment ai tregohej i gatshëm ta shoqëronte, ta ndihmonte duke lënë çdo punë. Motra për të ishte pjesa më e rëndësishme e jetës. Dhe pse 4 vjet më i madh ai i merrte mendim për cdo gjë. Kishin një harmoni që rrallëherë mund të ekzistojë mes vëllazërisë familjare. Pa orën. Donte dhe 15 minuta që të mbaronte mësimi. Filloi të vinte vërdallë para ndërtesës. I tërhoqi vëmendjen një “Volkzvagen” i ri “Passat” që qëndronte i parkuar në të majtë të hyrjes së fakultetit. E kishte fiksim një makinë të tillë. Filloi ti vinte rreth e rrotull ta shikonte me imtësi. Ndaloi anash xhamit të pasagjerit për ta parë nga brenda. Ishte luks. Shkarazi kur donte të largohej nga makina sytë i zunë një fotografi. E pa më kujdes. Thartoi buzët. E pa sërishmi. Nuk po u besonte syve. Po ajo ishte.

Olta! Motra e tij e shtrenjtë. Fotografia e motrës së tij. Çfarë nuk do të jepte që ajo fotografi aty e ekspozuar në një makinë luksoze të mos ishte e saj. Ajo fotografi e komprometonte të motrën në sytë e tij. Imazhi i saj tashmë ishte lëkundur. U afrua dhe më tek xhami i makinës. Ajo kishte dalë me rroba banje në një pishinë. Shikimi iu mjegullua. Kurrë nuk mund ta besonte se motra e tij mund të kishte një të dashur, pa i thënë atij, sikundër kurrë nuk mund ta besonte se motra e tij mund ti dhuronte një fotografi të saj një mashkulli edhe po ta kishte të dashur. Kur mendja e tij e turbulluar po e humbte gjykimin përpara tij ndaloi një djalë moshatar me të, por më i shkurtër dhe më i shëndoshë. Ai me duar në xhepa dhe me fodullëk i thotë:
-E plako! Ja ke vënë gjë syrin makinës time. Eh, por jo me mu. Jam tirons, denbabaden, - dhe goja ju mor kur pa se kush po qëndronte para tij. Kishte disa kohë që e kishte njohur vëllanë e Oltës, Afrimin.
-S’jam i asaj kategorie mor fëlliqësirë, -dhe pa menduar më gjatë e qëllon me grusht në fytyrë. Gazmendit iu morën mendtë dhe desh ra. Ashtu gjysmë i përkulur, në shenjë vetëmbrojtjeje, mori nga toka një copë dërrase që u gjend aty rastësisht. Sakaq Afrimi e qëlloi me shkelm në bark. Ai u përkul nga dhembja duke i rënë dërrasa nga dora. Afrimi rrëmbeu dërrasën dhe e goditi ku mundi, pa ditur se ajo kishte një gozhdë të vogël me majë e cila shpoi barkun e Gazit. Ai ulëriu nga dhimbja.
-Ulëri. Aty vdis, derr!- bërtiti Afrimi dhe u mat ta qëllonte dhe njëherë me shkelm. Sakaq aty ishin afruar shumë njerëz. Olta duke dalë nga fakulteti e imagjinoi se çfarë kishte ngjarë. Që nga larg foli:
-Afrim, mos Afrim!

Ai shtangu nga mënyra e të folurit. Kur ajo ishte pranë tij, grumbulli i njerëzve ishte shtuar. Gazmendi qëndronte gjysmë i shtrirë i larë në gjak, me dorën në bark.
-Pse e bëre këtë Afrim, përse? -thërriste ajo me dënesë. Ç’katranosët kështu! Nuk dinte ç’të bënte. Ku të shkonte? Kë të qetësonte? Kur ja në të njëjtën kohë mbërrin ambulanca dhe Policia.

***

Në spital ishin mbledhur gjithë gjindja e tij. Nëna i rrinte mbi kokë. Gozhda i kishte shkaktuar një vrimë të vogël të pa rrezikshme. Problem paraqiste fakti që kishte qenë e ndryshkur. Mjekët pas qepjes së plagës i kishin bërë tetanozin. Megjithatë gjendja e tij ishte e qëndrueshme dhe ai kishte filluar të komunikonte pa shumë vështirësi. Edhe me bisedat me shokët mendjen e kishte tek Olta. Kushedi ç’bëhej në shtëpinë e saj. Po me vëllanë? E kuptonte fare mirë se shkaktari ishte ai vetë.

Ajo fotografi solli gjithë atë pështjellim. As e kishte mendjen tek biseda. As dëgjonte çfarë thoshin shokët vetëm miratonte me kokë me mendjen tek Olta. Në atë moment dera e dhomës hapet me ngadalë sikur personi që ishte pas saj ishte në mëdyshje të hynte apo jo. Kërcëllitja e menteshave në mënyrë të zgjatur tërhoqi vëmendjen e të gjithëve të cilët në mënyrë instiktive kthyen kokat. Në fillim u duk një tufë flokësh femrash, pastaj balli, sytë dhe ja e gjithë koka. Ishte Olta. Gazmendi u ngrit në të ndenjura. Sytë iu hapën në madhësinë e kokrrave të arrës, sa nga habia sa nga gëzimi.
-Olta! -belbëzoi ai më shumë se foli. Olta? Ti këtu?

Të gjithë e kuptuan se kush ishte. Bile dhe nëna e tij. U ngritën të gjithë si me komandë në këmbë dhe dolën jashtë në heshtje të plotë, sikur aty të mos kishte njerëz. Ata as folën dhe as u përshëndetën por u larguan në heshtje si të zënë në faj. Vetëm nëna e Gazit kur kaloi pranë saj i kapi lehtë dorën. Mbetëm vetëm. E shihnin njëri tjetrin dhe nuk po flisnin. Ai nuk dinte ç’të thoshte.
-Më fal Olta, më fal! Bëra gjithçka nga dashuria. Ti nuk mund ta kuptosh. S’mund të rrija pa atë fotografi në makinë. Nuk di se ç’po bëhet me vëllanë tënd. Unë e mora përsipër fajin. U thashë atyre të policisë se jam unë fajtori. Ajo u ul në cep të krevatit dhe e shihte me vëmendje. Ishte zverdhur. Nuk kishte atë energjinë e mëparshme në bisedë.
-Gazmend, unë erdha të pyes për shëndetin. Kjo është një ngjarje e tmerrshme. Si në filma. Për familjen time ka qenë e pabesueshme. Ne kemi bërë një jetë të qetë familjare.

E kupton çdo të thotë kjo për mua. Nejse. Tani nuk është koha për bisedë. Kur të shërohesh duhet të bisedojmë. Shërim të shpejtë-i tha ajo me një zë të kadifenjtë duke i kaluar dorën lehtë mbi flokë. Ai nuk po fliste por e shikonte si i shushatur. Ai zë i qetë, i freskët, i ëmbël, i ngjasonte me një zanë të mbirë aty si shenjë lutjeje për përmirësimin e gjendjes shpirtërore. Ajo në ato çaste iu duk si një magjistare që të shtangte. Dukej se edhe sendet dëgjonin me po atë vëmendje. Ajo të imponohej. O zot, vallë a mund të bëhet gruaja ime një vajzë e tillë?!
-Olta, kjo do të thotë që nuk më do?

Ajo ktheu dhe njëherë kokën nga ai dhe e përshëndeti me një të tundur të lehtë të kokës dhe trupit në mënyrë të tillë që atij ju duk se ishte në një teatër ku ajo si një aktore që është e papërsëritshme në rolin e saj të vështirë. Ç’donte të thoshte ajo me atë përkulje?

***

Ai hyri në shtëpi kokulur. Nëna dhe babai e përqafuan në heshtje. Pas marrjes përsipër të fajit nga ana e Gazmendit, Afrimin e lanë të lirë. Olta iu afrua ta takonte si gjithmonë. Si takoheshin ata të dy. Vëlla e motër që gjithkush i mbante në gojë për marrëdhëniet, respektin dhe dashurinë që shprehnin ndaj njëri tjetrit. Po ai e anashkaloi. Nuk denjoi as ta shihte në sy. Shkoi dhe zuri vendin e tij në të majtë të sallonit. Vendet ishin të paracaktuara. Kur mblidheshin në darkë të katërt, kishin vendet e tyre në sallon përballë televizorit. Në kolltukun dysh rrinte nëna me Oltën. Afrimi në kolltukun afër nënës, ndërsa Olta afër babait. Për disa minuta rrinin në heshtje. Askush nuk fliste. Të gjithë mendonin si të thyenin heshtjen dhe të lehtësonin dhimbjen.
-Pse na ndodhi kështu? Pa flisni si është puna. Në një familje ku prindërit mundohen me gjithçka për të rritur, edukuar, shkolluar fëmijët, vjen një moment dhe ata fëmijë që mendon se i ka edukuar bëhen para syve të prindërve si fëmijë pa familje, edukatë - foli babai, Samiu duke psherëtirë. Ai ishte një mësues që gjithë jetën kishte punuar me ndershmëri dhe ishte i respektuar. Pa fol ti Olta. Ajo për momentin hezitoi. Nuk donte të fliste. Shikimin e përqendroi në një pikturë në murin përballë.
-Afrimi veproi gabim - shqiptoi ajo papritur.

Të gjithë sytë u drejtuan tek ajo.
-Pse mendon ti, se Afrimi ka gabuar?
-Nuk kishte përse ta qëllonte atë djalë pa ditur marrëdhëniet e mia, ose pa u ankuar unë.
-Si?!!!-u nxeh Afrimi duke u ngritur vrikthi në këmbë. Ishte hera e dytë në jetë që ai inatosej në këtë mënyrë duke dalë edhe mbi prindërit. Edhe ata u habitën. Besuan diçka të keqe duhej të kishte që ai u soll në atë mënyrë. Hera e parë kur goditi Gazmendin. Ai priste që motra ti kërkonte të falur. Ta përqafonte, ti kërkonte prindërve të falur...Kur ja...
-Të lija atë maskara të vendoste fotografinë tënde përpara makinës dhe të bënte paradë rrugëve të Tiranës sikur të ishe mall për tu shitur? A e di ti çfarë do të thotë për një vëlla kjo?
-Ndoshta ka vepruar gabim por kurrsesi nuk duhej të arrije deri këtu. Vrasja është veprim i gabuar, tepër i gabuar.
-Ndoshta ti motër nuk të bën përshtypje që fotografia jote të bëhet objekt diskutimi. Nuk ishte e rastësishme kjo. Apo mos ndoshta fotografia jote endet edhe ndër makina të tjera?
-Afrim! Kujdes. Mos arri deri aty- foli i ati me zë të rreptë.
-Jo, jo, djali ka të drejtë-tha nëna. Ne jemi familje serioze dhe nuk mund të bëhemi gazi i botës.
-Unë atë djalë e dua! -tha me ton Olta.

Me këtë fjalë ajo donte të mbyllte çdo diskutim. Donte të mos mendonin keq për të dhe për Gazin. Ai ndoshta ka vepruar gabim që e ka vendosur fotografinë para xhamit të makinës, por ndoshta e ka harruar apo e ka bërë nga dashuria. Edhe ajo vetë nuk e diti se si i tha ato fjalë. Mbase për të shmangur shumë gjëra, mbase për të ulur tensionin në familje, por ndoshta se në këto momente diçka kish filluar të ndiente për të. Falja ndaj të vëllait. Heshtja e plagosjes, vetë plagosja.

Ata të tre shtangën. Nuk e prisnin. Ishte si një jehonë e largët, tepër e largët në luginën e asaj familjeje të rregullt.
-Siiiii?!- u hodh sërishmi nëna. Ti e dashuron atë? Kur, si, pse- nuk dinte ç’të thoshte më parë. Ti je ende në shkollë dhe ne mendojmë se si të të arsimojmë, ti e urta, shelegia, e mira e babit na bën një proçkë të tillë dhe me një djalë që edhe vetë nuk e njeh?

Atë mbrëmje ajo i kërkoi takim Gazit. U ulën në një lokal në dalje të Tiranës i mbuluar me pemë dhe ku klientët ishin të paktë. Pothuajse ishin vetëm në atë gjelbërim ku dora e njeriut kishte punuar me kujdes dhe përkushtim.

Ajo porositi një kapuçino ai një birrë.
-Dua të sqarohemi për shumë gjëra, sot- hapi bisedën ajo me seriozitetin tipik që shoqërohej me një brazdë në ballë. Gazi dinte ta lexonte atë vajzë më mirë se veten. Ai e dinte dhe emocionohej në ato raste para saj sikur të ishte ai vajzë dhe ajo djalë. Dhe ishte në jetën normale një djalë kaq i shpenguar, aq tangërlliks po para asaj vajze i dukej vetja si fëmijë. Ndihej si para madhështisë së një perëndie.
-Po. Si të duash. Po...
-Më fol pak për familjen tënde.
-Unë. Po. Kam nënën dhe babanë. Të dy pensionistë. Babai ka qenë komunist i kultivuar nëna ish- “kulake” e nënshtruar. Donin të bënin shumë fëmijë, por aq qe fati i tyre. Unë. Dhe më kanë sa për njëqind. Ashtu më thonë.
-Lëre humorin. Nuk të kam thirrur për humor.
-Jo ta thashë që ta dish. Se do ta dëgjosh nga goja e tyre. Dhe në fakt ashtu jam.
-Të shoh se për sa je. Ja ku të kam.
-Eh, me ti nuk merret vesh perëndia, jo Gazmend mavria. Kur bie brenda nuk ke çi bësh as shtambës as ujit.

Të dy bëhen bashkë.
-Të lutem vazhdo. Humoret njëherë tjetër.
-Kam një xhaxha që bëhemi pak dhe një teze që bëhemi shumë. Tezja është si nëna. Tani babai është demokrat që përkrahet nga tezja sepse kanë toka, nëna është bërë komuniste për inat të babait dhe të komshinjve që dje se shihnin me sy. Ata kanë marë teserë blu nëna të kuqen. Edhe tifoze është me Partizanin. Kur bënë ndeshje Partizani nëna u thotë “Fitoni si me gjermanin në luftë”. Babi tharton turinjtë, duke thënë “Përpara partizanë, aty ku s’ka gjermanë”, unë fërkoj duart nga kënaqësia.
-D.m.th je rritur i përkëdhelur.
-Unë. Qafsha ty, jo. Kam qenë djalë i mbrapshtë. Më rrihnin por dhe më donin shumë. Kur më rrihnin unë jua çoja buzët në fund të këmbëve dhe këmbët në majë të kokës. Kur më merrnin më të mirë thyeja 2-3 pjata nga gëzimi.

Unë edhe të pirët edhe gëzimin i kam me sherr. Me sherr intelektual ama. Sa lexoj në javë i zbraz të gjitha.
-O zot, -thoshte Olta me vete. Ky është dhe shejtan dhe engjëll. Hajde ik po deshe prej tij.
-Ke dashuruar ndonjëherë ndonjë vajzë?
-Thash se rashë në dashuri me njërën. Ishim në gjimnaz bashkë ishte një vit poshtë meje. Flutura e quanin dhe si flutur ishte. Do flas pa dorashka ë. Të jemi të sinqertë me njëri tjetrin. Disa si zë gjumi po nuk gënjyen, mua s’më zë gjumi po s’thashë të vërtetën, ha ha aha -jo po gënjeva. Këtë cilësi e kam. Bile për këtë më do gjithë shoqëria dhe farefisnia. E them të vërtetën sado e hidhur apo e gëzueshme qoftë. Nuk i zbukuroj fare të dyja.

I them pa tualet. Si i ka bërë nëna apo perëndia si themi tani.
-Mirë, por të lutem vazhdo!
-Mos mu lut. Un kur e zë fillin e hap të gjithë topin e gjalmit. S’flas për topat e ushtrisë. Ata më ngjallin krupën.
-Vaaaaazhdo!- i tha ajo e inatosur.
-Po, por inati nuk të shkon. As mua. Nejse. Ju qepa Fluturës ca muaj. Herë më dilte herë jo. Ishte e llastuar. Donte që të gjithë djemtë ti shkonin nga pas. Një universitetas që banonte në lagjen e saj, i ishte ngjitur më keq se unë. Un nuk jam rrodhe. Tani me ty u bëra. Nejse. Kur zihej me universitetasin, më linte mua takim Flutura. Si flutur. Dhe unë i ngjita një këngë. Le ta them nuk prish muhabet:

Flutur, Flutur, vashë e bukur, Ke ca kohë që nuk je dukur, Buzët janë bërë për të puthur,

Në një kohë dy djem ke ndukur.

Ajo ziente nga inati, pastaj unë nuk i vajta më mbrapa. U martua me atë të urtin që mësonte në Universitet dhe kushedi ku kanë shkuar.
-Sa të dashura ke pasur! Të dashura që ke bërë seks! -Sa e guximshme je bërë moj Olta, që rënsha në gropë të patateve...
-Po fillove nga këto, ika. Përgjigju pyetjeve të lutem.
-Mirë, mirë-tha ai duke kruar kokën. Kam pasur dy. Një grua dhe një vajzë të re. Ajo gruaja kishte burrin në emigracion, ajo vajza më vardisej se e dinte që shisja makina. Donte makinë..
-Rrugaç, i pafytyrë-shfryu ajo, duke tundur disa herë kokën me inat.
-Mos fyej të lutem. Kështu e lamë pa fyerje. Njeriu që rrëfehet paqësisht, me zemër në dorë falet. E fal dhe perëndia. Unë kurrë nuk mund të të gënjej ty. E quaj mëkat të të gënjejë ty. Pastaj përse më thua, tregomë. Më thuaj mos më trego. Pastaj unë i vë një kyç që s’ka perëndi që më hap më. Kur i vija unë kyçin gojës nëna me babain më lusnin dhe të haja bukë dhe jo më për të folur. Jashtë haja sa për dhjetë.

Po do ti, unë hesht.
-Vazhdo, i poshtër! S’ke lënë pisllëqe pa bërë.
-Për kokën tënde, jo.

Ajo u ngrit dhe u mat ta qëllonte. Atij s’ia bëri syri dritë. Bile po qeshte.
-Qëllomë dhe unë do mendoj se më puthe. O zot s’ka gjë më të bukur se të më qëllosh ti. Do jetë dita më e bukur e jetës. Do më duket sikur jemi shtrirë në një krevat...
-O zot, ka perëndi që merret vesh me të?-tha me vete Olta.
-Mirë mirë, vazhdo!
-Këto janë që kanë kaluar në thertore. Ndonjë sa është përcëlluar me ndonjë venduzë në faqe, apo në gushë, pa lënë gjurmë, pa lënë gjurmë...Eh ja këto.
-Po mirë, po sikur të them që dhe unë kam pasur dy të dashur ti çfarë do bësh apo do mendosh?
-Unë asgjë. Vetëm të më pranosh ti dhe s’dua tja di se si e ke pasur biografinë më parë. Biografia fillon që sot e tutje. Kështu e kemi ne djemtë modernë. Pastaj pa shiko-dhe me njërin gisht ulim qepallën e poshtme të syrit të djathtë. Si ha unë ato. Ti ke fjalë. I njoh mirë vajzat, unë. Për ty unë piqem në hell si qengjat në dasmë, se sa të pranoj apo të besoj provokimet e tua. Ka bir nëne që të çon ty në rrugën e shtratit? Jo mua, jo mua-dhe sërishmi uli dy tri herë qepallën e syrit të djathtë.
-Un flas seriozisht. Kam pasur dy të dashur. Nuk përputheshin me mua.
-Ju rëntë pika. Kanë bërë seks dhe janë larguar. Kanë qenë o qorra, o homo.
-Të thashë i lashë unë. Nuk puqeshim në karakter
-Thashë mos ishin homoseksualë. Se ç’nuk sheh sot.

Edhe mua më vjen rrotull një atje tek puna.
-Lëri këto. Të dy nga dy kemi pasur.
-Dëgjo moj e dashur. Ti njëqind të kesh pasur po të më pranosh do jem njeriu më i lumtur
-Si do marrësh një vajzë të përdalë?
-Dashuria të çon aty ku nuk të çon mençuria dhe budallallëku. Pastaj unë vë dorën në zjarr se po ke pasur të dashur ti unë do vras veten. Do e vras për kuriozitet, pasi jo se nuk të dua, po nuk ishe e virgjër. Po syri dhe mendja nuk më gënjejnë.
-Po ti nuk më beson mua?
-Në këtë rast, jo. U bëfsha monument kulture që ruhet nga shteti po është e vërtetë! U bëfsha zog shtegtar. Majmun cirku. Shërbëtor i komshies. Të gjitha i ka bërë mirë perëndia po për dashurinë ka bërë gabime.
-Pse?
-Po ja po dashurove një njeri, s’ka pse të prishësh këpucë, goma makinash, fjalë, lutje, qarje, shfryrje, net pa gjumë, hamendësira, ehh! Ta bënte thjesht kur propozonte djali, vajza thoshte Po. Kaq.
-Eh mor njeri. Ku hyre ti në jetën time. Sa shqetësime më kë sjellë. Po si një femër e mirë ti thoshte po menjëherë një krimineli. Të dashurosh me sy mbyllur.?!
-Ç’të bëj. Të dashurova me shikim të parë. Po të pranoje me herën e parë do ishim në rregull. Më ke bërë budalla.
-Pse ke qenë ndonjëherë i mençur?
-Unë jam njeri praktik. Punët e mia i bëj si duhet. S’di shumë nga shkolla, por di nga jeta. E shoh sa e kanë ndritur ata me shkollë. Shumica shesin banane. Të gjithë shokët e mi pa shkollë janë bërë bosë, të zotët e punës. Janë bërë pronarë firmash, me pallate, furiostrada etj...Shkolla e tepërt të currufjas pak.
-Do pushosh..?
-Pse nuk të pëlqen. Hapi librat e llogarisë dhe shih kush ka bërë prokopi në Shqipëri ata me 2 universitete apo ata me një të mesme. E mesmja është bota. Të bën praktik, të lëvizshëm, ta shohësh botën në sy. Edhe unë kisha mundësi ta bëja universitetin por nuk e kam bërë për të mos humbur kohë. Po do ti unë marr dy universitete para teje. Për dy vjet dy universitete. Hajt vëmë bast kush do ta mbaroj më shpejt Universitetin. Unë që se di nga i ka dyert, apo ti që je në vit të dytë. Më thuaj cila degë të pëlqen që ta marr.
-Por prapë nuk do ti kesh njohuritë e duhura.
-Leku të bën jo të ditur por dhe President. Sa president pa shkollë ka pasur bota. Apo me shkollën e hamullorëve, të marrë me para. Sa avokat, mësuese, inxhinierë ka sot pa e shkelur derën e Universitetit. I di dhe ti...Po e ke problem që jam pa Diplomë të merr Gazi sa diploma të duash ti. T’ua tregosh prindërve apo shoqeve se ç’shok ke zgjedhur.
-Sa llafe ke. Flet përçart.
-Sepse nuk të pëlqen ty. Nuk është ky realiteti? Kam nja dy kushërinj nga fshatrat e Pukës, kanë 4 vjet në Tiranë edhe pse 35-vjeçar kanë marrë Diplomë për Histori -gjeografi dhe Veterinari. Njëri s’ka lexuar asnjë libër historie, unë të paktën kam lexuar një e gjysmë. Tjetri merr vesh nga bagëtia se me to është rritur, por po s’ka hapur një libër për të lexuar, mu haptë mua librezë Kursimi nga fshatarët e Etiopisë. Ti hallin e ke tek shkolla?
-Pse si të duket. Ti nuk e ndjen se pa shkollë stonon?
-Aspak. Të thashë do marr dy diploma meqë e ke merak. Bile pasi të marr diplomat do ti futem politikës. -Lëri broçkullat.

Pse habitesh. Politika e madhe bëhet me para të madhe. Diplomë, plus para, baras me politikan. E çnuk bëhesh në Shqipëri. Mjafton të kesh para.

Ajo u ngrit dhe e puthi. Ç’mund të bënte tjetër me një djalë kaq simpatik. Me një djalë që u bë historia e saja në mënyrë kaq të çuditshme...